Kerry: Ballkani nën barrën e korrupsionit

58

KerrySekretari i Shtetit John Kerry është ndalur te problem i korrupsionit, me të cilin përballen vende të Evropës Juglindore e Qendrore.

“Fakti është që vërejmë një prirje shqetësuese në shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe në Ballkan. Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarke, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare”, tha Kerry.

Sekretari i Shtetit John Kerry foli edhe për gjendjen në Ukrainë. “Megjithëse ka elementë shqetësues dhe një situatë kaotike në rrugët e Kievit, pjesa më e madhe e ukrainasve duan të jetojnë të lire, në një mjedis të sigurt, në një vend të begatë dhe po luftojnë për të drejtën për të bashkëpunuar me partnerë që do t’i ndihmojnë të përmbushin aspiratat e tyre. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian qëndrojnë përkrah popullit të Ukrainës në këtë betejë”.

Konferenca e Mynihut për Sigurinë është një aktivitet vjetor ku diskutohen sfidat e sigurisë dhe bashkëpunimi SHBA-Evropë për ballafaqimin me problemet aktuale. Siguria e Evropës dhe bashkëpunimi në përgjigje të sfidave globale ishin ndër temat kryesore ku u ndal dje Sekretari i Shtetit John Kerry gjatë fjalës së tij në konferencë. “Në botën e sotme me kërcënime komplekse, siguria dhe udhëheqja jonë mbështetet në të gjithë elementët e fuqisë sonë – përfshirë një demokraci të fortë dhe të bazuar tek parimet. Po ashtu ato varen tek mobilizimi i fuqisë së aleatëve tanë më të fortë. Asnjë vend nuk mund të zgjidhë i vetëm sfidat e ditëve tona”.

Për këtë arsye, tha Kerry, forume si Takimi i Mynihut janë shumë të rëndësishme për të kuptuar rëndësinë e bashkëpunimit të Shteteve të Bashkuara me Evropën dhe forcën e unitetit tonë.

Në fjalën e tij në Konferencën e Mynihut, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel ritheksoi planin e administratës Obama për të zhvendosur fokusin e politikës së jashtme nga veprimet ushtarake tek diplomacia. Komentet e Hagel bëhen ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar misionin ushtarak në Irak, pas tërheqjes së trupave nga Iraku në 2011 dhe në përgatitje për të tërhequr forcat nga Afganistani brenda këtij viti.

“Tani që Shtetet e Bashkuara lënë pas eksperiencën 13 vjeçare të luftës, e kemi të qartë se e ardhmja kërkon një epokë të re ku të forcojmë lidhjet dhe fqinjësinë me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me vendet në Evropë”.

Në fjalimin për gjendjen e vendit të martën, Presidenti Barak Obama tha se nuk do të dërgojë trupa amerikane për të luftuar “nëse nuk është vërtetë e nevojshme”.

Hagel vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ndihmojnë vende në nevojë, duke nënvizuar bashkëpunimin antiterrorist dhe humanitar me partnerët evropianë në Mali dhe në Republikën Qendrore Afrikane.