Pendesë për një tatuazh të bërë në rini? Rrezet lazeri janë shpëtimi

75
foto ilustruese
foto ilustruese

Trëndafila dhe flutra, dragoj dhe gjarpërinj: gjithçka mund të kthehet në një tatuazh. Por çfarë ndodh nëse ky tatuazh nuk të pëlqen më? Lazeri u vjen në ndihmë të gjithë atyre që e kanë këtë problem.

Kur ajo bëri tatuazhin e parë ishte vetëm 17 vjeç. Në atë kohë Sue kishte nevojë për lejen e prindërve për të bërë tatuazh një dragua në pjesën e sipërme të krahut. Sot ajo është 29 vjeç dhe dëshiron të mos e ketë më tatuazhin në trupin e saj. Sue është e sigurtë: tatuazhi dragua i ka mbushur ditët. “Do të thoja se nuk është e lehtë për mua, por nuk pendohem që e kam mbajtur në trupin tim e nuk pendohem që po e heq.”

Sipas statistikave janë rreth 12 milionë gjermanë që kanë një tatuazh e gjysma e tyre kanë më shumë se një të tillë. Art nga koka tek këmbët. Një tatuazh i mirë kërkon një tatuator profesionist dhe natyrisht cilësi në ngjyra. Deri në vitin 2009 mund të përdoreshin substanca të llojeve të ndryshme, madje edhe boja e makinave, çka është shumë e dëmshme për trupin e njeriut. Tani lejohen vetëm ngjyrat që janë të sigurta edhe pse në të vërtetë nuk dihet me siguri nëse janë apo jo tërësisht të sigurta. Në Gjermani janë 7000 studio tatuazhesh të regjistruara. Edhe tek tatuatorët profesionistë dhe të mirë ka rrezik. “Në fund të fundit tatuazhi është një dëmtim i lëkurës. Në lëkurë futet bojë. Gjilpëra dëmton lëkurën dhe sjell probleme të tjera më pas”, thotë dermatologia Marina Scheler.

Rritet numri i atyre që duan t’i heqin tatuazhet

Rreth 40 përqind është rritur numri i atyre që nuk ndihen mirë me tatuazhet e tyre. Pjesa më e madhe janë femra të moshës 25-30 vjeç. Një nga arsyet kryesore është se personaliteti i tyre ka ndryshuar dhe tatuazhi nuk është më i përshtashëm. “Por ka edhe shumë pacientë që vijnë sepse tatuazhi nuk është bërë mirë. Ka edhe nga ata që pëlqejnë tatuazhet, por u është bërë gabim shpimi me gjilpërë”, thotë Scheler. Shumë vetë gabohen kur mendojnë se “do të bëj pesë seanca me lazer dhe tatuazhi do të zhduket”.

Trajtimi mund të marrë shumë kohë. “Tatuazhet profesionale duan të paktën pesë deri në shtatë seanca.” Nga seanca në seancë duhet të kalojnë katër javë, çka do të thotë se trajtimi mund të zgjasë disa muaj. Edhe kostot e trajtimit në këtë mënyrë janë të larta. Me një mesatare prej 200 eurosh për çdo senacë, duket qartë se çmimi për të hequr tatuazhin është shumë herë më i lartë se çmimi i bërjes së tij.

Lazeri është zgjidhja

Shumë pacientë mendojnë se trajtimi me lazer është shumë i dhimbshëm dhe nuk preferojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Disa të tjerë thonë se dhimbja është e njëjtë me atë të bërjes së tatuazhit dhe me një anaestezi lokale mund të kalohet gjithçka. Efekt anësor mund të jetë ekzema dhe zona e lëkurës, ku është bërë trajitmi kërkon disa muaj derisa të riparohet tërësisht.

Në një tatuazh të bërë në mënyrën e duhur pigmenti ndodhet në pjesën e mesme e lëkurës dhe mund të hiqet me anë të lazerit. Boja merr energji nga rrezet lazer dhe më pas me anë të sistemit limfatik transportohet në sipërfaqen e lëkurës. Por ende nuk dihet nëse boja me lazer mund të jetë e rrezikshme dhe kancerogjene për lëkurën e njeriut.

Jo gjithmonë është e lehtë të heqësh një tatuazh

Nëse një tatuazh mund të hiqet relativisht lehtë ose tërësisht me anë të rrezeve lazer kjo varet edhe nga ngjyrat që janë përdorur. “Për ne duhet që rrezja të përthithet gjithmonë nga ngjyra. Me të verdhën nuk funksionon, gjithashtu edhe me blunë e ndritshme dhe jeshilen kemi shumë vështirësi.” E zeza klasike që përdoret më së shumti në përgjithësi është e lehtë për t‘u hequr. Mbi të gjithë problematikë janë tautazhet fosforeshentë. Gjatë ditës ata pothuajse janë të padukshëm, por në ambjentet e diskove me dritë të errët ata janë shumë të ndritshëm. Për të bërë tatuazhe përdoren gjithnjë e më shumë ngjyra speciale dhe ky është problemi. “Nuk ka asnjë lazer që t‘i fshijë këto ngjyra. Ato mund të hiqen vetëm në mënyrë fizike”, thotë Scheler. Në rastin më të keq do të bëhet transplant lëkure, por sërish do të mbetet shenjë./dw/