Komisioni i Punëve të Jashtme i Kosovës vizitë në Parlamentin Evropian

53

Parlamenti Europian/ Albaniaplus foto/Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Albin Kurti, kryetar i Komisionit, po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel. Gjatë ditës së djeshme Komisioni zhvilloi një takim me Delegacionin për Evropën Juglindore të Parlamentit Evropian.
Kryetari i Komisionit, Kurti, e falënderoi kryetarin e Delegacionit për Evropën Juglindore të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, për ndihmën e deritanishme që i ka dhënë Kosovës rreth kalimit të sfidave me të cilat është përballur Kosova.
Anëtarët e Komisionit diskutuan dhe iu përgjigjën pyetjeve të shtruara nga eurodeputetët lidhur me çështjen e Tribunalit/Gjykatës së re për krimet e luftës, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, liberalizimin e vizave dhe rëndësisë së përfundimit të këtij procesi, duke ndërlidhur edhe çështjen e azilkërkuesve.
Të pranishëm në mbledhje ishin edhe eurodeputetët:Tanja Fajon, Ivo Vajgl, Nikola Vuljaniç dhe Knut Fleckenstein, bën të ditur zyra e shtypit e Kuvendit të Kosovës.
Gjatë ditës së sotme anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme do të takohen me Daul Joseph, udhëheqës i zëvendëskryetarëve të Parlamentit Evropian, si dhe me Hannes Swaboda (S&D). Kryesuesi i delegacionit parlamentar nga Kosova, Albin Kurti, do të ketë një takim të veçantë me raportuesen për Kosovën në PE, Ulrike Lunacek.