Ky bilanc, në sheshin “Al-Adawija”, ku manifestuesit janë vendosur për më tepër se një muaj, nuk merr në konsideratë numrin e të vdekurve gjatë protestave të tjera në Kajro, në sheshin “Nahda” dhe as ato gjatë përleshjeve të tjera në vend.
Ndërkohë Vëllazëria Myslimane pretendon se ka të dhëna për të paktën 2200 protestues të vrarë dhe rreth 10 mijë të plagosur.
Zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar 149 viktima dhe 1403 të plagosur, ndërsa autoritetet kanë shpallur gjendjen e emergjencës për një muaj.
Vëllazëria Myslimane në Egjipt ka kërkuar nga shtetasit e këtij vendi që të dalin në rrugë për “ta ndalur masakrën”, pasi forcat e sigurisë depërtuan në dy kampe islamiste të protestuesve në kryeqytetin Kajro. Kampet janë ngritur nga mbështetësit e presidentit të përmbysur nga ushtria, Muhammad Morsi.
ELBARADEI DORËHIQET NGA POSTI I ZËVENDËS/PRESIDENTIT
Zëvendës/presidenti egjiptian, fitues i çmimit Nobel për paqen, Mohamed ElBaradei, njoftoi se i kishte paraqitur dorëheqjen presidentit të përkohshëm, pas ndërhyrjes së përgjakshme të forcave të rendit për shpërndarjen e manifestuesve mbështetës të Morsit në Kajro.
“U bë shumë e vështirë për mua të vazhdoja të merrja përgjegjësinë e vendimeve me të cilat nuk isha dakord”,- citonte letra e tij drejtuar presidentit të përkohshëm, Adly Mansour.
SHPALLET GJENDJE E JASHTEZAKONSHME PER NJE MUAJ
Presidenca egjiptiane shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për një muaj në të gjithë vendin dhe urdhëroi forcat e armatosura që të ndihmojnë Ministrinë e Brendshme për të garantuar sigurinë në vend.
SHTETRRETHIM NË KAJRO DHE 11 PROVINCA TË TJERA
Qeveria egjiptiane vendosi sot shtetrrethim në Kajro dhe 11 provinca të tjera, pas dhunës së ushtruar gjatë ndërhyrjes së përgjakshme të forcave të rendit për largimin e mbështetësve të presidentit të rrëzuar, Mohamed Morsi në Kajro.
“Pasi presidenca shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, u vendos shtetrrethim nga ora 19:00 në orën 06:00 deri në një urdhër të ri”, u shpreh një zëdhënës i qeverisë. Këto masa do të zbatohen në Kajro dhe provincat Guizeh, Aleksandri, Beni Sueif, Minya, Assiout, Sohag, Beheira, në Sinain Jugor dhe Verior, Suez dhe Ismailia.
VRITEN NJE KAMERAMAN DHE NJE GAZETARE
Kameramani i “SkyneWs” Mick Deane 61 vjeç, u vra sot në Kajro gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë. Mediat bëjnë të ditur se gazetarja 26-vjeçare e “Gulf News”, Habiba Ahmed Abd Elaziz, ka mbetur gjithashtu e vdekur.
VRITEN VAJZAT E DY LIDERËVE TË LËVIZJES ”VËLLAZËRIA MYSLIMANE”
Asma El Beltagui, vajza e sekretarit të përgjithshëm të partisë ”Drejtësi dhe Liri”, të lëvizjes ”Vëllazëria Myslimane” dhe Hasfa Shater, së bashku me bashkëshortin e saj, vajza e numrit dy të kësaj vëllazërie fetare, Khairaht Shater, aktualisht në burg, kanë mbetur të vdekura në përleshjet e ndodhura në sheshin ”Rabaa el Adaëiya”, njoftuan burime nga ”Vëllazëria Myslimane”.
SHBA SHPREHET KUNDER GJENDJES SE JASHTEZAKONSHME
Shtëpia e Bardhë dënoi sot ashpër përdorimin e dhunës nga ushtria ndaj manifestuesve në Egjipt, duke u shprehur kundër rikthimit të gjendjes së jashtëzakonshme. “SHBA dënon ashpër përdorimin e dhunës ndaj manifestuesve në Egjipt”, – deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, duke i bërë thirrje ushtrisë për vetëpërmbajtje.
IMAMI I LARTË I AL AZHAR BËN THIRRJE PËR FUNDIN E GJAKDERDHJES
Imami i Lartë i Al Azhar, Ahmed Al-Tayeb ka bërë thirrje për fundin e dhunës dhe gjakderdhjes, ku u kërkoi të gjitha palëve të shkojnë në rrugën e moderuar dhe dialogun.
Dje, imami u ofrua për të ndërmjetësuar bisedimet mes dy palëve dhe Vëllazëria Myslimane ka deklaruar se do të ishin të hapur për bisedime, por pa Al-Tayeb, pasi imami mbështeti largimin e presidentit Mohamed Morsi nga forcat e armatosura.
ASHTON U BËN THIRRJE FORCAVE TË RENDIT PËR VETËPËRMBAJTJE
Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, shprehu sot shqetësimin e saj të madh pas ndërhyrjes së përgjakshme të autoriteteve egjiptiane ndaj mbështetësve të presidentit të rrëzuar, Mohamed Morsi duke u bërë thirrje forcave të rendit për vetëpërmbajtje.
“U bëj thirrje forcave të rendit të vetëpërmbahen si dhe të gjithë qytetarëve egjiptianë të mos bien pre e provokimeve të përsëritura dhe të shmangin përshkallëzimin e dhunës”, citon komunikata e Ashton.
“Përleshjet dhe dhuna nuk janë rruga drejt zgjidhjes së çështjeve kyçe politike”, theksoi përfaqësuesja e BE-së për Punët e Jashtme.
Duke theksuar rëndësinë e dialogut mes të gjitha palëve të përfshira, ajo rikujtoi domosdoshmërinë e krijimit të një qeverie civile dhe sigurisë së funksionimit të institucioneve demokratike.
“Në të njëjtën kohë, të gjitha palët duhet të pranojnë përgjegjësinë e tyre në mënyrë që manifestimet të jenë më paqësore dhe t’i jepet fund nxitjes së dhunës”, shtoi ajo.
ERDOGAN: OKB-ja DHE LIDHJA ARABE TË NDALIN MASAKRËN NË EGJIPT
Qeveria turke ka nxitur komunitetin ndërkombëtar të ndërhyjë menjëherë ”për të ndalur masakrën në Egjipt”, theksohej në një komunikatë të kryeministrisë turke, të bërë sot.
”Këshilli i Sigurimit në OKB dhe Lidhja Arabe duhet të ndërhyjnë në mënyrë emergjente për të ndalur masakrën në Egjipt”, deklaroi pak më parë kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan.