Edi Rama shpërthen në Vlorë: Demokratë vlonjatë, asnjë votë Saliut

55

rama6Edi Rama, u prezantua si kandidat për deputet në qytetin e Vlorës, duke udhëhequr listën për këtë qark.

Nga pallati i sportit “Flamurtari”, kryesocialisti Rama e ka komentuar kandidimin e tij në qytetin e Vlorës, me faktin se Vlora është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve.

Hapja e fushatës së Partisë Socialiste në Vlorë u bë me nga një fjalim të shkurtër që mbajtën me radhë kandidatët e PS-së për deputetë në këtë qark, më pas u transmetua në projektor një dokumentar i shkurtër kushtuar kreut të PS-së Edi Rama.

Në përfundim të dokumentarit, fjalën e mori vetë Rama. Ai u ndal tek lidhja e tij e vecantë me Vlorën që në fëmijërinë e hershme, ndërsa më pas u ndal tek situata aktuale në këtë qark. Rama tha se në 8 vitet e qeverisjes së Sali Berishës, qyteti i Vlorës ka marrë më pak fonde edhe se Kamza, ndërsa ironizoi me moratoriumin e skafeve teksa deklaroi se “për 8 vite PD i vuri çelësin detit”. Në fjalën e tij Rama iu është drejtuar demokratëve vlonjatë për të mos i dhënë asnjë votë Sali Berishës, ai i ka ftuar të votojnë për Vlorën e lënë në harresë.

“Para sesa të filloj dua të ndaj me ju dicka familjare. Dua t’ju tregoj disa fotografi lakuriq që nuk i ka parë njeri deri më sot. Në fakt ngaqë nuk kam pasur kohë të merrem dhe me prezantimin, ato lakuriq i paskan hequr, janë fotografi në plazhin e Skelës në vitet 60’, të një kohe kur unë e kisha Vlorën ëndrrën e gjithë vitit dhe kur gjithë viti me kalonte duke shkuar në shkollë për të marrë 10, pasi Aneta më thoshte vetëm po dole me të gjitha 10 mund të bësh pushime në Vlorë. Vlora, ishte vendi ku ndjehesha i lirë. I lirë dhe pjesë e një bote që gjatë vitit të shkollës unë nuk e njihja. Bota e djemve të skelës, bota e peshkatarëve, bota e notit. Vlora e vajzave të Flamurtarit, Vlora ku shkonte e gjithë Tirana dhe e mundte”.

“Unë kam bërë shumë fjalime, para njerëzve, por asnjëherë si sot nuk kam ndjerë emocione të jashtëzakonshme si par jnë provimi. Ju e dini që unë mund ta vendosja emrin tim për të qenë deputet kudo dhe ju siguroj se vendimi për të vendosur emrin tim në Vlorë nuk ka qenë për t’ia bërë vetes më të lehtë, por për të marrë përgjegjësinë e përfaqësimit të kryeqyteti të historisë së shqiptarëve”.

Ashtu sikundër dihet tashmë, lista e PS-së në Vlorë kryesohet nga Edi Rama, pasohet nga Valentina Leskaj, më pas Koço Kokëdhima, Luiza Xhuvani, Fatmir Toçi, Andrea Marto, Edmond Leka, Shuaip Beqiri dhe Mira Shehu.

Përpara mijëra të pranishmëve në mitingun e Vlorës, është shfaqur një dokumentar për jetën e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Rrëfime prekëse të nënës, djalit dhe bashkëshortes Linda, por edhe vetë Rama në një version ndryshe.