Vuçiç: Vizita e Thaçit në liqenin e Ujmani për të destabilizuar Serbinë

10

“Për herë të tretë që nga 26 marsi, paqja është rrezikuar në një mënyrë absolutisht të papërshtatshme”. Kështu u shpreh Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç gjatë një konferencë të jashtëzakonshme, që erdhi pak orë pas vizitës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në liqenin e Ujmanit në veri të vendit.

Sipas tij, Kosova po e bën një gjë të tillë për të destabilizuar Serbinë dhe serbët atje.

Vuçiç ka vlerësuar se kjo sjellje e autoriteteve nga Kosova po bëhet pa të drejtë dhe në kundërshtim me marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Sot ata ishin gjatë gjithë ditës në veri për të bërë një shëtitje të thjeshtë, kanë pirë kafe dhe u kthyen sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Ata nuk po i respektojnë marrëveshjet e Brukselit dhe për më tepër e kanë mbështetjen e ndërkombëtarëve. Në operacion u përfshinë qindra pjesëtarë të njësisë ROSU, të gjithë të armatosur me armë”, ka thënë Vuçiç, duke shtuar se politikanët kosovarë nuk kanë cka të kërkojnë në veri.

“Shqiptarët e armatosur në veri të Kosovës, sipas marrëveshjes që kemi arritur, mund të shfaqen vetëm me përmbushjen e dy kushteve: me miratimin e NATO-s dhe me pëlqimin e plotë të komunitetit serb. Ata nuk kanë asgjë për të kërkuar në veri të Kosovës”, tha Vuçiç.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç , pranoi se gjatë ditës urdhëroi Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Milan Mojsiloviç të vërë të gjithë ushtrinë serbe në gjendjen e gatishmërisë më të lartë luftarake.