Sipas raportimit të ‘Koha Ditore’, Shefi i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle shkon nesër për vizitë dy ditore në Beograd dhe Prishtinë për t’i bindur të dyja palët për domosdoshmërinë e zbatimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm të Marrëveshjes së Brukselit.
Ministria e Jashtme Gjermane ka bërë të ditur se tani është momenti i zbatimit te planit, për të cilën Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, ka ftuar dy kryeministrat në Bruksel më 21 maj.
Duke theksuar se vizita e Westerwelles bëhet në marrëveshje me Ashton, MPJ-ja shton se shefi i diplomacisë gjermane me bashkëbiseduesit në Beograd dhe Prishtinë dëshiron t’i kontribuojë suksesit të përpjekjeve të saj.
Krahas konstatimit që Gjermania mbështet shtetet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së, MPJ vlerëson se “duhet të zgjidhen akoma konfliktet e pazgjidhura, para së gjithash ai ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
Implementimi i kësaj marrëveshje, shikohet si kusht për përafrim të mëtejshëm të Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së.
Westerwelle arrin në Beograd të dielën më 19 maj, ku do të takohet me krerët serbë, Nikoliq, Daçiq, Vuçiq dhe Mërkiq, kurse të hënë do të qëndrojë për vizitë njëditëshe edhe në Prishtinë, ku do të ketë takime me kryeministrin Thaçi dhe homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj, thuhet në njoftimin e MPJ-së në Berlin.
Trëndafila dhe flutra, dragoj dhe gjarpërinj: gjithçka mund të kthehet në një tatuazh. Por çfarë ndodh nëse ky tatuazh nuk të pëlqen më? Lazeri u vjen në ndihmë të gjithë atyre që e kanë këtë problem.
Kur ajo bëri tatuazhin e parë ishte vetëm 17 vjeç. Në atë kohë Sue kishte nevojë për lejen e prindërve për të bërë tatuazh një dragua në pjesën e sipërme të krahut. Sot ajo është 29 vjeç dhe dëshiron të mos e ketë më tatuazhin në trupin e saj. Sue është e sigurtë: tatuazhi dragua i ka mbushur ditët. “Do të thoja se nuk është e lehtë për mua, por nuk pendohem që e kam mbajtur në trupin tim e nuk pendohem që po e heq.”
Sipas statistikave janë rreth 12 milionë gjermanë që kanë një tatuazh e gjysma e tyre kanë më shumë se një të tillë. Art nga koka tek këmbët. Një tatuazh i mirë kërkon një tatuator profesionist dhe natyrisht cilësi në ngjyra. Deri në vitin 2009 mund të përdoreshin substanca të llojeve të ndryshme, madje edhe boja e makinave, çka është shumë e dëmshme për trupin e njeriut. Tani lejohen vetëm ngjyrat që janë të sigurta edhe pse në të vërtetë nuk dihet me siguri nëse janë apo jo tërësisht të sigurta. Në Gjermani janë 7000 studio tatuazhesh të regjistruara. Edhe tek tatuatorët profesionistë dhe të mirë ka rrezik. “Në fund të fundit tatuazhi është një dëmtim i lëkurës. Në lëkurë futet bojë. Gjilpëra dëmton lëkurën dhe sjell probleme të tjera më pas”, thotë dermatologia Marina Scheler.
Rritet numri i atyre që duan t’i heqin tatuazhet
Rreth 40 përqind është rritur numri i atyre që nuk ndihen mirë me tatuazhet e tyre. Pjesa më e madhe janë femra të moshës 25-30 vjeç. Një nga arsyet kryesore është se personaliteti i tyre ka ndryshuar dhe tatuazhi nuk është më i përshtashëm. “Por ka edhe shumë pacientë që vijnë sepse tatuazhi nuk është bërë mirë. Ka edhe nga ata që pëlqejnë tatuazhet, por u është bërë gabim shpimi me gjilpërë”, thotë Scheler. Shumë vetë gabohen kur mendojnë se “do të bëj pesë seanca me lazer dhe tatuazhi do të zhduket”.
Trajtimi mund të marrë shumë kohë. “Tatuazhet profesionale duan të paktën pesë deri në shtatë seanca.” Nga seanca në seancë duhet të kalojnë katër javë, çka do të thotë se trajtimi mund të zgjasë disa muaj. Edhe kostot e trajtimit në këtë mënyrë janë të larta. Me një mesatare prej 200 eurosh për çdo senacë, duket qartë se çmimi për të hequr tatuazhin është shumë herë më i lartë se çmimi i bërjes së tij.
Lazeri është zgjidhja
Shumë pacientë mendojnë se trajtimi me lazer është shumë i dhimbshëm dhe nuk preferojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Disa të tjerë thonë se dhimbja është e njëjtë me atë të bërjes së tatuazhit dhe me një anaestezi lokale mund të kalohet gjithçka. Efekt anësor mund të jetë ekzema dhe zona e lëkurës, ku është bërë trajitmi kërkon disa muaj derisa të riparohet tërësisht.
Në një tatuazh të bërë në mënyrën e duhur pigmenti ndodhet në pjesën e mesme e lëkurës dhe mund të hiqet me anë të lazerit. Boja merr energji nga rrezet lazer dhe më pas me anë të sistemit limfatik transportohet në sipërfaqen e lëkurës. Por ende nuk dihet nëse boja me lazer mund të jetë e rrezikshme dhe kancerogjene për lëkurën e njeriut.
Jo gjithmonë është e lehtë të heqësh një tatuazh
Nëse një tatuazh mund të hiqet relativisht lehtë ose tërësisht me anë të rrezeve lazer kjo varet edhe nga ngjyrat që janë përdorur. “Për ne duhet që rrezja të përthithet gjithmonë nga ngjyra. Me të verdhën nuk funksionon, gjithashtu edhe me blunë e ndritshme dhe jeshilen kemi shumë vështirësi.” E zeza klasike që përdoret më së shumti në përgjithësi është e lehtë për t‘u hequr. Mbi të gjithë problematikë janë tautazhet fosforeshentë. Gjatë ditës ata pothuajse janë të padukshëm, por në ambjentet e diskove me dritë të errët ata janë shumë të ndritshëm. Për të bërë tatuazhe përdoren gjithnjë e më shumë ngjyra speciale dhe ky është problemi. “Nuk ka asnjë lazer që t‘i fshijë këto ngjyra. Ato mund të hiqen vetëm në mënyrë fizike”, thotë Scheler. Në rastin më të keq do të bëhet transplant lëkure, por sërish do të mbetet shenjë./dw/
Raportuesi i Këshillit të Europës për Shqipërinë, Jonathan Evans, thotë se partitë politike kanë përgjegjësi për të garantuar që KQZ-ja të kryejë funksionet në mënyrë të pavarur.
Të gjitha partitë politike në Shqipëri kanë përgjegjësi për të punuar në një mënyrë që garanton një funksionim të pavarur të KQZ-së. Kështu u shpreh raportuesi i Këshillit të Europës për Shqipërinë Jonathan Evans, sipas të cilit kampet politike në vend duhet të sigurojnë që rezultatet e zgjedhjeve të jenë të lira, të drejta dhe të pranueshme. Në një intervistë me kolegun Julian Zyla, anëtari i parlamentit britanik theksoi se zgjedhjet e 23 Qershorit do të jenë vendimtare për përfundimin ose jo të procedurës së monitorimit të Këshillit Europian si dhe për ecurinë e integrimit të Shqipërisë në BE.
Zëri i Amerikës: Një javë pas vizitës tuaj në Shqipëri ju raportuat në Komitetin Monitorues të Këshillit në Strasburg në lidhje me përgatitjet në Shqipëri për zgjedhjet e 23 Qershorit si dhe në lidhje me ecurinë e përgjithshme të vendit për respektimin e detyrimeve ndaj Këshillit të Europës. Çfarë mund të na tregoni në lidhje me raportimin tuaj për ato që ju konstatuat në Shqipëri?
Jonathan Evans: Vështirësia kryesore është fakti që bisedat tona në Komitetin Monitorues në këtë fazë nuk janë publike. Takimet tona zhvillohen me dyer të mbyllura. Por mendoj se mund të përshkruaj paksa kontekstin e vizitës sime, duke sjellë në këtë mënyrë dhe kontekstin e asaj që ndodhi në takimin e Komitetit Monitorues. Siç e dini, Këshilli i Europës ka përgjegjësi të monitorojë arritjet nga ana e shteteve të standarteve të demokracisë parlamentare, zgjedhjeve apo të të drejtave të njeriut. Që nga muaji janar, unë jam caktuar nga Komiteti Monitorues si raportues për Shqipërinë. Ne gjendemi pranë zgjedhjeve të 23 Qershorit, prandaj qëllimi i vizitës sime në Shqipëri ishte të shihja se çfarë hapash po ndërmerreshin për t’u përgatitur për ato zgjedhje, dhe pas mbajtjes së zgjedhjeve duhet të përgatis një raport rreth ecurisë së tyre. Prandaj është tepër herët që unë të mund të them se cilat ishin mbresat e mia apo se çfarë mund të duhet të ndryshohet. Mesazhi ynë për partitë politike në Shqipëri ishte që vizita jonë përkoi me trazira politike të rëndësishme, për shkak të ndryshimeve të bëra në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ishte zhgënjyese që ndryshimet ndodhën në atë kohë, pasi takimi ynë i parë ishte me vetë KQZ-në. Ishim në gjendje të zhvillonim një takim me kryetaren e Komisionit dhe duket se pati një ndryshim në përbërjen e KQZ-së edhe gjatë vazhdimit të vizitës sonë. Ne dëgjuam disa opinione lidhur me faktin nëse kjo do të ketë ose jo pasoja në besueshmërinë me të cilën do të zhvillohet procesi i zgjedhjeve. Mendoj së dihet gjerësisht që vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një rol themelor në garantimin e mbajtjes së zgjedhjeve të drejta. Prandaj të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për të punuar në një mënyrë që garanton faktin që KQZ-ja të kryejë funksionet e saj në mënyrë pavarur dhe që rezultatet e zgjedhjeve, kur të vijë momenti, të jenë të lira, të drejta dhe të pranueshme nga populli. Unë e di që ka persona që kanë shprehur gjykimin e tyre nëse këto ndryshime duhet të kishin ndodhur dhe nëse duhet të bëhen vërejtje ndaj partive politike, duke sugjeruar se çfarë duhet të bëjnë partitë, por nuk na takon ne të bëjmë sugjerime të tilla.
Zëri i Amerikës: Në misionin tuaj në Tiranë duket se një peshe jo të vogël pati çështja e zgjedhjeve. Cili është vlerësimi juaj për situatën parazgjedhore në Shqipëri?
Jonathan Evans: Ajo që ne do të donim është që partitë politike të na shprehnin besim tek fakti që ato do të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve. Ky është një mesazh që u kemi dhënë të gjitha partive politike me të cilat u takuam. Secila nga partitë politike na la të kuptonim se ato duan të jenë në gjendje të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, por, siç e dini dhe ju, disa prej tyre kanë shprehur rezerva në lidhje me këtë besim për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ju thatë se donit mendimin tim, mendimi im është se partitë politike duhet ta zgjidhin këtë problem. Por unë nuk mund të shprehem nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme deri në kohën që ato të jenë zhvilluar.
Zëri i Amerikës: Sa problematike e shihni krizën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve?
Jonathan Evans: Mendoj se kriza e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka të bëjë pikërisht me çështjen thelbësore të pranimit ose jo të rezultatit nga ana e partive politike. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos duke pasur parasysh historinë në Shqipëri. Siç e dini, pas zgjedhjeve të fundit, një nga partitë politike kryesore refuzoi të zinte vendet e saj në parlament, për shkak të mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve. Duhet thënë gjithashtu se këto janë zgjedhje të një rëndësie vendimtare për Shqipërinë, sa i përket të ardhmes së saj europiane. Ne e dimë tashmë se opinioni publik në Shqipëri e mbështet shumë fuqimisht statusin e kandidatit për vendin. Të gjitha partitë politike duket se shohin një të ardhme europiane për Shqipërinë dhe ky është mesazhi që na dha secila prej tyre. Por nuk është rastësi që përfaqësues të lartë ndërkombëtarë kanë vizituar Shqipërinë kohët e fundit, që nga Komisioneri i BE-së për Zgjerim Stefan Fule, apo njerëz të rëndësishëm të Departamentit të Shtetit si drejtori për rajonin Moore si dhe zoti Reeker. Dhe mendoj se të gjithë ata janë duke dhënë të njëjtin mesazh që do të jepnim dhe ne; pra, që të sigurohet që të gjithë mekanizmat e nevojshëm të jenë efektivë, për të mundësuar zgjedhje rezultatin e të cilave të mund ta pranojnë të gjithë.
Zëri i Amerikës: Sa ndikim do ketë vlerësimi për zgjedhjet në vazhdimin ose jo të procedurës monitoruese nga ana e Këshillit të Europës?
Jonathan Evans: Mendoj se është diçka shumë themelore që ky të jetë një proces i pranueshëm, një proces që përmbush standardet ndërkombëtare dhe standardet që ne kemi në Këshillin e Europës për mbajtjen e zgjedhjeve. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për vazhdimin ose jo të procedurës së monitorimit nga ana e Këshillit të Europës, por edhe për faktin nëse Shqipëria do të përparojë më tej në udhëtimin e saj drejt statusit të vendit kandidat të BE-së. Këtë e ka bërë të qartë dhe vetë Komisioni Europian. Në përfundim të takimit tim në Tiranë, pata mundësi të thoja para mediave në Shqipëri që nëse ne gjykojmë që këto zgjedhje nuk përmbushin standardet ndërkombëtare, është e pakonceptueshme që udhëtimi drejt statusit të vendit kandidat në BE të mund të përparojë dukshëm, gjatë 3 apo 4 viteve të ardhshme.
Zëri i Amerikës: Në Tiranë ju thatë se prisni përparim në luftën kundër korrupsionit. Si e vlerësoni situatën e tanishme të këtij fenomeni në Shqipëri?
Jonathan Evans: Nuk do të bëj një raportim në lidhje me shqetësimet që na u paraqitën gjatë vizitës sonë, por në të njëjtën kohë mund të them që kemi pasur takime me udhëheqës të të gjitha partive politike, kemi pasur takime me ambasadorë të disa shteteve me rëndësi të pranishme në Shqipëri, si dhe me përfaqësues të lartë të shoqërisë civile. Duhet thënë që në Shqipëri ka patur përparim të rëndësishëm në aspektin e përmirësimit të disa prej këtyre çështjeve, por nuk kemi të bëjmë me një situatë në të cilën mund të themi se tani gjithçka ka përfunduar. Ky është një udhëtim që duhet të vazhdojë, dhe kjo është arsyeja pse ne menduam se ishte e përshtatshme të shtonim atë pjesë në deklaratën tonë, gjatë vizitës sime në Shqipëri.
Zëri i Amerikës: Një nga çështjet që ju keni ngritur, por që shtrohet në të gjitha raportet ndërkombëtare për Shqipërinë, është pavarësia e gjyqësorit. Sa shqetësuese e konsideroni gjendjen në të cilën ndodhet sistemi gjyqësor shqiptar?
Jonathan Evans: Ajo që diskutuam me anëtarët kryesorë të parlamentit, ka të bëjë me përparimin që mund të bëhet, por mendoj se duhet thënë gjithashtu që unë pata një takim me Ministrin e Drejtësisë, gjatë të cilit ai na përshkroi disa ndryshime të rëndësishme që janë bërë. Nuk mendoj se në Këshillin e Europës ne duam të dukemi sikur nënvizojmë gjithmonë anët negative. Ne i dimë disa nga gjërat negative që kanë ndodhur në të kaluarën në Shqipëri, ne i dimë gjërat negative që ka pasur në lidhje me zgjedhjet, si dhe në lidhje me emërimin e anëtarëve të gjyqësorit. Megjithatë, në të njëjtën kohë, mendoj se mund të themi që ka patur përparim të rëndësishëm në këtë fushë. Natyrisht, tashmë i dimë aspektet në të cilat vetë Bashkimi Europian ka kërkuar që të miratohen ligje, të cilat do të shtonin besimin në lidhje me disa prej këtyre emërimeve publike. Nga diskutimet që patëm me partitë politike, na u krijua përshtypja se në disa prej këtyre fushave palët janë gjerësisht dakord, por megjithatë gjatë 12 muajve të fundit duket të jetë bërë më pak përparim nga sa ne do të kishim dashur të shihnim sa i përket zbatimit. Ndoshta kjo po pengohet nga fakti që zgjedhjet e 23 qershorit po afrojnë, por unë mendoj se kjo është një qasje që nuk merr parasysh aspektet afatgjata. Dhe në qoftë se kemi qëndrime kaq të përafërta mes partive politike, do të ishte mirë që ata të kuptonin nevojën për të ecur përpara me zbatimin e disa prej këtyre ndryshimeve, sikundër të gjitha partitë na lanë të kutonim se dëshironin të ndodhte.
Zëri i Amerikës: Në një deklaratë gjatë vizitës suaj në Shqipëri – por edhe pak më parë gjatë kësaj interviste – ju jeni shprehur se “do të ishte i pakonceptueshëm avancimi me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, ndërkohë që vazhdohet me procedurën monitoruese të Këshillit të Europës”. Pra, edhe pse dy organizatat nuk janë juridikisht të lidhura, ju duket të thoni se vazhdimi i procedurës së monitorimit të Shqipërisë nga ana e Këshillit të Europës është një tregues i fortë negativ për integrimin e Shqipërisë në BE. Cili është parashikimi juaj lidhur me kohëzgjatjen e procesit të monitorimit?
Jonathan Evans: Ajo që ju sapo thatë është absolutisht opinioni im. Mund të jetë e vërtetë që Këshilli i Europës – i cili sigurisht është një organ i ndryshëm nga Bashkimin Europian – nuk thotë fjalën e fundit sa i përket përparimit në lidhje me statusin e kandidatit në BE, por në të njëjtën kohë këto organizata janë organizata përplotësuese. Dhe unë mendoj se kisha të drejtë kur thashë se është e pakonceptueshme që udhëtimi drejt statusit kandidat të mund të përparojë ndërkohë që Këshilli i Europës vazhdon, në një farë mënyre, procedurën e monitorimit. Pra kjo është diçka e vërtetë. Ju më pyetët gjithashtu nëse ne do të vazhdojmë procedurën e monitorimit. Kjo do të varet nga fakti nëse ne do të shohim zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje të cilat plotësojnë standardet ndërkombëtare, dhe rezultati i të cilave të ketë besimin e të gjitha partive politike. Nëse kjo nuk ndodh, është e vështirë që të mund të pritet që procedura e mbikqyrjes të mbyllet së shpejti.
Zëri i Amerikës: Raportet periodike – të paktën një herë çdo dy vite – të Komitetit Monitorues përpara Asamblesë së Këshillit të Europës duhet të përmbajnë një draft rezolutë me propozime konkrete për përmirësimin e situatës në vendet nën monitorim. Çfarë mund të na thoni lidhur me propozimet konkrete më të fundit të parashikuara për Shqipërinë?
Jonathan Evans: Me gjithë respektin e duhur, ajo që jeni duke më ftuar të bëj tani është që të shkruaj raportin tim në programin tuaj. Mund të them që si gazetar është një lëvizje shumë e aftë nga ana juaj, por si politikan mund t’ju them se kolegët e mi të Komitetit Monitorues do të fyheshin shumë prej meje, nëse do të shkruaja raportin tani me ju, në vend që të flas me ta pas zgjedhjeve, për të arritur së bashku në një përfundim. Më lejoni të them se ky nuk do të jetë një përfundim vetëm i imi. Unë do të paraqes propozimin tim para Komitetit të Monitorimit, dhe më pas qëndrimi i Komitetit të Monitorimit, do të duhet të konsiderohet nga Asambleja. Pra, vendimi që do të merret nga Këshilli i Europës mendoj se do të ketë pas vetes një legjitimitet të rëndësishëm demokratik. Por, në këtë pikë të procesit, unë kam nderin të jem caktuar nga Këshilli i Europës për t’u angazhuar në këto diskutime paraprake për të vlerësuar se cili është qëndrimi ynë në lidhje me zgjedhjet dhe se cilat janë shqetësimet që unë shoh. Unë duhet të tregoj jo se si këto shqetësime mund të zgjidhen, por duhet t’u tregoj partive politike nevojën për t’i zgjidhur ato. Unë dua që partitë politike të punojnë së bashku, duke bërë përpjekje që t’i zgjidhin këto shqetësime./VOA/
Jozefina Topalli shkruan në profilin e saj në Facebook se mezi po e pret 23 qershorin. Sipas Topallit kjo datë do t’i japë një mandat të tretë partisë së saj. Topalli thotë se për PD projekti më i madh është ai i integrimit në Europë dhe rritja e mirëqenies së qytetarëve. Në postimin e saj, Topalli sulmon edhe kreun e opozitës, të cilin e cilëson “humbës serial”.
“Të dashur miq! Mezi po e presim 23 qershorin, sepse në mandatin e ri kemi projekte të reja për çdo shqiptar. Projekti i parë i madh është projekti europian, projekti i marrjes së statusit të vendit kandidat, që kundërshtari ynë politik e bllokoi prej 4 vitesh, por projekti i të gjitha projekteve është që çdo qytetar kudo që të jetë, çdo zonjë në familjen e saj, çdo i ri dhe e re të ketë mundësi punësimi, një mundësi zhvillimi, një mundësi të rritjes së pagave, të rritjes se mirëqenies. Ndërkohë qe ne anën tjetër, kemi një humbës serial. E kemi mundur në 2007, në 2009, e kemi mundur në 2011-n. Kësaj radhe, humbja e tij do jetë një humbje e turpshme, për atë personalisht. Në mandatin e ri, bujqësia do jetë prioritet. Do 3-fishohen subvencionet. Ju bëni shtëpia të reja, ne bëjmë rrugë të reja, ju punoni tokën, ne rrisim subvencionet, heqim TVSH-në”, shkruan Topalli në një postim të shoqëruara me fotot e takimit të saj me votuesit e Bërdicës, një nga zonat që përmbytet çdo vit.
Me shumë dëshirë i ftoj sot të gjithë ndjekësit e kësaj faqeje që jetojnë në Vlorë, për të ndarë nesër pasdite në Pallatin e Sportit emocionin e posaçëm të prezantimit tim si deputet i Vlorës. Si asnjëherë në rrugën e jetës sime politike, ndjehem i emocionuar si të isha përpara provimit më të vështirë të maturës. Kam shumë gjëra për të thënë për Vlorën dhe më duket sikur nuk do di t’i them.
Këto ditë më kujtohen shpesh rrugëtimet e fëmijërisë drejt Vlorës, në ditët më të bukura të vitit gjatë pushimeve verore që nisnin me tren deri në Fier pastaj me autobus për në Vlorë. Më kujtohet se si më rrihte zemra fort nga padurimi i gëzuar për të mbërritur, kur shfaqeshin në ekranin e dritares së autobusit të vjetër malet e bardha të kripores. Të cilët ishin edhe shenja që lajmëronte fundin e udhëtimit të gjatë. Pastaj se si më shkonte buza vesh më vesh dhe shtrëngoja dorën e dajës që zakonisht vinte më merrte në Tiranë, kur shfaqej poshtë, tek kthesa e fundit majë kodrave me ullinj, vetë kurrizi joshës i Vlorës së shtrirë buzë detit. Dhe në fund se si merrja vrapin, kur hynim në rrugicën gjithë diell, gjelbërim e lule të varura mureve të kopshteve me hardhi e kumbulla vlonjate, për të mbërritur tek dera e oborrit të shtëpisë më të bukur në botë. Dera me hekur të punuar kishte një muzikë të vetën kur hapej, duke ndjellë vrik qenin besnik të shtëpisë dhe lajmëruar gjyshen time që dilte gjithnjë në krye të oborrit për të pritur vizitorët. Përqafimi me të ishte fundi i rrugëtimit dhe fillimi i një qejfi të papërshkrueshëm që e prisja gjithë vitin.
Kanë kaluar dhjetëra vite që atëherë. Gjyshja ime ka kohë që ka ikur nga kjo botë. As shtëpia nuk është më. Plazhi ynë i Skelës ngjan si vendxhirimi i braktisur i një filmi. Vlora sot ngjan me Vlorën dje, sa ç’ngjaj unë me atë fëmijën që përqafonte gjyshen si për t’u siguruar se nuk ishte në ëndërr. E pamundur ta mohoj se mes kësaj dhe asaj Vlore, unë do zgjidhja pa asnjë ngurrim atë. Por e pamundur po ashtu të thuash se Vlora duhet të mbetej ashtu.
Sot Vlora është një sfidë e madhe. Një projekt i mbetur në mes që mund të përfundojë mirë, për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë. Po mund të përfundojë edhe keq, në dëm të Vlorës e të gjithë Shqipërisë. Mvaret nga drejtimi që do të marrë Vlora dhe vetë Shqipëria në 23 qershor. Por për këto dua të flasim nesër.
Medias shqiptare! Po ju shkruaj publikisht, pasi kjo histori private, mund te sherbeje per Opinionin Publik!
Po grabitem persedyti! Heren e pare nga dora e krimit ne 2010, se dyti nga krimi me duart e drejtesise ne 2013!
Nga njera dore kam nje vendim te Gjykates Per Krimeve te Renda, te formes se prere, qe ka denuar fajtoret, qe me vune gjobe, nga dora tjeter kam nje Vendim nje gjyqi civil qe i vjen teresisht ne kundershtim me Gjykaten e Krimeve te Renda.
Ne doren ku kam vendimin e Formes se prere te Krimeve te Renda, fajtoret qe siguruan me dhune nje kontrate shitje makine nga dora ime, jane denuar penalisht per gjobevenje
Ne doren tjeter te Gjyqit Civil nje bashkepunetor i tyre (mik i fajtoreve) me akuzon se une i paskam vjedhur atij makinen time!
Pra kolege te Medias, ne mes te dy duarve,jam une Leonard Bombaj, qytetar i Republikes se Shqiperise qe i jam borxhli Hajduteve! Me duart lart! Me dy vendime kundra njera tjetres.
Po vazhdoj!
Ne doren qe kam vendimin e krimeve te renda, une publikisht i fala njerezit, duke i kthyer kurrizin te kaluares.
Ne doren tjeter te Gjyqit Civil z. Dionis Jazaj mik i fajtoreve, ka fituar nje gjyq pa prezencen time dhe me mua ne mungese!
Ne castin qe une nisem per turne me 30 artiste drejt 1500 spektatoreve, ne dere me vjen permbarimi dhe policia.
Ju lutem me lejoni te vazhdoj pjesen komike te gjykates, qe tragjedizon jeten qytetare:
Ne Gjykaten Civile, miku i fajtoreve deklaron: “Leonard Bombaj eshte miku im prej kohesh, me shiti makinen dhe pastaj ma mori prape.”
Ne Gjykaten e Krimeve te Renda ky “mik” qe se kam njohur kurre deklaron: “makinen ma shiti Leonardi, leket ja dhashe fajtoreve, pastaj makinen ma moren prape fajtoret!”
Nje detaj i vockel, qe solli deme te medha: perse ky Leonard e shiti makinen?
Sepse dy prej tyre ishin police, me karta policie,dhe une nuk kisha shtet tjeter te me ndihmonte, keshtuqe u detyrova te ndjek urdherat e tyre, nen kercenimin e armeve, duke pare kuturu nje shtet qe te me mbronte. Prape policia me kerkon me insistim qe une te dorezoj makinen time, qe ma moren gjobevenesit.
Do te doja qe opinioni te informohej per nje biznes te paskrupullt qe ekziston mes nesh, nje biznes qe e mora vesh ne kete experience te mosqoftshme: Bankiere Pirat pa License, qe grabisin hallexhinj, qe me sakte quhen Pengmarres Makinash.
Nese nje njeri i semure, ka nevoje per nje operacion urgjent dhe i duhen 5milion leke, ky i shkrete, dorezon makinen 15 milioneshe tek keta Bankiere Pirate, e “shet” ate per 5 milion. Pas gjashte muajve ketij njeriu ndoshta i “sheruar” i duhet nje vit te grumbulloj leket, dhe pas nje vit e gjysem, merr vesh qe kamatat e kane cuar borxhin ne 20 milion leke. Atehere viktima e shkrete pajtohet me fatin, dhe humb makinen. Ndersa keta Pengmarres makinash, blene nje makine 15 milioneshe per 5 milione. Dhe keshtu historia vazhdon,dhe keta “Bankier Pirate Makinash” me leket e fituara, investojne ne segmente te drejtesise per te fituar gjyqe si psh, le te themi kunder Leonardit dhe ne strkturat e policise per ti ekzekutuar keto vendime. Ruajuni! Se ka shume neper kembe!
Pra ky zoteri qe sot une i paskam vjedhur makinen time, ne sy te grabitesve fliste me mua per data, dhe kamata i mbeshtetur nga Gazmend Canaj (i njohur si Gazi i Dijes).Por fale Prokurorise dhe Gjykates se Krimeve te Renda gjithshka u parandalua, fajtoret u denuan dhe makina u rikthye tek une.
Por konfuzioni tashme eshte ne dere te disa paleve: Z.Dionis Jazaj do makinen time qe ja paskam “vjedhur”, permbaruesi ka nje vendim ne dore te Gjykates Civile, dhe i ben presion policise per mbeshtetje, dhe Leonardi shpallet ne kerkim, me nje vendim ne dore te Gjykates se Apelit te Krimeve te Renda, qe nuk me ndihmon ne kete cast.
Nuk eshte rastesi qe ky sulm mbi emrin tim, behet ne castin qe sapo kam mbaruar nje serial,sapo kemi mbaruar turneun ne 12 qytete me mbi 20 mije spektatore. Nuk eshte rastesi qe sapo botova librin “Papafingo” me Vipat shqiptare, nje “Dore” sulmon mbi jeten time. Jam shume i entuziazmuar se se shpejti do fillojme sezonin 2 te “Fresk Fare”, do rihapet Qendra Artistike per qindra femije 3 deri 17 vjec.
Perpara Medias po i drejtoj vetes pyetjet me te veshtira: Mos valle kam bere gabim qe fala gjobvenesit e mi? Mos valle z.Dionis Jazaj, po kryen hakmarrje te porositur? (dem material,dhe dem imazhi?)
Meqe Hakmarrja perfshin balten mbi emrin tim, atehere dhe une po ju ripermend emrat e mesiperm:Dionis Jazaj,Gazmend Canaj,(Gazi I Dijes), Njerez qe i zene frymen Hyrjes se Komisariatit, me makina dhe shoqerues. Krijesa qe te vjedhin edhe kemishen e hallit tend, dhe vishen si viktima. Investigojini! Do surprizoheni!
Kurre nuk jam penduar per faljen qe kam ofruar,sepse fala njerezit dhe jo krimin, dhe si te gjithe artistet Faljen e kemi instikt, qe furnizohet nga Perfytyrimi I se Ardhmes. Por si shume shqiptare te fyer nga padrejtesia, po permend Borghesin: “Nuk kam frike nga vdekja! Ndoshta trupi im Po!” Ky eshte jeleku antiplumb qe na ka mbetur te veshim.
Kerkoj nepermjet Medias qe te pezullohet kjo bastisje qe tashme po mjel te ardhura nga llogaria ime bankare dhe rroga e bashkeshortes. Kerkoj qe z.Dionis Jazaj te paraqitet ne gjyqin qe une e pres per Kontrate te dhunshme dhe parate tua kerkoje atyre qe ua ka dhene, dhe qe jane denuar pikerisht per ato leke.
Po e mbyll shume shpejt, kete leter, madje i ndrojtur sepse e di qe ka plot shqiptare per te rrefyer halle me te renda, dhe dhimbje me te padurueshme, qe heshtin me Ulerime!
Me pelqen te besoj, se shteti ekziston, qe Drejtesia Vendos edhe drejt!
Ju faleminderit per kohen,vemendjen! Mbetem Juaji sinqerisht!
Alarmohet policia greke pas informacioneve të marra se shqiptari Klement Çala, i arratisur nga burgu i Trikalas është nisur drejt kufirit shqiptar. Nisur nga këto informacione policia greke ka përforcuar shërbimin në Janinë, Kakavijë dhe Igumenicë. I arratisuri nga burgu mësohet se ka grabitur dje një sasi të madhe parash në një bankë pranë Larisës, së bashku me një person tjetër. Mjeti me të cilën ai u largua pas grabitjes u gjet i djegur nga policia.
Çala është pjesë e grupit prej 11 të burgosurish që u arratisën në mars nga burgu i Trikalas, pas një trazire të armatosur që u zhvillua në burg, ku mbetën të plagosur dy oficerë burgu. Ngjarja filloi kur dy furgona iu afruan burgut dhe personat që gjendeshin në ta, qëlluan mbi oficerët e kullës së vrojtimit. Ndërkaq një grup të dënuarish nga zona C, ku ndodheshin të burgosurit shqiptarë, prenë me sharrë hekurat e qelisë dhe dolën në terracë duke qëlluar me armë.
Partia Socialiste prezantoi kandidatët e saj për deputetë në Qarkun e Gjirokastrës. Lista në këtë qark kryesohet nga deputeti aktual i PS-së, Arben Ahmetaj.
Në fjalën e mbajtur Rama kërkoi votën për t’i dhënë fund, sipas tij, shtetit të angazhuar për pushtetin dhe abuzimeve me gjithë administratën zgjedhore.
“Pas 23 qershorit do të marrin përgjigjen për sjelljen e tyre anti-kushtetuese ndaj të rinjve. Përgjigjen për sjelljen e tyre anti-kushtetuese, sjelljen kriminale të tyre ndaj zgjedhësve të rinj, që më 23 qershor bëhen zgjedhës. Ata do të ndryshojnë Shqipërinë duke ndryshuar përgjithmonë edhe shkollën për Shqipërinë. Kurrë më drejtorë shkollash që bëjne presion mbi mësuesit dhe nxënësit, kurrë më shteti që përdoret për interesat e pushtetit, kurrë më shtet që përdoret kundër opozitës”, tha kreu i socialistëve Edi Rama.
Rama tha se gjirokastritët, tepelenësit dhe përmetarët do të votojnë rilindjen për t’i dhënë fund harresës në këto 8 vite.
“Unë nuk e di se me cfarë kurajoje do të flasë Saliu para popullit të Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit? Popullit që jeton në varfëri, i izoluar nga mungesa e rrugës. Por di se cfarë do t’i thotë ky popull Sali Berishës dhe shpurës së tij më 23 qershor duke marrë një vendim historik”, shtoi Rama.
Lista e kandidatëve socialistë në Gjirokastër kryesohet nga Arben Ahmetaj, i ndjekur nga Erion Veliaj, Anastas Angjeli, Vladimir Kosta dhe Dashamir Kamberi.
François Hollande, pothuajse një vit pas marrjes së funksionit të tij, si President i Francës, ka kapur nivelin më të ulët të popullaritetit të tij. Ai po konsiderohet, si lideri me popullaritetin më të ulët që prej Luftës së Dytë Botërore. Marrëdhëniet e tij me Kancelaren gjermane Merkel, po vlerësohen gjithashtu si marrëdhënie të acaruara dhe të pakrahasueshme me ato, që kishte vendosur paraardhësi i tij, konservatori Sarkozy.
Kancelaria gjermane Merkel, sipas Euroactiv, ka deklaruar të enjten se ndoshta ajo nuk kishte një marrëdhënie miqësore nga më të fuqishmet me homologun e saj francez, por marrëdhënia e saj e punës me François Hollande, është solide dhe esenciale për Europën.
Ndërkohë që Ministri gjerman i Punëve të Jashtme ka deklaruar se, Gjermania nuk duhej të jepte provën e një ’arrogance gjermanike’ përballë fqinjëve të saj të zonës euro, Merkel e ka minimizuar rëndësinë e kritikave të bëra nga socialistët në pushtet në Francë.
“Kur jetojmë në një shoqëri të hapur, ka disa shkallë midis konfliktit dhe miqësisë intime. Mund të themi, se, nuk asgjë midis këtyre të dyjave, por realiteti është i ndryshëm”,- ka deklaruar Angela Merkel, përgjatë një Konference mbi Europën në Berlin, të enjten më 16 maj.
Partia e François Hollande, e ka cilësuar muajin e fundit autoritetin e Angela Merkel përgjatë krizës së zonës euro, si ’egoiste’ në një dokument, të modifikuar më vonë, i cili shfaqte dimensionin e armiqësisë në Francë të provokuar nga fushata e Kancelares për shtrëngimin e masave buxhetore.
Konservatorët në pushtet në Gjermani, nuk kanë reshtur së kritikuari, paaftësinë e presidentit francez për të reduktuar deficitin publik.
Nuk bëhet më fjalë për ’Merkozy’
Kancelaria gjermane ka deklaruar gjithsesi, përpara një plateje personalitetesh politikë dhe diplomatikë, se ajo kishte një ’marrëdhënie të mirë’ me Hollande dhe se marrëdhëniet midis dy ekonomive të mëdha të Europës, ngriheshin mbi ’baza shumë solide’.
Është e vështirë të krahasosh marrëdhënien e ngushtë midis Merkel dhe paraardhësit të Hollande, konservatorit Sarkozy, ndaj të cilëve u krijua dhe shprehja ’Merkozy’
Sipas kryeministrit të Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, presidenti paraardhës i Eurogrupit, artikujt e shtypit mbi gjuhën e trupit armiqësor ndaj François Hollande dhe Angela Merkel, ishin ’qesharake’.
Një vit pas marrjes së këtij funksioni, popullariteti i presidentit francez ka kapur nivelin më të ulët për një drejtues të lartë, që prej Luftës së Dytë Botërore. Nga ana e saj, Kancelaria gjermane, ka arritur nivelin prej 60%, nëpër sondazhe, çka pritet t’i japë me siguri një mandat të tretë përgjatë zgjedhjeve legjislative të shtatorit.
Ndërkohë që Angela Merkel, nuk i ka shumë për zemër politikat socialiste të François Hollande, ajo deklaron se stabiliteti i Gjermanisë dhe i zonës euro varen nga arritjet e homologut të saj francez. Ajo ka deklaruar, se, së bashku me ministrin e Financave, Wolfgang Schäuble, ishin ’shumë optimistë’ mbi faktin se Franca do të kapë ekuilibrin e duhur midis konsolidimit buxhetor dhe simulimit të rritjes ekonomike.
“Ne, nuk e kritikojmë hapur Francën”,- ka deklaruar M. Schäuble, gjatë një Konference. “Ne e dimë se Franca mund të bëjë dhe se faktikisht ajo bën, shumë gjera më mirë, se Gjermania”.
Gjermania duhet të evitojë të bëjë lojën e atij ’që di gjithçka’ kur bëhet fjalë t’i japë këshilla Francës- ka shtuar ai. Ministri i Punëve të Jashtme Guido Westerwelle, ka vlerësuar se Gjermania duhet të evitojë dhënien e provës së një ’arrogance gjermanike’./euroactiv/
Misioni i vëzhguesve të OSBE/ODHIR-it, që ka një javë që ka zbarkuar në Tiranë me objekt pune vëzhgimin e zgjedhjeve të 23 qershorit, ka kryer një takim sot me Ambasadorin e BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi.
Në krye të ekipit monitorues është caktuar ekspertja amerikane Conny McCormack, e cila ka vlerësuar para mediave se ekipi monitorues do të bëjë vlerësime në lidhje me Kodin dhe mënyrën, se si do të administrohet procesi, por theksoi gjithashtu se ODHIR nuk është arbitër i zgjedhjeve dhe nuk mund të ndërhyjë dot në procesin zgjedhor.
McCormack, vlerësoi gjithashtu, se ekipi nuk mund të shprehet dot mbi legjitimitetin e zgjedhjeve, nëse janë tërësisht apo pjesërisht legjitime.
“Është me rëndësi që roli i ekipit të ODIHR-it është një rol që ka të bëjë me aspektin vëzhgues dhe raportimin faktik, dhe jo për të ndërhyrë në procesin zgjedhor. Ne nuk jemi arbitra zgjedhorë. Ne nuk përcaktojmë nëse zgjedhjet në tërësi apo pjesërisht janë legjitime apo jo. Puna dhe metodika jonë e përgjithshme është e bazuar mbi parimet e paanësisë. E gjithë kjo do të jetë pjesë që do drejtojë punën tonë”, – tha kryesuesja e Misionit.
Conny McCormack, deklaroi se, pas vëzhgimeve që do të konstatohen ditën e zgjedhjeve, të nesërmen Misioni do të deklarojë konstatimet dhe vëzhgimet paraprake. Vetëm 21 ditë pas nisjes së punës së Misionit, do të bëhet publik raporti i parë në lidhje me situatën parazgjedhore, ndërsa raporti përfundimtar i shoqëruar me rekomandimet përkatëse do të publikohet vetëm dy muaj pas shpalljes së rezultateve zgjedhore./al.bl/