Libi, protesta përgjaket 31 të vdekur dhe 200 të plagosur

53

tripoli protestTë paktën 31 vetë kanë gjetur vdekjen dhe mbi 200 të tjerë janë plagosur në Tripoli, pasi grupe milicore hapën zjarr ndaj protestuesve që po marshonin drejt selisë së një grupi paraushtarak për të kërkuar largimin e tij nga kryeqyteti libian.

Grupet paraushtarake kanë mbetur në Libi që pas rrëzimit të ish-diktatorit Moammar Gadhafi dhe janë një forcë e fuqishme në këtë vend ku vazhdon kaosi.

Protestuesit marshuan drejt lagjes Gharghour, ku ndodhet selia e një grupi paraushtarak që erdhi në kryeqytet nga qyteti Misrata dhe ka një prani të fuqishme në Tripoli.

Demonstruesit valëvisnin flamuj libianë dhe flamuj të bardhë dhe brohorisnin “Duam ushtri, duam polici” duke iu referuar kërkesave që forca të rregullta ushtarake dhe të rendit të marrin në dorë përgjegjësitë në vend të grupeve paraushtarake.

Fillimisht grupet e armatosura qëlluan në ajër për të trembur turmën. Por kur marshimi po vazhdonte, ata filluan të qëllojnë në drejtim të protestuesve.

Demonstruesit u shpërndanë, por u kthyen më pas të pajisur me armë për të sulmuar kompleksin ku strehohej grupi paraushtarak.

Agjencia e lajmeve Reuters njofton se dhjetëra ushtarë u përpoqën të ndërhyjnë dhe bllokuan rrugët në kryeqytet në përpjekje për të mos lejuar protestues të tjerë t’i bashkoheshin turmës.