Në Shqipëri sot po vazhdon numërimi i votave në qendrat e numërimit për të përcaktuar fituesin e zgjedhjeve të djeshme parlamentare. Nga numërimi i deritanishëm rezulton se Koalicioni i majtë opozitar “Aleanca për Shqipërine Europiane” ka fituar 58% të votave ose 82 mandate deputetësh, kurse koalicioni i djathtë qeverisës “ Aleanca për Punësim, Mirëqenie, Integrim” 42%.ose 57 madate deputetësh. Të dyja forcat kryesore, PD në pushtet dhe PS në opozitë pretenduan mbrëmë fitoren e tyre, pas një votimi që u njollos nga një shkëmbim vdekjeprurës zjarri në qytetin e Laçit, ku mbeti i vrarë një mbështetës i opozitës, Gjon Gjoni, dhe u plagos rëndë një kandidat për deputet i PD. Pretendimet e të dyja palëve për fitore ushqejnë rrezikun e kontestimit të rezultatit nga pala humbëse.
Pjesëmarrja në votime 50% në nivel kombëtar – 1,5 milion zgjedhës më shumë se numri zyrtar i popullsisë
KQZ ka ka publikuar edhe të dhënat paraprake lidhur me përqindjen e pjesëmarrjes në zgjedhje nga votuesit në 12 qarqet e vendit. Pjesëmarrja më e lartë raportohet në Kukës me 58% dhe më e ulta në Vlorë me 40 për qind. Mbështetur në listat e votuesve, të publikuara nga Ministria e Brendshme, numri i tyre është 3, 2 milion. Ndërkohë që shifra zyrtare e publikuar nga Instituti i Statistikave, (INSTAT) për popullsinë e Shqipërisë, pas censusit te vitit 2011 është 2, 8 milion vetë. Nga krahasim i këtyre dy shifrave zyrtare, nga institucione shtetërore, rezulton një diferencë prej më se 1,5 votues më shumë se popullsia e Shqipërisë. Nëse shifrës së votuesve i hiqen edhe fëmijët apo të rinjtë që nuk kanë mbushur moshën për të votuar diferenca bëhet edhe më e madhe. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme argumentojnë këtë diferencë të madhe me ardhjen e emigrantëve shqiptarë, kryesisht nga Greqia dhe Italia, por edhe të shqiptarëve nga Kosova që gëzojnë edhe nështetësinë shqiptare. Sipas të dhënave të sapopublikuara nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit, në Shqipëri kanë hyrë gjithsej për të votuar vetëm mbi 30 mijë emigrantë, kurse shifrat për kosovarët nuk janë publikuar.
Dritë – hijet e procesit zgjedhor dhe testi i BE
Apeli kryesor i BE dhe i faktorit ndërkombëtar për procesin zgjedhor në Shqipëri, që tani ka hyrë në fazën vendimtare të numërimit është përmbushja e standarteve europiane dhe ndërkombëtare të zgjedhjeve demokratike, realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si testi kryesor për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. Frank Hantke, Drejtor i Fondacionit Gjerman “Fridrich Ebert” në Tiranë thotë për DW:
“ …Dëshira ime është që të dyja palët të pranojnë rezultatin e pa manipuluar, që pritet të dalë pasnesër, të mërkurën” thotë Z. Hantke.
BE e cilësoi dje refuzimin e dhunës si një nga standartet më të rëndesishme europiane dhe ndërkombëtare dhe Parlamenti Europina theksoi se fati i zgjedhjeve “do të varet nga reagimi i forcave politike ndaj rezultatit”. Në 20 vjet pluralizëm politik dhe demokraci Shqipëria ka dështuar të zhvillojë zgjedhje me rezultat të pakontestuar, gjë që e ka lënë atë pas vendeve të tjera të rajonit si Mali i Zi, Maqedonia, Serbia në procesin e integrimit europian.
Pranimi i rezultatit nga palët duket celësi i këtyre zgjedhjeve. Burime zyrtare nga delegacioni ad hoc i Parlamentit Europian,i ardhur në Shqipëri për zgjedhjet e djeshme parlamentare thanë për DW se kreu i tij, europarlamentari Edurad Kukan do të zhvillojë sot paradite takime me kryeminisatrin Berisha dhe liderin e opozitës Rama.