Historiku i taksës së pronës në Shqipëri

85

Si tatoheshin banesat dhe trojet para vitit ’45! Si u detyrua qeveria në vitin 1931 të diferenconte ndërtesat për banim nga ato për biznes

Tatimi mbi ndërtesa e troje, deri në vitin 1921 ushtrohej sipas ligjit osman dhe bazohej mbi vlerën reale të ndërtesave. Me anë të rregullores së 27 nëntorit të vitit 1921 që gjeti zbatim në vitin 1922, shteti shqiptar, pasi përfundoi regjistrimin e ndërtesave dhe trojeve për ndërtim,  duke i vlerësuar ato në vlerën e tyre reale, zbatoi mbi to këtë tatim:

-Për tokat që nuk i shtroheshin të dhjetës dhe që ndodheshin në qendrën e qyteteve tatimi ishte 15%.

-Për tokat rreth qyteteve, 10 % dhe rreth fshatrave 4 %.

Për shtëpitë e banuara nga vetë pronarët, të cilat nuk vlenin më shumë se 15 mijë franga ari tatimi ishte 5 %.

Ato që vlenin nga 15 mijë franga ari deri në 25 mijë franga ari, mbi tepricën tatimi ishte 7%.

Ato që vlenin më shumë se 25 mijë franga ari tatoheshin me 8% ndërsa dyqanet me 12 %.

Në vitin 1930, qeveria e kohës do të ndërmerrte një politikë stimuluese për modernizimin e banesave. Politika e ndërmarrë parashikonte përjashtimin nga detyrimi i taksës së ndërtesës i godinave që ngriheshin në 5 vitet e ardhshme në Tiranë e Durrës.

Kjo lehtësi fiskale kishte si synim zbukurimin e modernizimin e dy qyteteve më të rëndësishme të vendit. Në vitin 1932, do të ndërhyhej në këtë vendim duke e shtyrë në 8 vite këtë afat. Në vitin 1931, ligji i vitit 1921 do të amendohej duke shfuqizuar disa pjesë të tij e duke përcaktuar  baza të reja tatimi.

Referuar amendimeve, për ndërtesat ku banonte vetë i zoti tatimi ishte 5 % ndërsa për trojet që ndodheshin në qendër ose brenda kufirit të qytetit, taksa ishte po 5%. Gjithashtu duke marrë bazën e të ardhurave vjetore të ndërtesave (shtëpi, dyqane, magazine, hotele, fabrika, punishte, mullinj) ato do të tatoheshin me 7% të të ardhurave bruto.

Nga sistemi i taksimit të ndërtesave e trojeve do të arkëtoheshin mesatarisht 650 mijë franga ari në vit. Por me kalimin e viteve, të ardhurat nga kjo taksë do të shënonin rënie, kjo për faktin se vendi po ndjente pasojat e krizës ekonomike globale. Si rrjedhojë, në periudhën 1936-1937, arkëtimet nga këto taksa zbritën në 300 mijë franga ari.

Kreshnik Kuçaj/Scan