Ambasadori i BE-së Ettore Sequi, takon Misionin e vëzhguesve të OSBE/ODHIR

58

EttoreSequi1Misioni i vëzhguesve të OSBE/ODHIR-it, që ka një javë që ka zbarkuar në Tiranë me objekt pune vëzhgimin e zgjedhjeve të 23 qershorit, ka kryer një takim sot me Ambasadorin e BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi.

Në krye të ekipit monitorues është caktuar ekspertja  amerikane Conny McCormack, e cila ka vlerësuar para mediave se ekipi monitorues do të bëjë vlerësime në lidhje me Kodin dhe mënyrën, se si do të administrohet procesi, por theksoi gjithashtu se ODHIR nuk është arbitër i zgjedhjeve dhe nuk mund të ndërhyjë dot në procesin zgjedhor.

McCormack, vlerësoi gjithashtu, se ekipi nuk mund të shprehet dot mbi legjitimitetin e zgjedhjeve, nëse janë tërësisht apo pjesërisht legjitime.

Është me rëndësi që roli i ekipit të ODIHR-it është një rol që ka të bëjë me aspektin vëzhgues dhe raportimin faktik, dhe jo për të ndërhyrë në procesin zgjedhor. Ne nuk jemi arbitra zgjedhorë. Ne nuk përcaktojmë nëse zgjedhjet në tërësi apo pjesërisht janë legjitime apo jo. Puna dhe metodika jonë e përgjithshme është e bazuar mbi parimet e paanësisë. E gjithë kjo do të jetë pjesë që do drejtojë punën tonë”, – tha kryesuesja e Misionit.

Conny McCormack, deklaroi se, pas vëzhgimeve që do të konstatohen ditën e zgjedhjeve, të nesërmen Misioni do të deklarojë konstatimet dhe vëzhgimet paraprake. Vetëm 21 ditë pas nisjes së punës së Misionit, do të bëhet publik raporti i parë në lidhje me situatën parazgjedhore, ndërsa raporti përfundimtar i shoqëruar me rekomandimet përkatëse do të publikohet vetëm dy muaj pas shpalljes së rezultateve zgjedhore./al.bl/