Kërcënohet ekipi i “Fiks Fare” në inagurimin e tunelit të Krrabës

59

tuneli-krrabeNjë grup xhirimi i emisionit “Fiks Fare” është ndaluar dhe kërcënuar nga Garda e Republikës si edhe i janë sekuestruar pamjet filmike të xhiruara në inaugurimin që kryeministri i vendit i bëri tunelit të Krrabës paraditen e së dielës.

Operatori Eno Cucallari është ndaluar të xhirojë pak momente para se të nisë fjalimi i kryeministrit, ndërsa në kërcënim e sipër i kanë marrë edhe kasetën që kishte xhiruar mitingun e organizuar me këtë rast nga Partia Demokratike.

Mesa duket këtë radhë shqetësimi nuk ka qenë pjesëmarrja në mitingje, e cila ka kohë që është në investigimin e emisionit “Fiks Fare”, por lëvizjet dhe përgatitja e vetë kryeministrit përpara fjalimit që do të mbante me këtë rast. “Fiks Fare” do ta ketë në fokusin e saj në emisionin e të hënës, si edhe do të zbulojë mënyrën se si u urdhërua për kërcënimin dhe sekuestrimin e kasetës filmike.

Urdhëri i Gardës së Republikës është i paprecedentë dhe dhunon të drejtën që rrjedh nga kushtetuta e vendit për informim.

*Top Channel