Debatet në Kuvend mbi transformimin e transportit publik

56

rama parlamentVendimi i qeverisë për të ndaluar qarkullimin e furgonave ka shkaktuar debate në seancën e sotme plenare.  Opozita e ka cilësuar si të padrejtë vendimin e qeverisë ndërsa kryeministri Edi Ramaka deklaruar se nuk është dhënë asnjë urdhër për të ndaluar furgonat.

Ndërsa u shpreh i prerë se do të ketë transformim të transportit publik, Rama theksoi se nuk do të lejohen më të qarkullojnë mjetet e palicensuara.

“Qeveria nuk do të lejojë më qarkullimin e mjeteve të palicensuara, qeveria do t`u japë kohë për t`u riorganizuar të gjithë atyre që e kanë një licencë të rregullt dhe që do të bëjnë një zgjedhje bazuar në kushtet e tyre nëse do të kalojnë në shërbimin taksi normal apo nëse do të bëjnë shërbimin urban brenda rrethit të përcaktuar nga autoriteti që ka përcaktuar licencën për ta. Dhe së treti qeveria do të ndërmarrë projektin për inovacionin dhe transformimin e gjithë sistemit të transportit tonë publik. Për të bërë të mundur që mos të kemi  autobuza të standarteve europiane vetëm në ato linja të Tiranës që u vunë në kohën kur ju bëtë të njëjtën protestë, të njëjtën rezistencë dhe nga ana tjetër të formalizojmë sektorin. Është sektor i mbytur nga informaliteti, është sektor i mbytur nga konkurrenca e pandershme, është sektor i mbytur nga kthetrat e pamundësisë për t`u zhvilluar. Ne duhet të formalizojmë sektorin dhe do të hapim prespektiva të reja për të gjithë ata që në këtë sektor kanë investuar deri më sot dhe për të gjithë ata që duhet të investojnë në këtë sektor. Dhe nuk kemi shpikje për të bërë por është shumë e thjeshtë dhe normalisht ata që kanë qënë 8 vjet në qeveri dhe nuk e kanë bërë këtë gjë dhe të rrish dhe të pyesësh se si, domethënë i mjeri ky popull kë ka pasur në qeveri dhe fatkeqësisht mjerë ata që besojnë ndryshe nga ne në një rrugë tjetër dhe në krye të kësaj rruge ju kanë ju. Mjerë ata se është rrugë pa rrugë” u shpreh Rama.

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama ka akuzuar opozitën se gjatë 8 viteve që ka qënë në pushtet nuk ka bërë asgjë për transportin publik.

“Kërkoni llogari për atë çfarë rëndom nuk dini se çfarë flisni por edhe kur jeni të vetëdijshëm për atë që kërkoni bëni sikur nuk e dini. Që si rregull keni pasur 8 vjet kohë për ta bërë dhe jo vetëm nuk e keni bërë por ose e keni lënë të degjenerojë në rënie të lirë ose e keni shkatërruar me dorën tuaj.  Dhe rasti i transportit publik është shumë domethënës sepse i tregon fare qartë të gjitha këto bashkë. Në 8 vjet as që e keni çarë kokën ndonjëherë ta ktheni ndonjëherë kokën nga qytetarët që udhëtojnë për ditë nëpër Shqipëri. Nga viti 2005-2013 janë vrarë nëpër rrugët e Shqipërisë vend I zhvilluar 2952 vetë dhe janë plagosur mijëra e mijëra të tjerë. Por ju çfarë keni bërë?  E di përgjigjen rrugë, rrrugë, rrugë. Keni bërë edhe disa shfaqje duke dalë në ato rrugë për të vendosur policët në çdo kilometër” tha Rama

 

Ndërkohë në replikë me kryeministrin, kreu i grupit të PD-së Edi Paloka kërkoi nga kryeministri të përgjigjet se përse nuk i ka paguar të gjitha paratë firmave të ndërtimit të rrugëve.

“Këtij zotërisë nuk duhet t`i jepet fjala si kryeministër pasi ky nuk është kryeministër. Ka kaq kohë që del këtu dhe vazhdon të përdorë në mënyrë bajate fjalë si opozitarë sepse nuk ka çfarë të thotë si kryeministër. Për fat të mirë shoh që ministri i brendshëm që rri si i rrahur sepse dje doli dhe tha se do të bllokojmë në mënyrë imediate  të gjithë furgonat, sot nuk e di nëse reflektuan nga konferenca jonë e shtypit apo reflektuan nga protesta e atyre që do t`i dalin nesër para kryeministrisë kjo pak rëndësi ka. Por rëndësi ka që sot doli dhe përgënjeshtroi atë që tha dje si Edvin Adhamulli. Pse e them këtë? Sepse ndodh që bëhet aksident me furgon dhe dalin dhe thonë do ndalojmë furgonat. Sa për rrugët, ato rrugë po shkoni të vizitoni dhe po pozoni përpara rrugëve që kemi bërë ne ndërkohë që një nga premtimet që bëtë është që do t`i jepni paratë firmat që bëjnë ato rrugë dhe morët edhe një borxh që e votuat këtu në Parlament për t`u kthyer paratë atyre firmave.  Na jepni përgjigje pse janë vetëm 3 miliard nga 21 miliard që duhet tu paguani firmave. Pse nuk ia dhatë të gjitha firmave por vetëm atyre që donit ju. Dhe në fund  meqë është bërë këtu në Parlament që del kryeministri dhe flet vetëm dogma. Shoku Mao ka thënë që bajga është më e vlefshme se dogma se bajga të paktën bëhet pleh.