Fatos Klosi: Ja pse duhen shkrirë shërbimet sekrete paralele

73

Ish-kreu i SHISH Fatos Klosi vendos dhe një herë theksin tek nevoja për të vënë rregull në komunitetin e shërbimeve inteligjente në Shqipëri. Sipas tij, kakofonia e tyre dhe keqpërdorimi politik, i ka nxjerrë shërbimet e krijuara në vitet e fundit, praktikisht të pavlefshme. “Duhet një shërbim kombëtar i vogël dhe i unifikuar”, thotë Klosi.

Nga Skënder Minxhozi*

Zoti Klosi, në pritje të tranzicionit të pushtetit, Shqipëria kaloi sërish disa “turbulenca” elektorale. Sa e preku kjo imazhin e 23 qershorit?

Këto “turbulenca” elektorale, siç i quani ju, treguan se Berisha ishte fare i papërgatitur për rezultatin e thellë të humbjes së tij. Ai emocionalisht e “pranoi” humbjen, megjithëse  justifikimet që dha duke pretenduar se “nuk mund të gënjente aq shumë sa  Edi Rama”, treguan se ai s’kish kuptuar asgjë se ç’kish ndodhur vërtet. Përpjekjet e fundit, për ta baltosur rezultatin e 23 qershorit tregojnë se pas emocioneve të para pas humbjes, ai po i kthehet zanatit të vjetër të super-demagogut. Por, zgjedhjet e 23 qershorit treguan se populli tashmë e njeh mirë, prandaj, mendoj se kjo që po ndodh në KQZ, apo me propagandën e PD-së, nuk mund ta prekë aspak imazhin shpresëdhënës të rezultatit të 23 qershorit.

Ka një përshtypje të përgjithshme se kjo shtyrje e rotacionit drejt ditëve të para të shtatorit, krijon objektivisht një inerci të dëmshme në qeverisje, e cila pasqyrohet në rënien e autoritetit të institucioneve, rritjen e krimit dhe dukurive të tjera negative. Ju si mendoni?

Qeveria në detyrë e ka mbyllur me kohë ciklin e saj, sapo e ka boshatisur arkën e shtetit dhe funksionon vetëm para kamerave, në mbledhjet ku “gjyshi”, vazhdon të tregojë përralla. Ajo vërtet po lëviz për inerci deri në shtator. Për sa i takon autoritetit të institucioneve, ai është në pikën më të ulët që nga viti ’97 dhe nuk ka ku të bjerë më poshtë. Bëri mirë kryeministri i zgjedhur, që e deklaroi qeverinë e tij disa javë para paraqitjes në parlament, se kështu na e lehtëson përshtypjen që po kalojmë një verë të nxehtë pa një qeveri që po punon.

Për sa i takon krimit, ai ka kohë që ka marrë përmasa alarmante. Ngjarjet e ditëve të fundit po tregojnë se rendi dhe siguria do të jetë ndoshta sfida kryesore e qeverisë së re. Është një arsye më shumë për t’i konsideruar të shëmtuara dhe antikombëtare, përpjekjet e opozitës së re për të krijuar pengesa absurde për certifikimin përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve. Ndërkohë, qeveria e re duhet të përgatitet  që aprovimi në parlament ta gjejë në krye të detyrave.

Jeni shprehur se aleanca PS-LSI ishte një zgjidhje e drejtë taktike, në funksion të largimit nga pushteti të Berishës. Sa jetëgjatë e mendoni këtë aleancë? A u jepni të drejtë skeptikëve, të cilët vijojnë ta shohin dyshen Rama-Meta, si problematike?

Hapin e parë, shumë të rëndësishëm, aleanca e bëri, e largoi Berishën nga pushteti, duke treguar kështu efikasitetin e saj. A do të jetë kjo aleancë afatgjatë? Interesat e vendit e duan afatgjatë dhe besoj se dy drejtuesit e saj e kanë të qartë këtë nevojë. Në këtë kuadër, më pëlqeu falenderimi që Edi Rama i bëri Ilir Metës për bashkëpunimin efektiv që patën gjatë përgatitjeve për qeverinë e re.

Objektivisht nuk ka asnjë arsye që bashkëpunimi të mos jetë afatgjatë. Çdo interes që do ta dëmtonte këtë bashkëpunim me siguri do të jetë i dorës së dytë apo të tretë lidhur me interesat kombëtare dhe me siguri i tillë, që nuk do të mund të tregohet me zë të lartë. Le të shpresojmë që racionaliteti do të dominojë mbi subjektivizmat.

Çështja morale e kësaj aleance është ngritur në mënyrë të përsëritur në të shkuarën. A duket si diçka e tejkaluar, apo ajo do të vijojë të ketë vlerë dhe të përdoret nga opozita e djathtë në parlament edhe në të ardhmen?

Çështja morale për mua është e kapërcyer, populli e kapërceu, le të mësohet dhe media të marrë nga populli mençurinë dhe urtësinë e tij. Përsa i takon opozitës së re, ajo do të vazhdojë avazin e vjetër, të vetmen gjë që di të bëjë, do të shajë  për çdo veprim të qeverisë së re dhe nuk do të merret më me moralin e aleancës. Por sado që të shajë, unë besoj se, në këtë aspekt, do të jemi më të lehtësuar, se nuk do t’i shohim e dëgjojmë seancat e përrallave të “gjyshit” në mbledhjet e qeverisë dhe nuk do ta dëgjojmë më zonjën e padurueshme, që drejtonte seancat e parlamentit. Besoj se Ilir Meta do të kontribuojë, që mbledhjet e parlamentit të jenë mbledhje pune dhe jo debate estrade politike pa vlerë.

Cili duhet të jetë qëndrimi i mazhorancës së re ndaj drejtësisë? Flitet për një reformë të thellë, e cila megjithatë duket se nuk ndodh kurrë. Çfarë duhet ndryshuar më së pari në strukturën e këtij pushteti të rëndësishëm?

Problemi i drejtësisë, përveç të tjerave, është pjesë e problemit akut të rendit dhe sigurisë. Opinioni i përgjithshëm është që drejtësia është shtylla më problematike e tre shtyllave që mbajnë shtetin në Shqipëri. Problemi kryesor i drejtësisë është korrupsioni në radhët e saj, korrupsion që është lejuar dhe ndoshta dhe stimuluar nga futja e hundëve të politikës dhe e ekzekutivit në problemet e drejtësisë.

Prandaj hapi i parë që duhet të bëjë mazhoranca e re, është deklarimi dhe zbatimi i dëshirës dhe vullnetit për të siguruar një pavarësi të pushtetit gjyqësor nga politika. Në këtë kuadër është e domosdoshme, që mbështetur mbi eksperiencat negative në këtë drejtim, të korrigjohet kuadri  ligjor i nevojshëm, për të mos lënë asnjë hapësirë për vazhdimin e korrupsionit. Natyrisht, pjesa më e vështirë e reformave të nevojshme në drejtësi, është zbatimi në praktikë i tyre dhe sidomos gjetja e një mekanizmi ligjor për mënyrën e kontrollit dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që e pengojnë shërimin e sistemit të drejtësisë.

Presidenti i Republikës ka një rol institucional të konsiderueshëm në ekuilibrat e pushtetit në vend. Si i parashikoni marrëdhëniet e tij me shumicën e re?

Nga motivet për të cilat u zgjodh, nga mënyra se si u zgjodh dhe nga fakti se si ka vepruar në këtë vit të parë të punës së tij, mendoj se Presidenti nuk do të jetë aq sinkron me objektivat e mëdha të mazhorancës së re, andaj besoj se e vetmja mënyrë komunikimi në marrëdhëniet midis tyre, do të jetë ajo institucionale. Problemi i bashkëpunimit nuk është i parëndësishëm, pasi Presidenti e ka sistemin e drejtësisë në një farë “patronazhi”. Megjithatë reforma e gjyqësorit duhet të nisë në parlament dhe Presidenti do të zbatojë ligjet e aprovuara.

A ka vend për një reformë në shërbimet sekrete të Shqipërisë? Në se po, cilat duhet të ishin sipas jush linjat e saj kryesore?

Sigurisht që ka ardhur koha për një konceptim të ri të shërbimeve të shumta që janë sajuar në vend, shumica e të cilëve për qëllime konjukturale. Si shembull po marr shërbimin e ushtrisë, që është bërë më i rëndësishëm se vetë ushtria, vetëm se Kryeministri nuk e shkarkonte dot Drejtorin e SHIK-ut, si rrjedhim nuk e quante Shërbimin të besuar.

Shqipëria është një vend i vogël, me mundësi të kufizuara financiare, kështu që nuk mund ta ketë luksin e mbajtjes së disa shërbimeve,e aq më keq, të pakoordinuara midis tyre. Komuniteti i inteligjencës ka përpara dy sfida kryesore: krimin e organizuar dhe terrorizmin, sfida që janë jo vetëm të karakterit kombëtar por dhe rajonal dhe më gjerë.

Për këtë arsye Shërbimi informativ mund të jetë një, i  karakterit kombëtar, i lidhur ngushtë me shërbimet partnerë rajonale dhe të aleatëve në NATO, një shërbim i vogël profesionistësh, kryesisht të kamufluar, me një administratë modeste, në vartësinë direkte të Kryeministrit. I vetmi partner në vend me të do të ishte Policia Kriminale, me të cilën do të shkëmbente informacione të vazhdueshme. Të gjitha shërbimet e tjera, në situatën aktuale, janë parazitare, dhe pa një objekt të qartë veprimtarie. Më duket absurde që një institucion, kushdo qoftë ai, të ngrejë një shërbim informativ për të kontrolluar aktivitetin e punonjësve të tij. Ai vetëm do të shantazhonte punonjësit e institucionit dhe sigurisht nuk do të ishte dot objektiv në aktivitetin e tij.

*JAVA