I dënuari me 25 vjet burg në Shqipëri kërkon nga Anglia të mos ekstradohet

62

Mediat britanike i bëjnë jehonë historisë së Hektor Mahmutaj, shqiptarit i cili refuzon të ekstradohet në Shqipëri ku është dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e Gentjan Jahaj në korrik 1997.

Sunday Express shkruan se 42 vjeçari kishte arritur të hynte në Britaninë e Madhe duke u fshehur në një kamion në dhjetorin e po atij viti. Prej 20 vitesh ai jeton në Britani dhe ka përdorur 13 identitete të ndryshme për të mos rënë në gjurmë të tij.

Ai jetonte në Liverpol kur gjykata shqiptare e kishte dënuar në mungesë në prill të 2000.

“Ai vazhdon të qëndrojë në vendin tonë sepse pretendon se ekstradimi i tij është ‘shkelje e të drejtave të njeriut: dhe autoritetet britanike ende nuk kanë nisur procedurën e deportimit të veçantë” shkruan express.co.uk

Mahmutaj u arrestua me urdhër arrest të interpolit të lëshuar në dhjetor 2006, kur identiteti i tij u zbulua. Ai u dënua me 2.5 vjet burg për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që kërkesa e ekstradimit nga autoritetet shqiptare u refuzua në 2007. Atëherë Gjykata në Britani vendosi se Mahmutaj nuk kishte qëllim të fshihej nga autoritetet shqiptare, por se nuk i ishte garantuar rigjykimi nëse do të kthehej në Shqipëri.

Policia shqiptare ridërgoi një kërkesë ekstradimi dhjetë vjet më vonë pas një ndryshimi në ligjin e tij lidhur me rigjykimet.

Mahmutaj u arrestua sërish në janar dhe aktualisht po rigjykohet nëse duhet të ekstradohet në Shqipëri apo jo.

Të premten e 5 tetorit, gjyqtari, Judge Tan Ikram tha se Mahmutaj mund të ekstradohet, por meqë ai është një shtetas jo i Bashkimit Europian çështja i kalon Home Secretary.

“Ka kaluar disa herë në sistemin e drejtësisë penale por asnjëherë pa dhënë identitetin e tij të duhur”.

Aktualisht Mahmutaj është në liri me kusht pasi ka paguar 10 mijë paund dhe mund të lëvizë lirshëm për disa orë të ditës.

Babai i dy fëmijëve vijon të kundërshtojë ekstradimin e tij duke e quajtur të padrejtë. Ai mohon të ketë lidhje me vrasjen dhe se është larguar për tiu fshehur autorit të vërtetë të krimit.

Por këtij pretendimi gjyqtari iu përgjigj se 42 vjeçari nuk ishte përballur kurrë me gjykimin pasi i kishte ikur atij.

Një zëdhënës i Home Office nuk jep asnjë shpjegim të shkakut përse Mahmutaj nuk është deportuar në 2003 kur ai u përball në sistemin e drejtësisë si një emigrant ilegal.

Tashmë dosja e Hektor Mahmutajt është në dorë të Home Secretary e cila do të vendosë nëse do të ekstradohet apo jo 42 vjeçari që është dhe babai i dy fëmijëve.