IMG_5318Gjatë takimit me ministren e Punëve të Jashtme Wallström u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha fushat, duke i dhënë prioritet bashkëpunimit ekonomik. Perspektiva e integrimit të Shqipërisë në BE ishte në qendër të diskutimit të ministrit Bushati me homologen e Wallström. Duke vlerësuar mbështetjen konstante të Suedisë për proceset integruese të Shqipërisë, ministri Bushati parashtroi përpjekjet e Shqipërisë në procesin e reformave dhe përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe. Ai nënvizoi se “hartimi i një kalendari konkret masash për ta çuar vendin drejt hapjes së negociatave për anëtarësim do të ishte një përqasje graduale me efekte pozitive për reformat dhe motivimin e administratës publike ne vend”.
IMG_5305Ministrja Wallström shprehu mbështetjen e mëtejshme të Suedisë për procesin e integrimit evropian të vendit tonë dhe rajonit në tërësi. Ajo vlerësoi masat e marra nga Shqipëria për adresimin e fenomenit të azil-kërkimit dhe inkurajoi për intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi mes institucioneve përkatëse, duke ofruar ndihmën e Suedisë për përballjen me këtë fenomen.
Një vend të veçantë në diskutimet mes dy ministrave zuri situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku ministrja Wallstrom vlerësoi dhe inkurajoi rolin e Shqipërisë, si faktor i qëndrueshëm stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal.
IMG_5255Duke u ndalur tek rëndësia e Procesit të Berlinit dhe përgatitjet për Konferencën e Vjenës, ministri Bushati theksoi se Shqipëria mbështet projektet rajonale të përbashkëta, zbatimi i të cilave do ta sjellë rajonin më pranë BE-së, si dhe ftoi kompanitë suedeze të marrin pjesë në zbatimin e këtyre projekteve. Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet më të fundit në Maqedoni, situatën në Ballkanin Perëndimor si edhe çështje të tjera si bashkëpunimi shumëpalësh dhe sfidat e sigurisë globale.
Ministri Bushati zhvilloi një takimi me Kryetarin e Parlamentit suedez, Urban Ahlin, i cili konfirmoi rëndësinë dhe vëmendjen që Suedia i kushton Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në takim u theksua se Suedia në tërësi dhe Parlamenti suedez në veçanti mbështesin vazhdimisht zgjerimin e Bashkimit Evropian si dhe u shkëmbyen mendime mbi zhvillimet e fundit në rajon dhe sfidat globale.
IMG_5253Gjatë takimit me ministren për Bashkëpunimin për Zhvillim Ndërkombëtar, Isabella Lövin, si dhe me Drejtoren e Përgjithshme të Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA), Cecilia Björner, ministri Bushati vlerësoi lart kontributin që Suedia ka dhënë dhe jep për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit, në kuadër të Strategjisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim 2014-2020. Ministri Bushati falënderoi për kontributin suedez në tërësi dhe për asistencën suedeze për reformën territoriale-administrative në veçanti. Duke u ndalur hollësisht në strategjinë shtatëvjeçare 2014-2020, bashkëbiseduesit vlerësuan faktin që kjo strategji e vendos theksin në mbështetjen e procesit të integrimit në BE të Shqipërisë. Në këtë kontekst, u mirëprit fakti që në aktivitetet e SIDA-s për Shqipërinë është shtuar një komponent lidhur me thellimin e integrimit ekonomik të vendit tonë në Bashkimin Evropian, si dhe janë fuqizuar komponentë të tillë si qeverisja demokratike dhe të drejtat e njeriut, mjedisi dhe klima, zhvillimi ekonomik, integrimi, dhe SME.