“Emrin e Sandër Lleshit e kam dëguar për herë të parë nga Ismail Kadare, i cili ua sugjeroi palëve si një kandidaturë të spikatur për President të Republikës një vit më parë.
Më vonë munda ta çmoj përmes mediave kur denoncoi publikisht rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe degradimin e rëndë të drejtimit të ushtrisë sonë. Dhe njohja nga afër erdhi kur pas zgjedhjeve e thirra për ta dëgjuar lidhur me gjithë çka kishte denoncuar publikisht, si edhe me idetë e tij për të ardhmen e dikasterit qendror të mbrojtjes si edhe të vetë Forcave të Armatosura natyrisht.
Pas disa komunikimesh kuptova besoj, arsyet pse shkrimtari i shquar e kishte menduar si president të denjë për vendin këtë gjeneral të panjohur. I edukuar në perëndim, njohës i mirë i historisë dhe bartës i modestisë intelektuale që karakterizon të diturit, zotërues i thellë i fushës jo vetëm nga librat po edhe nga rrugëtimi i një karriere të gjatë, nisur si fëmijë i një familjeje të varfër nga veriu në derën e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” dhe ndërprerë brutalisht në pozicionin e zëvendës Shtabit të Përgjithshëm nga arroganca e injorancës së pushtetit në ikje, Sandër Lleshi ka pranuar të jetë këshilltari im për mbrojtjen në kryeministri”.