KE dhe Kosova, diskutojnë për ekonominë dhe reformat strukturore

15

Komisioni Europian/ foto Albaniaplus
Komisioni Europian/ foto Albaniaplus
Komisioni Evropian dhe qeveria e Kosovës mbajtën sot takimin e tyre të fundit në kuadër të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit (DPSA), ku diskutojnë për ekonominë, statistikat dhe reformat strukturore.

Njoftimi i dërguar thekson se, ky takim u përqendrua në çështjet ekonomike dhe financiare, statistika dhe kontroll financiar. Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim në mes të BE-së dhe Kosovës, korniza e dialogut do të reformohet – diskutimet do të zhvillohen në kuadër të kornizës së Komiteteve për MSA.

Përfaqësuesit e Komisionit dhe të qeverisë së Kosovës kanë diskutuar një numër fushash të politikave, përfshirë këtu zhvillimet makroekonomike të Kosovës, politikat fiskale dhe financiare, reformat strukturore dhe zhvillimin e sektorit privat, sistemin statistikor dhe kontrollin financiar.

Komisioni nënvizoi progresin e shënuar dhe theksoi nevojën për adresimin e çështjeve urgjente, si përmirësimi i qasjes në financa, mungesa e sundimit të ligjit, përhapja e ekonomisë joformale, arsimi profesional jo i duhur dhe implementimi i e-prokurimit.

Po ashtu, Komisioni ka inkurajuar Kosovën që të ftojë monitorim ndërkombëtar për regjistrimin e popullsisë në katër komunat e Kosovës Veriore. Ky takim u bashkë-kryesua nga Ministria kosovare e Integrimeve Evropiane dhe Drejtorati i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Ekonomi dhe Çështje Financiare dhe Zgjerim, si dhe Drejtorati për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim.