Rreth orës 10:00, Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri i vendit Edi Rama, Kryeparlamentari Ilir Meta, ministra, deputetë socialistë dhe aleatët e PS-së u bashkuan në vendosjen e kurorave me lule në memorialin “Nënë Shqipëri”.
Kryeministri Edi Rama kërkoi që 29 Nëntori të shërbejë si një ditë reflektimi, për të punuar me përkushtim e përulësi, për të qenë të denjë për sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit. Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së organizuar në kuadër të përkujtimit të Ditës së Çlirimit, shefi i qeverisë shprehu bindjen se e majta e bashkuar i ka të gjitha mundësitë për të shkruar një tjetër faqe të bukur në historinë e Shqipërisë.
“Bashkimi i madh i 23 qershorit është nga njëra anë mësimi për secilin nga ne dhe në radhë të parë për çdonjërin prej nesh që përfaqësojmë shumë e shumë të tjerë. Ai bashkim i dha Shqipërisë mundësinë të marrë frymë lirisht, të ecim më shpejt drejt një rilindjeje që jo vetëm është e mundur por është detyrimi ynë karshi 1 milionë njerëzve të këtij vendi. Aleanca për Shqipërinë europiane ka të gjitha mundësitë për të shkruar një tjetër faqe të bukur në historinë e këtij vendi.”- deklaroi Kryeministri.
Sipas Ramës, jetët e dhëna në Luftën e Dytë Botërore na flasin çdo vit në këtë ditë, na flasin jo për luftën por për paqen, jo për përplasjen, por për sakrificën, jo për ndarjen por për bashkimin, jo për vdekjen por për jetën. Krenaria është shumë e madhe por puna për tu bërë të denjë për madhështinë e luftës nacionalçlirimtare është gjithmonë e pamjaftueshme.
Kryeministri theksoi se për të përmbushur ëndrrën e dëshmorëve të Atdheut ka ende shumë rrugë e punë për të bërë.
“Nëse barra duket e rëndë dhe rruga duket e vështirë, thirrja që vjen nga 29 Nëntori mjafton për të shumëfishuar besimin dhe për të kthjelluar shikimin përballë një sakrifice, sakrificës së dëshmorëve të kombit tonë, lidhur me punën tonë, që në fakt është një detyrë shumë më e thjeshtë në raport me përpjekjen e tyre. Ata sot na tregojnë se fisnikëria dhe shtysa e brendshme për ta jetuar jetën fisnikërisht nuk është as më shumë e as më pak se përpjekja idealiste e një njeriu të thjeshtë dhe se madhështia s’është as më shumë e as më pak se sa përpjekja e përditshme të njeriut të thjeshte për të qenë njeri i lirë,” – deklaroi Rama