Komisioni i Ekonomisë miraton Paketën Fiskale

52

komisioni i ekonomise- braçeKomisioni i Ekonomisë ka votuar ndryshimet e paketës fiskale dhe buxhetit për vitin 2014.

Ndryshimet e paketës konsistojnë në: ngritjen e fashës së akcizës për prodhuesit e birrës nga 200 mijë hektolitër në 310 mijë hektolitër, dhe fasha e dytë në 710 mijë hektolitër; diferencimi  i TVSH për hidrokarburet vetëm për fazën e kërkimit dhe jo të zhvillimit të projekteve; vendosja e akcizës me 50 lekë për litër për pijet energjike.

Komisioni diskutoi edhe për uljen e tatim fitimit për biznesin fason dhe për rritjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë, si dhe heqjen e tavanit prej 10%  të taksës së përkohshme që vendos pushteti vendor për biznesin e vogël. Paketa fiskale  që  do të shoqërojë buxhetin e vitit të ardhshëm ka një efekt financiar të parallogaritur në vlerën e rreth 20 miliardë lekëve dhe do të miratohet ditën e shtunë.

Paketa fiskale, ja ndryshimet kryesore: 

Kemi vendosje të taksimit progresiv mbi pagën: Të punësuarve me pagë deri në 30 mijë lekë në muaj, nuk u ndryshon sistemi i taksimit; ata mbeten të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale. Paga 30 mijë lekë/muaji shërben si prag i parë i tatimit progresiv; Pragu i dytë i prezantuar në formulë është paga mujore prej 100 mijë lekësh. Në këtë pagë, pra të punësuarit me pagë nga 30 001 lekë/muaj deri në 100 mijë lekë muaji, tatimi do të jetë 15% e diferencës së pagës me pragun e parë 30 mijë lekë, ndërsa të punësuarit me pagë mbi 100 mijë lekë do të kenë tatimin 10,500 lekë plus 20% të diferencës së pagës me pragun 100 mijë lekë.

Biznesi i madh: Ndryshim të shkallës tatimore, bëhet 15% duke filluar nga data 1 janar 2014.

Biznesi i vogël: Në ligjin për sistemin e taksave vendore është propozuar heqja e taksës së biznesit të vogël. Ky propozim/shfuqizim takse shoqërohet me ndryshimin në ligjin e tatimit mbi të ardhurat, në dispozita ligjore që lidhen me kreditimin e taksës së biznesit të vogël. Përpos kësaj, shkalla tatimore ulet nga 10% në 7.5%.

Akcizat: Propozohet rritje e akcizës së cigareve nga 70 lekë/paketa në 90 lekë/paketa, më 1 janar 2014 dhe në 100 lekë/paketa në 2015-n, 110 lekë/paketa në 2016 dhe 120 lekë/paketa në vitin 2017.

Rritje e akcizës për pijet alkoolike dhe verën/ Propozohet një rritje prej 30% (sipas intervaleve që përcakton ligji i akcizave) për: vera e qetë dhe pijet e qeta të fermentuara (NK W200); Pije të tjera alkoolike (NK S200); Rakia (S400).