Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, shpjegoi arsyet se pse ky shërbim iu besua një kompanie ndërkombëtare.
“Në kushtet e presioneve të forta të krizës në ekonomi dhe të rënies së ritmeve të rritjes ekonomike, Qeveria zgjodhi me prioritet evidentimin e borxhit ndaj biznesit vendas dhe të huaj, për shkak edhe të pasojave negative që sjell ky mospagim për aktorë të tjerë të ekonomisë, si dhe potencialisht në kreditim, rritjen ekonomike, kreditë e këqija, punësim, gjendjen financiare, të likuiditetit të biznesit, etj”, – tha Cani.
Që nga 19 tetori, kur u nënshkrua marrëveshja me këtë kompani, ekspertët e saj po kontrollojnë të gjitha pretendimet e sipërmarrjes që kanë pagesa të pashlyera nga buxheti i shtetit. Hapi i parë për të gjitha kompanitë, të cilat pretendonin se kanë kryer punë apo shërbime publike dhe nuk janë paguar, ishte vetëdeklarimi pranë Ministrisë së Financave.
Këto pretendime janë shqyrtuar tashmë nga kompania audituese, e cila pritet të dorëzojë sot këtë raport. Pas certifikimit të këtij procesi, radhën e ka një tjetër hap më i rëndësishëm, ai i verifikimit fizik të këtij borxhi të pretenduar. Ministri Cani, pak ditë më parë tha se pas daljes së rezultateve të auditimit nga kompania “Deloitte”, ministria e Financave do të fillojë kontrollin fizik të të gjithë faturave të pashlyera që pretendon biznesi.
Paraprakisht pretendohet se borxhi që qeveria i ka sipërmarrjes për punime dhe shërbime publike kap vlerën e 400 milionë dollarëve.