Fischer: duhen zgjedhje të lira dhe të ndershme

64
foto/infoalbania.org
foto/infoalbania.org

Lideri i Partisë Socialiste Edi Rama, është pritur sot nga Presidenti i Republikës së Austrisë Heinz Fischer. Sipas njoftimit të PS-së, në këtë takim, presidenti i Austrisë dhe lideri i opozitës Edi Rama, kanë ndarë mendime lidhur me situatën politike parazgjedhore në Shqipëri. Në këtë bisedë, vëmendja është përqendruar tek klima parazgjedhore në vend dhe çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Presidenti i Republikës së Austrisë, u shpreh mbi domosdoshmërinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Një tjetër çështje e bisedës, mes Kryetarit të Partisë Socialiste Rama dhe Presidenti i Austrisë Fischer, ishte edhe arritja e marrëveshjes Kosovë Serbi dhe dialogu i vendosur mes dy shteteve. Nga të dy bashkëbiseduesit arritja e marrëveshjes u vlerësua fort, si një faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit.

Rama e njohu Presidentin Fischer me Programin për një Rilindje Shqiptare, duke vënë theksin te rëndësia e ndryshimit të modelit qeverisës dhe ekonomik për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm, të vendit, në të gjitha fushat.

Bashkëpunimi me Austrinë, për Kryetarin Rama, siç u shpreh edhe gjatë këtij takimi, është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e vendit.

Po ashtu, Edi Rama i ka bërë një ftesë investitorëve austriakë që të rikthejnë vëmendjen nga Shqipëria, sepse pas 24 qershorit qeveria e re e majtë, do të mundësojë një klimë të favorshme ndaj biznesit duke vendosur standarde europiane të konkurrencës dhe të zbatimit të ligjit, – përfundon njoftimi për shtyp i selisë rozë.