Kodheli: Çmilitarizimi i Hot Spoteve vijon në të gjithë vendin

61

kodheli ushtriMinistrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ka inspektuar sot ish-poligonin e demontimit të municioneve në zonën e Hajmelit në Vaun e Dejës, i cili po i nënshtrohet një rikontrolli dhe pastrimi nga trupa dhe mjete të Forcave të Armatosura.
Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, pasi u njoh nga afër me punën që po kryejnë efektivat e FA për pastrimin e këtij ish-poligoni, ka theksuar se procesi i çmilitarizimit të Hot Spoteve vijon në të gjithë vendin. Ky proces është shumë i rëndësishëm për jetën e qytetarëve tanë. Forcat e Armatosura janë në krye të kësaj veprimtarie shumë të rëndësishme për komunitetin, është shprehur ministrja Kodheli.
Ndërsa gjeneralmajor Bazo, i ka kërkuar banorëve të kësaj zone që të qëndrojnë larg ish-poligoneve të demontimit të municioneve. “Është e pamundur që të kontrollojmë të gjithë territoret, prandaj edhe duhet bashkëpunim me komunitetin e zonës”,theksoi ai.
Gjatë këtij inspektimi ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Gjon Marku. Ai ka falënderuar FA, të cilat i janë përgjigjur kërkesës së pushtetit vendor dhe janë angazhuar për pastrimin sa më të plotë të këtij territori me qëllim sigurimin e jetës së banorëve, pasi ka pasur disa raste që është vënë në rrezik jeta e tyre, madje dy vjet më parë ka humbur jetën një banor i këtij fshati.
Pastrimi i plotë i Hot Spoteve duhet të përfundonte në fund të vitit 2013, por kjo siç ka pohuar edhe Ministrja e Mbrojtjes në një intervistë të mëparshme, nuk u arrit, për shkak të keqmenaxhimit të fondeve nga qeveria e shkuar.
Sot për sot për Hot-Spotet e rrezikshme duhet një vlerë 3.5 milion euro për pastrimin e tyre.
Në vendin tonë janë të paktën 60-70 Hot-Spote të rrezikshme, që vijnë nga uzinat apo fabrikat dhe format e tjera. Hot-Spote quhen kryesisht vende ku ka pasur reparte ushtarake, municione. Belgjika ka pranuar të asgjësojë mbetjet tona kimike në poligonet e saj.