Shkak i këtij dështimi është bërë kërkesa e Partisë Demokratike për shtyrjen e hetimit duke paraqitur edhe prova të reja për këtë, ku ndër më të rëndësishmet ishte një video, ku sipas Ish-Ministrit të Brendshëm, Deputetit të PD-së, Flamur Noka, shfaqet Drejtori aktual i Policisë së Shtetit, Artan Didi gjatë një aksioni policor. Deputeti i PD-së, Noka akuzoi Kreun aktual të policisë, Didin se gjatë aksionit në fjalë ka shkelur ligjin duke vrarë edhe një të pafajshëm dhe pa asnjë arsye.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i nënkryetarit të Komisionit, Taulant Balla që nëpërmjet një prononcimi për shtyp tha se PD kërkon të baltos figurën e drejtorit të Policisë, por që në të vërtet e lartëson burrërinë e tij.
Sipas Ballës, Didi ka kryer detyrën e tij në atë aksion dhe ka treguar është gati të japë edhe jetën për të mbrojtur vendin e tij. “Didi është plagosur në një aksion për kapjen e disa bandave terroriste dhe video në fjalë dëshmon kurajon e tij, i cili ka ndërhyrë për të shpëtuar disa pasagjerë. Deputetët e Opozitës edhe pse shkelën rregulloren duke përdorur një sallë të kuvendit për interesat e tyre përsëri nuk e shfrytëzuan mirë pasi shfaqën një video ku e lartësuan figurën e drejtorit të Policisë së Shtetit”, theksoi Balla.
Sipas tij provat janë të pavlefshme, për hetimin dhe të dështuar tentativën e PD-së për të baltosur policinë e shtetit, e cila dita ditës po kthehet në një model të ri të ruajtjes së rendit dhe sigurisë.
-Kronologjia e Ngjarjeve në Komisionin Hetimor-
Rreth orës 12:15 minuta Partia Socialiste refuzoi të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të Komisionit Hetimor “Për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit”, i cili pritej të mblidhej në orën 12:00, në kryesinë e Kuvendit.
Deputeti Socialist, Taulant Balla, që mban dhe rolin e Nënkryetarit të Komisionit hetimor, e ka cilësuar opozitën qesharake. Sipas Ballës, Partia Demokratike ishte ajo që ka thirrur komisioni dhe është ajo që nuk po gjen fakte për të përpiluar raportin përfundimtar, duke dështuar në misionin e nisur. Ne kishim programuar që sot të prezantonim raportin përfundimtar dhe ja ku e kemi, ndërsa Deputeti i PD-së, Kryetari i Komisionit, Arben Ristani na bëri të ditur se kishin prova të reja dhe kërkuan shtyrjen e komisionit, çka tregon se ata nuk kanë fakte dhe misioni i tyre për të baltosur Policinë e Shtetit ka dështuar”, tha Balla.
Deputeti i Partisë Socialiste duke folur në emër të anëtarëve të PS-së në Komisioni theksoi se nga hetimet nuk është konstatuar ajo që deputetët e opozitës kërkonin prandaj, sipas Ballës Policia e Shtetit është sot më shumë se kurrë në krye të detyrës dhe për këtë në grupit parlamentar të PS-së ai i uroj punë të mbarë uniformave blu.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i deputetëve të opozitës, të cilët nëpërmjet Arben Ristanit jetësuan qëndrimin e tyre, duke publikuar edhe provat që Partia Demokratike kishte propozuar për ti bërë pjesë të hetimit.
Arben Ristani, Kryetar i Komisionit Hetimor, bëri të ditur se sipas rregullores që kanë komisionet hetimore, çdo anëtar i komisionit kur ka një provë ka të drejtë ta paraqes brenda afateve të punës së komisionit dhe ne, shtori Ristani kemi afat deri më 12 Maj.
Të mbledhur në sallën ku zakonisht bëhen mbledhjet e Komisionit Hetimor, Ristani saktësoi se “mbledhja nuk është zyrtare, pasi nuk kemi kuorumin e nevojshëm për të vijuar normalisht punën, por ne për hir të transparencës duam t’iu njohim me faktet që kemi posedim. Pikësëpari tha Ristani, na ka mbërritur një dokument i vitit 2004, me nënshkrim të Ministrit të asokohe, që i takonte Partisë Socialiste dhe ku ishin hetuar disa prej ish-drejtuesve të policisë së shtetit dhe që sipas dokumentit kanë shkelur ligjin asokohe, ndërsa sot janë ri-pranuar në Polici”, theksoi Ristani.
Më tej në Komisionin Hetimor u transmetua një video, në të cilën tregohej vrasja e një pengu, gjatë një rasti rrëmbimi të një autobusi nga një shqiptar. Në video shfaqeshin forcat e policisë shqiptare, të cilat vranë, shtetasin Flamur Pisilit, i cili në këtë rast ishte thjesht një peng. Ngjarja e pengmarrjes së një autobusi, nga një shqiptar, me pasagjer brenda ndodhi më 28 prill të vitit 1999. Sipas Ristani, personi që drejtonte operacionin e policisë shqiptare ishte vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë sot, Artan Didi.
Deputeti tjetër i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tha se Didi shkeli ligjin dhe duhet të hetohet. “Artan Didi fshihet pas një krimi të rendë, pasi ka qenë pjesë e një operacioni ku u vra një peng, i pafajshëm. “Didi drejtonte operacionin, duke bërë të mundur kështu shkeljen e hapur të ligjit. Ndaj kërkojmë të hetohet kjo ngjarje, video e marrë nga një televizion grek dhe e pa shfaqur më parë. Duam drejtësi edhe për të vrarin”, theksoi gjatë fjalës së tij, ish-Ministri i Brendshëm, Flamur Noka.
Tashmë në rend kronologjik, rreth orës 13:30 Deputeti i PS, Taulant Balla, reagoi lidhur me akuzat e ngritura nga PD, duke i quajtur të pavlefshme për hetimin dhe të dështuar tentativën e PD-së për të baltosur policinë e shtetit, e cila dita ditës po kthehet në një model të ri të ruajtjes së rendit dhe sigurisë.