Hapet tuneli i Krrabës, Berisha: Blushi të mbajë premtimin

58

berisha-krrabeNë ceremoninë e inagurimit të tunelit të Krrabës, kryeministri Berisha theksoi se sot u realizua ëndrra e gjeneratave.

“Urime më vllazërore për këtë ditë e cila do të mbetet në memorien tonë si një ditë e krenarisë sonë individuale, e krenarisë sonë kombëtare sepse ne sot më 16 qershor të vitit 2013 bëjmë të vërtetë, realizojmë një ëndërr tonën, një ëndërr të gjeneratave të tëra të cilat ëndërronin që një ditë Elbasani, ky qytet i shpirtit dhe zemrës së bardhë të shqiptarëve, djepi i dijës dhe i shkollimit të bashkohet me Tiranën nëpërmjet një tuneli. Emocionet janë të ëmdha dhe ato nuk kanë të përshkruar por kënaqësia është shumë e madhe sepse sot në 16 qershor vendi që vetëm 6 vite më parë kishte rrjetin rrugor më të shkatërruar dhe më të prapambetur po çan malet, po ndërton tunele, kryevepra inxhinierike, po ndërton realitete të reja gjeografike, ekonomike dhe sociale” tha Berisha.

Ndërkohë Kryeministri Berisha ftoi deputetin e PS-së Ben Blushi që të mbajë fjalën e dhënë dhe të marrë teseren e Partisë Demokratike.

“Kam menduar për zotimin e Ben Blushit dhe kam vendosur ta ftoj në selinë e PD-së dhe ti jap dokumentin e Partisë Demokratike dhe këtë vetëm e vetëm për ti dhënë atij mundësinë njëherë në jetë në mbaj fjalën e tij.  E pres në seli kur të doj që tia dorëzoj atë dokument sepse ne tunelin e ndërtuam” tha Berisha.

Berisha theksoi më tej se kjo rrugë përbën një rëndësi të madhe për tregun e Tiranës dhe Elbasanit, pasi të dy qytetet afrohen shumë me njëri- tjetrin.

“Me tunelin ne bëjmë që tregu i madh i Tiranës dhe Elbasanit të shkrihen në një. Ne bëjmë që prodhimet të vijnë në tregun më të madh të vendin me koston më të ulët. Me këtë rrugë, jo vetëm Elbasani, i cili vjen në Tiranë për 20 minuta, por edhe Korça, Bilishti e Kolonja vijnë në Tiranë një orë më shpejt. Kjo autostradë është segmenti më krenar dhe i pavdekshëm i korridorit tetë. Shqipëria inaguron sot segmentin më të rëndësishëm në territorin e saj, në korridorin 8, duke u shndërruar gjithmonë e më shumë një nyje ekonomike në Ballkan dhe Adriatik. Ne ndërtuam Rrugën e Kombit, po ndërtojmë autostrada në 4 anët e vendit, ndërtuam autostradën Lushnje-Fier-Vlorë, Levan-Tepelenë-Gjirokastër. Sot çdo shqiptar nga Konispoli në Vermosh nga Hani i Hotit në Gjirokastër udhëton në rrugët më moderne. Modeli ynë është modeli i zhvillimit. Tuneli që sapo inaguruam, qindra e qindra qëndrat shëndetësore, shkollat, subvensionet për fermerët, dyfshimi i rrogave dhe pensioneve janë të gjitha mbështetje për të gjtihë qytetarët, pa dallim, demokratë apo socialistë.  Modeli ynë  është ai i punësimit, i rritjes së rrogave, modeli ynë është i integrimit në BE. Ftoj të gjithë qytetarët e Elbasanit të bashkohemi në përpjekjen tonë për Elbsanin e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar.  Të bashkohemi për të bërë realitet projekte të tjera të mëdha, kaskadën e Devollit, qindra HEC-e, ndërtimin e TAP-it, për të ndërtuar çdo rrugë të qyteteve dhe fshatrave tona.  Ky është modeli ynë” tha Berisha

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha e konsideroi ndërtimin e këtij segmenti si simbolin e modelit të cilit ai i ofron qytetarëve, përballë alternativës së bllokimit të Partisë Socialiste.

“Kjo autostradë është modeli ynë i zhvillimit I cili vendoset përballë bunkerit pa ide të autobuzit mavi. Kjo opozitë, ajo që doli kundër tunelit, ajo që ka dalë në mënyrë të vazhdueshme kundër zhvillimit. Modeli i opozitës është modeli i dëshpërimit, modeli i zhgënjimit, mbjelljes së zisë dhe vrerit kudo.  Ky model i fabrikuar nga njerëz pa nivele kërkon që tunelin, rrugët tuaja, shkolla tuaja, ti mohojë dhe ti fusë në thesin e Koços dhe bashkë me Koçon në autobuzin mavi. Ndaj dhe është koha të bashkohemi. Ne mbajmë fjalën tonë dhe inagurimi i tunelit tonë është mbajtja e premtimit tonë. Në këtë ceremoni ishte edhe i ftuar edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit (Qazim Sejdini), por ai nuk erdhi për arsye partiake. E ja pra, kjo është një tjetër provë, se alternativës së zhvillimit, rrugëve, shkollave, spitaleve të rinj e integrimit, që vendoset përballë asaj të bllokimit”, shtoi kryeministri.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka cilësuar kryeministrin Berisha si arkitektin kryesor të ndërtimit të rrugës.

“Elbasani, kjo qendër e rëndësishme kulturore, e traditës, tani është në hyrje të qytetit. Jam i lumtur shumëfish si qytetar i Tiranës dhe përfaqësues i zgjedhur i Elbasanit. Kur Sali Berisha thotë do ta bëjmë rrugën, tunelin, rruga dhe tuneli bëhet. Ne sot jemi në një mrekulli mahnitëse të infrastrukturës, që afron qytetarët dhe lidhemi më shumë me njëri-tjetrin dhe sa herë lidhemi me njëri-tjetrin, arkitekti është Sali Berisha. Nuk është rastësi, por është lidershipi për çdo qytetar. Sot ofrohet për Tiranën  një fuqi më shumë, një fuqi blëerëse, për zhvillim. Ata që nuk e votuan dhe u përpoqën ta pengojnë u shprehën të turpëruar se ky nuk është zhvillim dhe duan të na kthejnë pas. Ne do ecim përpara, se ne jemi alternativa e duhur” tha Basha.