Fatos Mahmutaj: Kallëzimi ndaj Lulzim Bashës, i vonuar dhe i paplotë

81
Fatos Mahmutaj, gazetari i plagosur ne 21 janar 2011
Fatos Mahmutaj, gazetari i plagosur ne 21 janar 2011

Gazetari i njohur Fatos Mahmutaj ishte ndër ata që një fat i madh e la në jetë mesditën e 21 Janarit. Plumbi që përshkoi dorën e tij, shkoi dhe i morri jetën Hekuran Dedës. Që atëherë ai nuk ka rreshtur së denoncuari ata që qëlluan duke marrë katër jetën njerëzish, që për pak nuk u bënë pesë me atë vetë.  

Në një prononcim të tijin,  ndër të tjera e habit dhe fakti se përse u zgjodh kjo kohë e ky moment për ta kallëzuar penalisht ish-Ministrin e Rendit Lulzim Basha për ngjarjen e kobshme të 4 viteve më parë   

Ju jeni një prej “viktimave të gjalla” të 21 Janarit. Si e pritet lajmin për një kallzim penal ndaj ish-Ministrit të Rendit në atë kohë, Lulzim Basha, që duhet thënë se bie pak erë dobiçllëk politik, gjersa bëhet në prag të zgjedhjeve lokale?

Kallzimi ndaj Lulzim Bashës është i vonuar dhe i paplotë. Duhet të ishte bërë menjëherë pas ndryshimit të pushtetit, dy vjet më parë, ndërkohë që nuk është kjo akuza për të cilën ai duhet të përgjigjet penalisht.

Ai duhet të ishte ndjekur penalisht si përgjegjës direkt për 4 vrasjet dhe 7 plagosjet të kryera nga efektivët e Gardës së Republikës, institucion në varësi direkte nga ai, si ish-Ministër i Brendshëm.

Nuk mund të të them saktë se çfarë ka pasur në mendje Ministri Saimir Tahiri kur vendosi të kallëzonte penalisht pararendësin e tij në këtë post, por them me bindje se edhe nëse kjo dosje do të kishte motiv të pastër politik, kjo jo vetëm që nuk e dëmton Bashën, por përkundrazi i rrit kredon politike. Nuk e kuptoj pse ky sulm ndaj Bashës, kur tashmë është bërë publike se ai nuk rikandion për Bashkinë e Tiranës.

Ju jeni “viktimë”, si një prej të plagosurve të asaj dite, por jeni njëherësh dhe gazetar i profilizuar në çështjet e rendit. I besoni faktet e publikuara nga Ministri Tahiri, ku për herë të parë dëgjojmë për një helikopter që paska patur si mision hedhjen e një lënde mbi protestuesit?

Mund të jetë e vërtetë se Basha ka kërkuar një helikopter për të hedhur lëndë helmuese mbi protestuesit. Shqipëria ka disponuar helikopterë, po kështu edhe lëndë helmuese ushtarake. Për më tepër, për momentin kur është bërë deklarata e Bashës, është e vërtetë se protestuesit në krahun e piramidës kishin marrë terren pasi kishin zmbrapsur policët e rendit dhe ata specialë brenda 3-4 minutash. D.m.th., është e kuptueshme që ashtu kuturu siç ka qenë Basha, edhe shefi i tij, Sali Berisha, ato moment mund të kërkonin edhe më tepër se aq. Siç në fakt urdhëruan vrasjen e 4 të pafajshmëve dhe plagosjen e 7 të tjerëve. 

Ministri Tahiri tha se hetimet u përqëndruan tek libri i shënimeve të gardës. A ka qenë kjo një rrugë e duhur për të zbadhur të vërtetën e asaj dite?

Nuk ishte nevoja të gjendej gjurma e ujkut për të bërë këtë, pasi ujku gjithmonë ka qenë prezent dhe madje duke e shqyer prenë e tij publikisht.

Teknikisht, e ligjërisht gjithashtu, ku konsiston përgjegjësia e ish-Ministri Basha në atë ngjarje?

Është urdhërues direkt i të gjitha krimeve të asaj dite. Së bashku me Berishën. Tashmë është bërë publike që nëpërmjet badigardit të Berishës u urdhërua ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi, për të hapur zjarr mbi protestuesit. Kur ai nuk u bind, e rrahën në zyrën e Berishës dhe madje i nxinë dhe syrin.

Edhe diçka tjetër që ju, ndoshta për arsye emotive nuk e keni thënë: a kanë përgjegjësi tek 21 Janari edhe drejtues të atëhershëm të opozitës, jo direkt për vrasjet, por si “ndezës fitili” që çoi në atë lloj dhune?

Për mua nuk ka asnjë përgjegjësi opozita e atëhershme. Ajo ishte një protestë që nisi nga qytetarët e revoltuar për “bllokun 700 mijë eurosh” të Ilir Metës. Po kështu, urrejtja qytetare kishte nisur prej kohësh që nga abuzimet e Berishës me votimet e vitit 2009, si dhe nga aleanca e tij me LSI-në në të njëjtën kohë. Elektorati kryesisht i majtë ishte zhgënjyer nga politika dhe kishte nisur të reagonte në njëfarë mënyre.

“Blloku 700 mijë eurosh” u bë shkak që urrejtja e akumuluar të shpërthente. Opozita e atëhershme u gjend vetëm në rolin e organizimit të turmës, por jo si ndezëse e urrejtjes.

*tesheshi.com