Alban Meha do të qëndrojë 6 javë jashtë fushave

65

sport

Florjan Behlula Mesfushori shqiptar që luan në Bundesligën 2 gjermane me Paderbornin, Alban Meha, duhet të presë gjashtë javë për t’u kthyer në fushën e blertë, pas dëmtimit që pësoi pak ditë më parë dhe ndërhyrjes kirurgjikale që kreu.

Lajmi është bërë nga mediat gjermane, të cilat i vlerësojnë paraqitjet e tij me fanellën e Paderbornit dhe kombëtares shqiptare. Mesfushori pësoi një dëmtim në gju në ndeshjen e parafundit të Bundesliga 2 me Mynchen 1860 (Paderborni fitoi 2-0), ku pasi dha asistin për golin e parë, në minutën e 23-të u detyrua të lërë fushën e lojës.
Mesfushori ka kryer operimin dhe sipas mediave gjermane, ai do të kthehet sërish pas 6 javësh, pak a shumë në momentin kur Paderborni do të nisë fazën përgatitore për sezonin e ardhshëm.
Kjo do të thotë se fantazisti do të mungojë në ndeshjen e rëndësishme të Shqipërisë kundër Norvegjisë, e cila zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Brazili 2014” në Tiranë më 7 qershor.
Ky sezon ka qenë problematik për Mehën, i cili në fakt e nisi mirë, por u dëmtua në ndeshjet e kombëtares. Pas rikuperimit, ai shkëlqeu në fazën përgatitore të dimrit, duke shënuar rregullisht në ndeshjet miqësore me Paderbornin, por në fund vjen përsëri ky dëmtim, që do ta lërë jashtë përfaqësueses në sfidën me norvegjezët