Gjosha:Qeveria, hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit

50

gjosha2Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ka raportuar sot në Kuvend mbi ecurinë e procesit të integrimit  të Shqipërisë në Bashkimin Europian

Ministrja Gjosha ka informuar deputetët e Komisionit Parlamentar të Integrimit mbi Planin e Veprimit të qeverisë shqiptare që do të bëjë të mundur marrjen e statusit  të vendit kandidat në qershor të këtij viti.

“Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Progresi i qeverisë është vlerësuar edhe nga pala evropiane.  Plani Kombëtar për zbatimin e MSA-së do të plotësohet brenda muajit prill të këtij viti. Këtë vit fondet e parashikuara për financim nga IPA II do të jenë në sektorët primarë të vendit. Këtë vit fondet për financim nga IPA II do të jenë për mjedisin, transportin, bujqësinë e zhvillimin rural” tha Gjosha.

Deputetja e PD-së Majlinda Bregu propozoi që të zhvillohet një takim të Komisionit të Integrimit me shoqërinë civile për prioritetet e integrimit. “Kuvendi e ka një listë me aktorët që janë të interesuar për integrimin” tha Bregu.

Ndërsa Deputetja e PS, Arta Dade theksoi se duhet të përcaktohen kriteret mbi të cilat duhet të ftohet shoqëria civile, pasi integrimi është një nocion i gjerë.

Sa i përket akuzave të opozitës për emërimet në administratë, ministrja Gjosha  theksoi se punonjësit e administratës do të merren në punë vetëm me konkurs.

“Numri i kontratave të përkohëshme po ulet ndjeshëm pasi ato kanë qenë traditë e qeverisë së mëparshme” tha Gjosha.