Zhvillohen kaq shumë seminare dhe takime si dhe botohen shumë libra për barazinë gjinore. Kjo sepse femrat kërkojnë më shumë të drejta dhe kërkojnë një vetëpërfaqësim më të madh. Po kush ua ka fajin, ose ku qëndron problemi nëse situata është e tillë? Me plot gojën them që fajin e kemi vetë dhe askush tjetër. Nuk na i kanë fajin meshkujt që ne mbytemi në budallallëkun tonë. (Kërkoj ndjesë për fjalën e përdorur, por nuk po gjeja dot një tjetër që të shprehte atë që unë vërtetë medoj.) Të gjithë meshkujt që drejtojnë apo që ushtrojnë presion dhe në raste të ndryshme dhe për fat të keq të shumta janë rastet kur ushtrojnë dhunë, janë bij nënash. Çka do të thotë që nëse ata janë prepotentë, diktatorë, të dhunshëm, të papërgjegjshëm dhe të gjithë mbiemrat cilësorë negativë për ta, janë sepse i edukojmë ne të tillë.
Në momenitin e parë që një femër kupton se është shtatzanë dhe kjo është një nga dhuratat më të çmuara që Zoti i ka dhënë femrës, jemi ne të parat që urojmë të jetë djalë. Jemi ne të parat që themi “me një djalë” dhe fillojmë ta paragjykojmë femrën që në fetus. Dhe kur pyet se pse të jetë djalë dhe jo vajzë, të vjen si përgjigje që në vend që të të qetësojë të shkakton trauma: “T’i bëhet qejfi burrit”.
Në këtë moment fillon dhe mendon. Si ka mundësi që ne nuk duam llojin tonë? Si ka mundësi që burrit t’i bëhet qejfi vetëm po të jetë djalë kur realiteti tregon që marrëdhënia babë e bijë është në rastet më të shumta shumë më e fortë se babë e bir? Por si ka mundësi sërish që bashkëshortit t’i bëhet qejfi vetëm kur është djalë? Edhe kur bebi është vajzë duhet po njëlloj t’i bëhet qejfi se fëmija i tij është.
Por kur i pyet burrat se çfarë e duan fëmijën ata përgjigjen: “Ç’të jetë, vetëm të jetë mirë”. Por kjo nuk është e vërtetë. Jemi ne vëtë që paragjykojmë qënien tonë dhe në vend të urojmë njëra-tjetrën për shëndetin e nënës dhe bebit themi “Ah ta kishe pasur një çikë djalë”.
Dhe sikur të mos e lemë me kaq paragjykimin për llojin tonë, shkojmë deri atje sa marrim përsipër të gjejmë gjininë e bebit edhe kur shkencërisht nuk ka asnjë të dhënë. Dhe kulmi i gjithë kësaj kalon kur thonë “E ke djalë se të ka rënë nur, je bërë e bukur” apo dhe shumë të tjera si këto “fjalë të moçme gjyshesh”. Në këtë mënyrë pranojmë që vajza të shëmton. Në një kohë që kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse të qënit nënë të jep lumturi të vecantë. Lumturia e zbukuron njeriun. Por sërish jemi ne që ankohemi pse fëmija ynë nuk është djalë, sidomos fëmija i parë.
Por nuk e lemë me kaq urrejtjen ndaj llojit tonë. Fëmijët lindin dhe në familje ka dhe vajzë dhe djalë. Sërish i edukojmë vajzat si shërbëtore të vëllait dhe jo si qënie të lira dhe të barabarta. Në rast se motra është me e madhe i japim rolin e nënës dhe e detyrojmë t’i qëndrojë vëllait mbi kokë. Ti bëjë gjithçka. Dhe djemtë rriten kështu si pashallarë pa mësuar asnjë gjë për përkujdesjen personale. Sepse kanë gjithmonë një shërbyese falas dhe për më tepër që i do dhe i duron në çdo kohë.
Edhe në rastet kur motra është më e vogël dhe normalisht që vëllai duhet ta mbështesë, sërish ne kemi përgjigjen gati: “Je më e vogël dhe duhet t’i bindesh. Është djalë ai”. Me çfarë bazash e mbështesim diskriminimin gjinor që ne kemi? Pse ua vemë fajin burrave që nuk na japin hapësirë, që nuk na mbështesin, që nuk prekin gjë me dorë në shtëpi, që nuk ndihmojnë me fëmijët, që duan gjithcka gati? Kur në fakt jemi ne që i rritim të tillë. Jemi vetë ne femrat që nuk duam veten tonë dhe normlaisht nuk japim as kontributin tonë në përpirësimin e situatës.
Mbetemi pas fjalimeve dhe debateve boshe në televizione, ndërkohë që ne e kemi vetë në dorë të edukojmë ndryshe dhe të jetojmë ndryshe. Shpesh kam dëgjuar se thonë “Djali mban derën e shtëpisë hapur”. Në të tilla raste qesh me të madhe se nuk arrij të kuptoj për kë derë e kanë fjalën. Se djemtë nuk jetojnë më me prindërit. E drejta e trashëgimisë është e barabartë. Mbiemrin nuk e mban vec djali, por me dnryshimet ligjore edhe bashkëshorti merr mbiemrin e bashkëshortes, e kështu me radhë.
Dhe ajo që më bën më shumë për të qeshur me budallallëkun tonë si femra është se pavarësisht se djemve u japim jetën, i bëjmë bijat tona skllave të babit, vëllait, bashkëshortit dhe më pas birit të vet janë vajzat ato që kujdesen për prindërit. Janë ato që nuk i zë gjumi natën se e kanë kokën mbrapa nga prindërit.
Nëse kërkojmë që të jemi të barabarta më gjininë mashkullore nuk duhet t’ia kërkojmë atyre të na i japin si dhuratë, sepse nuk e dinë çfarë të japin, jo se nuk duan. Duhet t’i edukojmë ne si të tillë, si të barabartë me ne dhe jo si pronarët, apo diktarorët tanë.