Kodheli e Papulias prekin ligjin e luftës dhe kufirin detar

49

kodheli-papuliasTakimi me presidentin e Greqisë, Karolos Papulias ka mbyllur vizitën e Ministres së Mbrojtjes të Shqipërisë, Mimi Kodheli, në shtetin helen. Takimi u zhvillua në një atmosferë mjaft të ngrohtë dhe miqësore. Bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, si dy vende fqinjë nga më të vjetrit në rajon, me lidhje të vjetra historike dhe tradicionale.

Në mënyrë të veçantë ata ndanë të njëjtin mendim për zhvillimet pozitive të kohëve të fundit që po i japin marrëdhënieve tona një përmbajtje të re cilësore në interes të dy popujve tanë, të stabilitetit dhe paqes në rajon, si një vlerë e shtuar edhe në kuadrin e të gjithë Bashkimit Evropian.

Por, ndërkohë nuk janë lënë jashtë diskutimit dhe çështje të rëndësishme për të dy palët si ligji i luftës, përcaktimi i kufirit detar jugor dhe emërtesat në pasaportat e shqiptarëve që pala greke i ndalon të hyjnë në vend sepse janë në gjuhën shqipe.

“Si presidenti Papulias ashtu edhe ministrja Kodheli, gjatë bisedës së tyre, prekën edhe disa nga çështjet e axhendës së marrëdhënieve dypalëshe që kërkojnë zgjidhje në frymën e klimës pozitive dhe vullnetit të mirë të dy qeverive tona, siç janë ligji i luftës, delimitimi i detit, nderimi i të rënëve në Luftën Antifashiste, toponimet etj,”- njoftoi Ministria e Mbrojtjes në Tiranë.

I njëjti burim sqaron se, ministrja Kodheli i tha presidentit Papulias se mbledhja ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës ishte një model i mirë që mund të bëhet mes qeverive të tjera të rajonit tonë. Zoti Papulias vlerësoi ndërkohë vendosmërinë e qeverisë së kryeministri socialist Edi Rama “për reformat   brenda vendit dhe vendosmërinë e saj për t’u bërë anëtarë e familjes evropiane”.

“Shqipëria, tha ai, është një vend evropian, i takon Evropës dhe Greqia ka qenë dhe mbetet mbështetësja kryesore për integrimin e shpejtë të saj në BE, në periudhën e Presidencës saj”, – thuhej në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes.

Presidenca evropiane 

Mbështetje për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së është dhënë dhe nga ambasadori grek në Shqipëri, Leonidas Rokanas. Gjatë një konference tek qendra e informimit të BE-së në Tiranë, ku ishte edhe ambasadori Ettore Sequi, janë diskutuar sfidat e së ardhmes së Bashkimit Evropian.

Rokanas ka deklaruar se shkaku i refuzimit të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë nuk ishte ekstremizmi. “Sa i përket ekstremizmit, unë nuk flas në mënyrë zyrtare, por presidenca greke dhe shumë udhëheqës kanë thënë që ekziston euroskepticizëm.

Nuk do të thosha ekstremizmi apo ata ultranacionalistë janë një element përkufizues i Bashkimit Evropian dhe natyrisht për këtë do të ketë një debat shumë të thellë e serioz sidomos në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Le të mos e vëmë theksin vetëm tek ekstremizmi, por euroskepticizmi ku disa janë euronacionalistë, disa skepticistë, por mund të konsiderohen, por ky element nuk ka luajtur një rol përkufizues në vendimin e Këshillit në muajin dhjetor.

Jo, statusi nuk u refuzua, jo nuk ka të bëjë me refuzimin, por u tha që ne na duhet një historik më i gjerë”, – deklaroi ai. Rokanas theksoi gjatë fjalës së tij se, ministri i Jashtëm Venizelos do të mbërrijë në fund të muajit në Shqipëri për një vizitë.