Thaçi: Shqipëria e Maqedonia pro marveshjes me Serbinë

Presidenti Hashim Thaçi ndodhet në një konferencë për median. Flet pas vizitave në Maqedoni, Mali i Zi dhe Shqipëri.

Hashim Thaci: “Edhe Shqipëria e Mali i Zi e Maqedonia mbështesin dialogun dhe do ta mirëpresin një marrëveshje paqësore në interes të dy vendeve me frymë e substancë europiane dhe që sjell paqe e stabilitet në rajonin tonë. Askush nuk është i shqetësuar se marrëveshja Kosovë-Serbi mund të ketë ndikim në rajon. Marrëveshja do ta ruajë substancën dhe karakterin multietnik.

Kosova mund të arrijë një marrëveshje të tillë vetëm kur të bindet se është në interes të së ardhmes dhe ka pajtueshmëri të plotë e SHBA e BE. Prandaj theksoj se marrëveshja është në interes të Kosovës nëse arrihet dhe të gjithë fqinjët do të ndihen komod dhe të pashqetësuar fare”

Hashim Thaci: “Nuk mund të ketë njohje reciproke pa përmbylljen e këtij procesi. Korigjimi i kufirit është i mundshëm dhe i siguron Kosovës njohjen direkte dhe automatike nga Serbia dhe bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën. Njohja reciproke nënkupton dhe heqjen e vetos ruse në OKB dhe anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Basha: Nga nesër fakte që implikojnë qeverinvë me krimin e organizuar

Kreu i PD, Lulzim Basha paralajmëroi se duke nisur nga dita e nesërme do të publikojë fakte tronditëse si Rama dhe Xhafaj kanë përdorur pushtetin politik për të ndihmuar bandat e krimit të organizuar për të shtënë në dorë lojërat e fatit.

Basha: Sot Kuvendi, foleja e krimit do të hedhë poshtë dekretin e presidentit që kthen pas një nga aktet më korruptive të Edi Ramës, ligjin fiskal për lojërat e fatit. 23% paguajnë bizneset e ndershme nga taska progresive, frymëmarrëse dhe i detyron të mbyllin dyert 45 biznese në ditë. Por për lojërat e fatit taksa e ulët 15%. Ju kujtohet si erdhën me tam tame të mëdha dhe thanë do të mbyllim lojërat e fatit. Shikni shifrat, kanë shkuar nga 928 në 4200 pika për lojëra fati. Pse?! Përgjigjia është e thjeshtë. Pyesni Agron Xhafën, pyesni Olsi Ramën dhe nëse nuk i gjeni dot, pyesni vëllezërit e tyre, kryeministrin e Shqipërisë dhe ministrin e Brendshëm. Duke nisur që nesër PD do të publikojë fakte tronditëse, që tregojnë sesi Rama dhe Fatmir Xhafaj kanë përdorur pushtetin politik për të ndihmuar bandat e krimit të organizuar për të shtënë në dorë lojërat e fatit dhe për ti përdorur ato për aktivitetin kriminal, që nuk është më mbjellja e kanabist, ndonëse vazhdon. Por është pastrimi i parave të pista të kokainës, heroinës dhe aferave korruptive të Ramës dhe bandës së hajdutëve të tij në qeveri.

Forcat Speciale në Fier, në pranga disa persona

FNSH zbarkon dhe në Fier. Pas Shkodrës dhe Krujës, Forcat Speciale kanë shkuar në Fier për të bashkëpunuar me policinë e Fierit për të ndërmarrë kontrolle për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo që tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike.

Si rezultat i operacionit të koduar “Porosia e fundit”, u arrestua në flagrancë Edi Subashi, 27 vjeç, banues në Fier.

“Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij tip “Ford”, në çantën e shpinës ju gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8 doza me lëndë narkotike e dyshuar Kokainë.

Gjithashtu gjatë kontrollit të banesës ju gjetën edhe 25 doza të tjera të dyshuara Kokainë dhe disa doza me lëndë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa.”

Në cilësinë e provës materiale ju sekuestrua lënda narkotike, një peshore elektronike e cila shërbente për ndarjen lëndës narkotike në doza, automjeti autoveturë, tre aparate celular, 450 euro dhe 470 mijë lekë.

Gjithashtu nga kontrollet e ushtruar në rrugë të ndryshme të qytetit të Fierit, nga Specialistët për Hetimin e Krimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi:

Fatmir Hoxha, 48 vjec, banues në Fier.

Nga kontrolli që iu bë këtij shtetasi ju gjetë e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë e ftohtë(shufër metalike), në formën e shkopit të gomës.

Po në kuadër të këtyre kontrolleve, filloi procedimi penal për shtetasin A.Z, 38 vjeç, banues në Fier.

Gjatë kontrollit të një lokali në Fier, u ushtrua kontroll fizik personave që ndodheshin në lokal dhe këtij shtetasi ju gjetë një sasi lënde narkotike e dyshuar Cannabis Sativa.

Po ashtu, nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim Petrit Halimi, 27 vjec, banues në Mallakastër.

Ndalimi këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier e ka dënuar me 6 muaj burgim për veprën penale “Shkatërrim i pronës” parashikuar nga Neni 150 i Kodit Penal.

Ministri italian: Do mbështesim Shqipërinë për reformën në drejtësi

Italia është e gatshme të dërgojë ekspertë për të mbështetur dhe asistuar në zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo është bërë e ditur nga vetë ministri i Drejtësisë në Itali Alfonso Bonafede, i cili gjatë një takimi me ministren shqiptare Etilda Gjonaj në Romë vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë thuhehet se dy zyrtarët e lartë konfirmuan bashkëpunimin në fushën e drejtësisë midis Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar se ky bashkëpunim do të forcohet më tej, si pjesë e marrëdhënieve të forta që ekzistojnë midis dy vendeve.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, masat kundër korrupsionit si dhe bashkëpunimi në fushën e sistemit penitenciar kanë qenë temat kryesore të diskutimit midis dy ministrave”, thuhet në njoftim.

Pasi kanë shprehur vlerësimet e tyre për bashkëpunimin midis dy qeverive, ministrat janë dakordësuar për zbatimin e një plani të përbashkët masash në kuadër të zbatimit të marrëveshjes dypalëshe të nënshkruar në fund të vitit 2017.

Për këtë qëllim javën e ardhshme do të nisin nga puna në Tiranë ekipet e përbashkëta të ekspertëve të të dyja ministrive respektive.

“Zbatimi i plotë i Reformës në Drejtësi, që tashmë po jep rezultatet e para, reforma në sistemin penitenciar, drejtësia për të miturit dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit, janë shtyllat kryesore të bashkëpunimit bilateral, të parashikuar në marrëveshjen kuadër midis dy ministrive”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë.

Ministri italian ka shprehur dëshirën për të vizituar edhe personalisht Shqipërinë, në vijim të kontakteve institucionale.

Vizita dy ditore e ministres së Drejtësisë dhe Prokurores së Përgjithshme në Itali u organizua nga misioni i asistencës së Bashkimit Europian PAMECA 5, në kuadër të mbështetjes që ky mision u ofron institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.

Programi i seancës së sotme parlamentare, tatimi mbi të ardhurat dhe dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politik

Në seancën e sotme parlamentare pritet të diskutohet dekreti i Presidentit për kthimin për rishqyrtim të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, ku pas diskutimit do të bëhet edhe votimi.

Po ashtu një tjetër projektligj është ai i dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politik të regjimit komunist.

Ndërkohë të mbartura për votim janë ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë dhe pr/ligji për një ndryshim dhe shtesë në Kodin Rrugor të Republikës.

Këto dy pr/ligj kërkojnë një shumicë prej 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Ndërsa opozita ashtu si dy javet e kaluar këtë herë ka zgjedhur qytetin e Durrësit ku do të zhvillojë mbledhjen.

Sanksionet e BE-së, Ministria e Jashtme e Polonisë i del në krahë Hungarisë

Polonia, vendi më i madh ish-komunist në Bashkimin Europian tha se do të kundërshtojë çdo sanksion të imponuar nga blloku ndaj Hungarisë, një vendim i cili u mor ditën e djeshme nga Parlamenti Europian.

“Çdo vend ka të drejtën e vet sovrane për të bërë reforma të brendshme që i konsideron të përshtatshme”, tha ministria e Jashtme e Polonisë në një deklaratë mbrëmjen e të mërkurës.

“Veprimet e synuara kundër shteteve anëtare shërbejnë vetëm për thellimin e ndarjeve në BE, duke rritur mungesën aktuale të besimit të qytetarëve ndaj institucioneve evropiane”, thuhet më tej në deklaratë.

Parlamenti Europian votoi të mërkurën për të vendosur sanksione ndaj Hungarinë për shkak të shkeljeve të përsëritura të normave të shtetit ligjor.

Që nga fillimi i pushtetit në vitin 2010, kryeministri hungarez Viktor Orban, dikur një luftëtar kundër sundimtarëve komunistë të Bashkimit Sovjetik të Hungarisë, ka përdorur shumicën e tij parlamentare për të ushtruar presion mbi gjykatat, mediat dhe grupet joqeveritare dhe ka refuzuar të marrë azilkërkuesit që vijnë në Evropë.

Kaliforni, vret 4 persona e në fund veten

Një person i armatosur ka vrarë pesë persona dhe më pas ka qëlluar për vdekje veten e tij. Ngjarja ka ndodhur në Bejkërsfilld të Kalifornisë.

Siç raportojnë mediat amerikane, ky person së bashku me gruan e tij, shkoi në një biznes kamionësh ku vrau dy burra dhe gruan e tij. Vrasësi pastaj u fut në një vendbanim tjetër, ku vrau dy njerëz të tjerë.

Pasi rrëmbeu një automjet që kishte brenda një grua dhe një fëmijë, burri u përball me një polic dhe vrau veten.

Policia ende po heton motivet pas vrasjeve.

Salijanji për vettingun e politikanëve: Vendosim pas votimit të qeverisë

PD ka depozituar në Kuvend, pr/ligjin për vettingun e politikanëve, por ende nuk dihet se kush janë organet që do ta bëjnë këtë proces. Deputeti i PD, Ervin Salianji në përfundim të mbledhjes së grupeve të punës, PD-LSI tha se kryesorja është që qeveria të shprehet nëse do ta votojë apo jo këtë pr.ligj. Pas votimit, tha ai do të shpalosen të gjitha hapet e mëtejshme. Ai hodhi poshtë zërat se ky proces pengon punën e drejtësisë.

Ervin Salianji: Propaganda që bëhet nga PS dhe Rama është që t’i shmengen vettingut të politikanëve. Vettingu është një proces paralel që ecen nga drejtësia. Nuk e shmang vettingu i politikanëve hetimin nga drejtëisa, përkundrazi e ndihmon dhe largon personat e inkriminuar. Edhe sot nuk ndalohet që Spaku të hetojë familjarë të politikanëve, e pengon vetëm vullneti politik i kryeministrit.

Ne jemi duke e detajuar të gjithë platformën për largimin e personave të inkriminuar. Rama nuk e do vettingun dhe refuzon të votojë propozimin tonë të depozituar në Kuvend. Ne mund të gjejmë çdo hapësirë procedurluiale për ta kaluar sa më shpejt në komisionet kuvendore apo dhe në seancë parlamentare për ta votuar thjeshtë, po ose jo!

Gazetari: Kush janë instituicionet që do bëjnë vettingun e politikanëve?

Ervin Salianji: Të gjitha do të parashikohen hap pas hapi, sot ka një diskutimn nëse do apo nuk do. Nëse PS dhe qeveria refuzon vettingun nuk mund të diskutojmë për teknikalitete të cilat janë të parakohshme.

Ne i kemi përcaktuar të gjithë dhe i kemi sqaruar në pr/ligjin e depozituar në Kuvend. Hapet rruga për ndryshimet kushtetuese dhe të gjitha të tjerat do të pasqyrohen hap pas hapi.

Gazetari: Ju nuk keni besim te DSIK dhe SHKB, kush do ta bëjë verifikimin e pasurise?

Ervin Salianji: Ne kemi depozituar një projektligj, që parashikon të gjitha ndryshimet e nevojshme kushtetutese

Gazetari: Projektligji nuk e ka këtë, nuk parashikon ndryshimet kushtetuese

Ervin Salianji: Çdo teknikalitet është jo në shërbim të publikut. I gjithë procesi i vettingut do të nisë nga drejtuesit e institucioneve publike. Nëse flasim për vettingun e politikanëve qëndrojmë këtu. Nëse ne nuk kemi besim, dhe pavarësisht mungesës së besimit po e paraqesim… Ne edhe sot nuk kemi besim tek këto institucione. Mekanizmi është i parashikuar në ndryshimet kushtetuese.

Gazetari: Nuk është i parashikuar…

Ervin Salianji: Hap pas hapi do të shpalosim të gjitha. Vendimi i jonë i sotëm është që do të pranojmë apo diskutojmë cdo lloj hapi për të përshpejtuar votimin në kuvend. Nuk ka negociata, ka vetëm votim. PO ose JO. Nëse votohet do të shpalosen të gjitha procedurat e tjera.

Tsapiras nga Brukseli: Dialog të vazhdueshëm me Shqipërinë

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras ka mbajtur një fjalim në Parlamentin Europian për të ardhmen e unionit. Gjatë fjalës së tij ai ka thënë se zhbllokojmë integrimin europian të fqinjeve tanë.

Tsipras: “Zhbllokojme integrimin europian te fqinjeve tane, me marreveshjen e Prespes, dhe dialogun e vazhdueshem me Shqiperine”.

Kreu i qeverisë greke tha se marrëveshja për emrin e Maqedonisë është një model se si mund të zgjidhen mosmarrvëshjet në rajonin tonë.

Mungesa e Prokurorit shtyn seancën ndaj Emiljano Shullazit

Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë sërish seancën gjyqësore për Emiljano Shullazin dhe bashkëpunëtorët e tij,

Seanca është shtyrë me kërkesë të Prokurorit të çështjes Besim Hajdarmataj, pasi nuk ishin të pranishme dy prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Eneid Nakuçi.

Imeraj ishte komanduar në një tjetër çështje ndërsa Nakuci ishte justifikuar pasi kishte me probleme shëndetësore.

Asnjë prej të akuzuarve nuk ishte prezent në seancë, ndërsa pala mbrojtëse kërkoi dorëheqjen e prokurorit Hajdarmataj nga çështja.

Gjatë diskutimeve në seancë Prokurori Hajdarmataj ka thënë se nuk ka asnjë arsye pse duhet të japë dorëheqjen, ndërsa mbrojtja i tha se ka takuar dëshmitarët.

Seanca e radhës për Emiljano Shullazin dhe bashkëpunëtorët e tij do të mbahet më 25 shtator