Përpjekja më e fundit e Greqisë për të shmangur daljen nga Eurozona dhe siguruar një program të ri shpëtimi trevjeçar ka marrë një goditje fatale mesnatën mes të shtunës dhe të dielës, pasi bisedimet u mbyllën pa asnjë marrëveshje.
Ndërkohë që pala greke kërkon hua të tjera për të siguruar mbijetesën në këmbim të reformave, Finlanda mësohet t’i ketë refuzuar ato, ndërsa Gjermania ka bërë thirrje që vendi të qendrojë për të paktën pesë vjet jashtë monedhës së përbashkët.
Shefi i Eurogrupit, Jerun Dajselblum, tha se bisedimet ishin të vështira, pasi ka ende një sërë çështjesh të rendësishme që nuk kanë gjetur ende zgjidhje, duke venitur kështu shpresat e qeverisë helene për një shpëtim të sekondës së fundit, pavarësisht vlerësimit pozitiv që ka marrë propozimi i saj nga Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilët madje rekomanduan një fond shtesë prej 80 miliardë eurosh, rreth 30 më shumë se sa kishte kërkuar vetë Greqia.