Projekti për ndërtimin e hidrocentralit “Fusha e Lukovës” ekziston, por është në fazën e studimit të efekteve dhe pasojave, ka thënë kryeministri Nikolla Gruevski. Ai siguron se ky projekt do të realizohet vetëm nëse nuk shkakton pasoja serioze për natyrën, ambientin jetësorë dhe qytetarët e rajonit të Dibrës dhe eventualisht në vendet fqinje.
“Kjo Qeveri asnjëherë nuk ka bërë projekte me të cilat e ka dëmtuar dikë, më së paku njerëzve të vendit, por edhe vendeve fqinje. Ky është një projekt të cilin e udhëheqim bashkë me Bankën Botërore. Banka Botërore përgatit edhe projekt ekologjik i cili duhet t’i tregojë përparësitë dhe dobësitë eventuale, ku pas këtij projekti do të sillet edhe vendimi përfundimtarë. Kuptohet, nëse projekti dëshmon se nuk ka ndonjë dëm serioz për natyrën, ambientin jetësorë, për qytetarët, në atë rast do të vazhdojmë më tej dhe projektin do ta realizojmë”, tha Gruevski.
Në të kundërtën, kreu i Qeverisë, Nikolla Gruevski, tha se as Banka Botërore si financuese kryesore, nuk do të lejojë realizimin e një projekti që dëmton natyrën dhe jetën e qytetarëve. Ai me këtë rast ka thënë se do të ketë parasysh edhe shqetësimin e vendeve fqinje, duke aluduar në Shqipërinë prej ku kanë ardhur edhe reagimet më të zëshme për projektin “Fusha e Lukovës”.
Qëndrimi i kryeministrit Gruevski është në një vijë me qëndrimet e shfaqura ditë më parë nga ministrat shqiptarë Abdilaqim Ademi dhe Valon Saraçini, të cilët theksuan se hidrocentrali nuk do të ndërtohet nëse vërtetohet se është i dëmshëm për ambientin. /Koha.mk/