Disa mendime mbi qeverisjen dhe opozitarizmin

55

Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetari i PS, Edi Rama, duke hyre ne dreken e shtruar per nder te kryeministrit italian, Romano Prodi, ne Pallatin e Brigadave.Nga Viktor Malaj

Tek shumica e shqiptarëve mbizotëron bindja se është gjë e lehtë të vlerësosh punën e të tjerëve dhe veçanërisht të politikanëve. Personalisht mendoj se vlerësimet dhe mendimet që ne japim për pozitën dhe opozitën vuajnë gjithmonë nga subjektivizmi, që ka për shkak mungesën e njohurive të mjaftueshme, të fakteve dhe të dijeve në fusha të ndryshme të veprimtarisë politike, ose, akoma më keq, pasionet prej tifozësh.

Sipas meje, vështirësia për të qenë objektiv rritet kur kemi të bëjmë me një periudhë të shkurtër kohore. Nuk janë mbushur as dy muaj nga ndërrimi i “kuajve të karrocës politike”. Parë në përgjithësi, do të thosha se pozita aktuale i ngjan më shumë një të sapodiplomuari dhe punësuari që përpiqet të duket se mund të bëjë gjithçka dhe shumë mirë. Ndërsa opozita i ngjan një nxënësi të mbetur në klasë, i cili për këtë “fatkeqësi” e gjen fajin gjithkund, tek mësuesit, prindërit apo shoqëria por asnjëherë tek vetvetja. Kjo sjellje e këtij “nxënësi” të jep të kuptosh se edhe në provimet e tjera do të jetë mbetës dhe do të jetë e largët dita e diplomimit.

Si një nga shqiptarët e shumtë që dëshiron përparimin e vendit, pavarësisht kush e qeveris atë, do të evidentoja disa gjëra të mira që bien në sy por dhe disa gjëra që duhen nisur më mirë dhe më shpejt.

Dallimi më i dukshëm

Ndoshta dallimi më i dukshëm me pushtetin paraardhës është një lloj qytetarie që vihet re në sjelljen e pushtetarëve aktualë. Kishim kaq kohë që ishim mësuar me britma të dala nga shpellat e mendimit mesjetar dhe me sjellje banditësh ordinerë të vëna në skenë nga aktorë dhe regjisorë politikë të veshur me kostume moderne të blera në tregun e mashtrimit bashkëkohor.

Në përgjithësi duket se ekziston një dëshirë qeverisëse për të sjellë disa ndryshime të rëndësishme jo vetëm në jetën, por edhe sjelljen shoqërore të popullit shqiptar. Nevojat e vendit, pritshmëritë e popullit, kaosi i krijuar gjatë këtyre 23 viteve janë të mëdha. Janë një nisje premtuese vënia dorë në disa plagë, si: ndërtimet pa leje dhe jashtë planeve urbanistike; ndotjet e mjedisit; mjediset e shëmtuara të shërbimit mjekësor; lojërat e quajtura gabimisht dhe qëllimisht “të fatit”, por që, në fakt, janë lojërat e shumë fatkeqësive; deri diku problemet e rendit etj., por, përveç që nuk përfshijnë të gjitha plagët, është herët të flasësh për suksese.

Si “mësues”, unë mendoj se notën dhjetë në politikë nuk e meriton askush, as pozita dhe as opozita. Për mua, notën më të lartë deri tani, ndoshta, e meriton politika e jashtme e qeverisë. Dëshiroj dhe uroj që Shqipëria të bëhet sa më parë anëtare e BE, por qeveria shqiptare nuk duhet kurrsesi të bëjë pazare antishqiptare dhe diskredituese në këmbim të votimit të fqinjëve në favor të anëtarësimit me lëshime territoresh, ashtu si bëri qeveria paraardhëse. Shqipëria do të bëhet një ditë anëtare e BE, pavarësisht nëse duan apo jo disa politikanë dhe diplomatë fqinj, bartës modernë të Megalidhesë, të cilët politikën rajonale dhe evropiane e konceptojnë si Bursën e Stoqeve. Do ta konsideroja të turpshme dhe të padenjë për Evropën nëse fatin e pranimit të Shqipërisë në BE do ta përcaktonin ata që për mbi 70 vjet mbajnë në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë, ndërsa e kanë abroguar një ligj të tillë me shtetet që realisht i patën pushtuar, vrarë, djegur e grabitur.

Korrupsioni dhe të tjerat

Përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin duken në rrugën e duhur, por duhet ditur se kjo është një betejë që nuk mbaron kurrë, një betejë me “të tjerët” dhe “me veten”, me të djeshmen dhe me të sotmen, një betejë që më shumë duhet të jetë se sa të duket. Një shtet nuk mund të jetë demokratik, nuk mund të jetë i popullit dhe për popullin, nuk mund të jetë human dhe i moralshëm nëse burgos vjedhësit e kapakëve të pusetave të rrugës dhe nuk dërgon në qeli ata që prej shumë vitesh grabisin pasuritë publike të Shqipërisë. Jo vetëm grabitësit por edhe ata që iu kanë krijuar kushtet dhe i kanë lejuar ta bëjnë këtë. Një shtet nuk mund të jetë ligjor dhe i drejtë nëse penalizon vjedhësit e xhepave dhe lë të lirë ata zyrtarë, qendrorë dhe lokalë, që, çdo vit i shkaktojnë xhepit të përbashkët të shqiptarëve (buxhetit të shtetit) rreth njëqind milion euro dëmtime e shpërdorime. Një shtet nuk mund të jetë “i yni” nëse, me të drejtë, dërgon në gjyq individë që dëmtojnë pyjet, rrugët, ambientin etj. dhe, nga ana tjetër, paguan firma dhe kompani që ndërtojnë keq dhe shumë keq rrugët, shkollat, spitalet apo ambientet kulturore e sportive.

Qeverisja e sotme nuk do të jetë qeverisja e dëshiruar nëse, me të drejtë, do të dërgojë në gjyq disa kryetarë bashkish e komunash që kanë shkelur ligjet e urbanistikës dhe, nga ana tjetër, do të lërë të qetë ish-shtetarët që e kanë pranuar edhe vetë se gjatë 8 viteve të qeverisjes së tyre janë ndërtuar gati njëqind mijë objekte pa leje apo janë bërë ndërtime (qoftë dhe me leje) mbi objekte muzeale dhe arkeologjike. Krimi i shpërdorimit të detyrës kryhet me veprime dhe me mosveprime të qëllimshme.

Qeveria e re ka shumë punë për të bërë dhe ajo duhet të qeverisë për të gjithë shqiptarët, por duhet të fillojë të kujdeset për ato shtresa që më së shumti përfaqëson. Ajo nuk duhet t’i shkelë të drejtat e ligjshme të pakicës së pasur, por duhet të ndihmojë shtresat më në nevojë. Të pasurit nuk kanë shumë nevojë për ndihmë. Po të mos ishin  të zotët e vetes nuk do të kishin atë status ekonomik dhe shoqëror që kanë.

Nuk është herët të fillohet puna (ndoshta edhe ka filluar) për të vënë dorë në problemet e gjakmarrjes, për përcaktimin e saktë të të persekutuarve dhe dëmshpërblimin e tyre sipas premtimit të bërë gjatë fushatës elektorale, rigjallërimin e shërbimit arsimor dhe shëndetësor në zonat më të thella të vendit etj. Kjo qeveri duhet t’i japë fund brenda një viti Turpit Kombëtar të Lazaratit. Gjithashtu, qysh tani duhet të veprojë për të zvogëluar (sepse nuk mund ta eliminojë plotësisht) shkallën e përmbytjeve të përvitshme të zonës Shkodër-Lezhë.

Ajo që më tremb më shumë

Ajo që më tremb më shumë është frika nga puna për t’u dukur, fushatizmi. Shtetasit duhet të jenë të sigurt se nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit në qoftë se shkelin ligjin. Ndëshkimi ligjor duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm, gjë që nuk mund të arrihet nëse nuk punohet seriozisht dhe çdo ditë. Ndoshta një kombinim i energjive të të rinjve me eksperiencën e ” të vjetërve ” dhe ndarja mirë e detyrave sipas dikastereve dhe drejtorive përkatëse do të bënte të mundur një administratë shumë efiçente në përballjen me vështirësitë objektive e subjektive që paraqet realiteti shqiptar.

Opozita?

Nuk më pëlqen të them shumë për opozitën, pasi ende nuk dihet saktë kush është “shoferi” i saj. I zgjedhuri formalisht në krye, zoti L. Basha, pati thënë se “Ne i përkasim shkollës politike të Sali Berishës”. Nëse do të vazhdojë me këtë mendim duhet ta dijë se do të ketë një fund akoma më të turpshëm se themeluesi i shkollës së tij politike. Shkolla politike e Sali Berishës nuk ka pasur kurrë mbështetjen morale të shumicës së shqiptarëve. Dhe, në të ardhmen, nuk ka kurrfarë shansesh të bëhet shumicë morale e shqiptarëve. PD do të mund të rifitojë legjitimitetin e qeverisjes vetëm atëherë kur të drejtohet nga njerëz që nuk kanë lidhje me shkatërrimin e Shqipërisë, me firmat piramidale, me tentativat për bombardimin e popullsisë civile, me djegiet e komisariateve të policisë dhe marrjen e pushtetit me dhunë (shtator 1998), me cenimin e integritetit territorial të vendit, me “humbjen” e 230 milion eurove të rrugës Durrës-Kukës, me teknologjinë e fyerjeve, shpifjeve, kërcënimeve, dhunimeve dhe vrasjeve të kundërshtarëve politikë.

Ata që janë “diplomuar” nga Shkolla Politike e Sali Berishës janë bartësit më të pështirë të kësaj sjelljeje dhe, si të tillë, nuk do të kenë të drejtë morale që t’i kërkojnë popullit shqiptar që të përqafojë moralin e tyre. Ne, që ishim të rinj kur u ndërrua sistemi politik në Shqipëri, besonim se lufta politike do të ishte konkurrencë mendimesh dhe alternativash dhe jo tiradë shpifjesh e fyerjesh dhe sjellje gangsterësh. Nëse bërje opozitë konsiderohet nxjerrja në TV e disa femrave narciste që s’duan t’ia dinë për nivelin e mjerë intelektual dhe paraqitjen banale të atyre që thonë në rolin e zëdhënëses, atëherë është e sigurt që opozita e sotme do të jetë aty ku është edhe në vitin 2025. Unë këtë gjë nuk e dëshiroj.