Luani i keqtrajtuar në Fier mbërrin në Tiranë

Mbrëmjen e së dielës, duke hyrë e hëna, 13 kafshët e “Safari Park” mbërritën në Tiranë. U deshën rreth 12 orë që të kryhej transferimi i tyre nga Fieri në gjendje të fjetur drejt Kopshtit Zoologjik të Tiranës.

Carsten Hertwig, drejtues i fondacionit “4putrat”, u shpreh: “Ishte një operacion i vështirë le të themi sepse pronari i “Safari Park” nuk dëshironte të na i jepte kafshët, por me ndërhyrjen e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Turizmit ia dolëm. Dua të them që Kopshti Zoologjik i Tiranës nuk është i famshëm për kushte super të mira, por për momentin është ok dhe më e rëndësishmja është se kafshët janë të sigurta”.

3 luanët e kopshtit zoologjik privat në Fier janë shpëtuar. Tashmë banesa e tyre momentale do të jetë Kopshti Zoologjik i Tiranës për rreth një muaj.

Ndryshe nga dy të tjerët, luani me sy të nxirë që mori vemendjen e të gjithëve, edhe të mediave ndërkombëtare, nuk reagon. I strukur, qëndron poshtë një tavoline brenda ambienteve të mbyllura të kopshtit zoologjik.

Veterineri Mark Goelkel thotë: “Për ta është një eksperiencë stresuese. Ata kanë jetuar për një kohë të gjatë në Fier me kushte të tmerrshme, por sërish ardhja në një vend të ri është po aq stresuese. Ndaj, kanë nevojë për kohë që të rehabilitohen. Dhe koha varet prej gjendjes së kafshëve. Disa janë më të forta dhe do të bëhen mirë shpejt, disa të tjerë duan më shumë kohë. Por mendoj se në përgjithësi, muajin tjetër do të shikojmë një ndryshim drastik në sjelljen e tyre dhe ata do të jenë gati për t’u transferuar në Gjermani dhe Holandë”.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me fondacionin “4 putrat” kanë krijuar hapësirat e duhura sipas llojit të kafshës për një jetesë normale për to. Luanët, dhelpra, ariu, ujku dhe majmunët janë vendosur në kafazë, ndërsa antilopat, drerët dhe zebrat janë vendosur në ambientet e hapura të kopshtit, në zona të rrethuara posaçërisht për to.

Rihapet muzeu kombëtar i Damaskut

Autoritetet siriane rihapën Muzeun Kombëtar në Damask. Ai qëndroi i mbyllur për mbi gjashtë vjet, për shkak të luftës civile. “Rihapja e këtij muzeu jep një mesazh për sigurinë në Siri,” tha ministri i Kulturës Mohamed al-Ahmad.

Ai shtoi se muzeu ishte mbyllur për shkak të frikës nga aktet terroriste dhe kriminale, të cilat kanë shkaktuar dëme mjaft të mëdha në pikat arkeologjike të Sirisë.

Muzetë në mbarë Sirinë u mbyllën në vitin 2012 dhe mbi 300 mijë artefakte u transportuan për t’u ruajtur në vende të sigurta në Damask. Dhjetëra vende arkeologjike janë shkatërruar tërësisht apo janë dëmtuar, që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011.

Mbi 400 mijë persona vlerësohet se janë vrarë dhe miliona të tjerë janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës.

Athina notë proteste Tiranës zyrtare

Ministria e Jashtme e Greqisë do t’i dorëzojë Tiranës një notë proteste lidhur me vrasjen e Kostandin Kaçifës nga forcat RENEA, dje në Bularat.

Ambasadorja e Shqiperise, Adriana Hobdari do të shkojë pasditen e të hënës në selinë e Ministrisë së Jashtme greke për të marrë këtë notë proteste

Ndërkohë policia ka rritur masat e sigurisë rreth selive diplomatike dhe konsullore të Shqipërisë.

Masat po zbatohen në ambasadën shqiptare në Athinë dhe konsullatat në Selanik dhe në Janinë. Kjo me qëllim parandalimin e ndonjë reagimi të mundshëm pas vrasjes së ndodhur dje në Bularat.

Dje Ministria e Jashtme greke, duke kërkuar prej Shqipërisë sqarime rreth ngjarjes në Bularat, e quajti të papranueshëm faktin që operacioni precipitoi me humbjen e një jete njerëzore. Madje nënvizoi se pas zbardhjes së rrethanave do të bëhen dhe veprimet e nevojshme. Nga ana e saj ministria e Jashtme shqiptare e quajti të pajustifikueshëm dhe zhgënjyes reagimin e diplomacisë fqinje.

Përdorni çaj xhenxhefili, limon dhe mjaltë kundër ftohjes

Në momentin kur ta ndjeni se do të sëmurem, e kjo është e lehtë të parashikohet në bazë të dhimbjeve në fyt, sy dhe kokë, konsumoni këtë çaj natyral, i cili do t’ju ngrohë dhe do ta forcojë rezistencën e organizmit.

Krejt çfarë keni nevojë janë lëng limoni, xhenxhefil dhe mjaltë. Përse këta tre përbërës? Tashmë e dini se limoni është përplot me vitamina C, por edhe me fitokemikale, ndërsa që për mjaltin dhe xhenxhefilin dihet se forcojnë sistemin imun.

Së pari ngrohni ujin, e gjatë asaj kohe qëroni një pjesë të xhenxhefilit e të gjitha i bashkoni në ujë duke shtuar edhe mjaltë dhe lëngun e limonit. Mjekët tanimë ju sugjerojnë këtë çaj duke marrë parasysh se rënia e temperaturave dhe sezoni i gripave tani janë në prag. e kjo vlen sidomos për ata të sëmurë kronik.

Po ashtu për të shmangur prekjen nga të ftohtit, ecni sa më shumë në natyrë, duke forcuar kështu sistemin tuaj imun duke bërë të pamundur depërtimin e baktereve që ndikojnë në shfaqjen e viruseve dhe problemeve në frymëmarrje.

Vrasja e Kaçifas nuk ka lidhje me flamurin

Nuk ka të dhëna dhe as dëshmi që të ndërlidhin përleshjen e armatosur në Shqipëri, gjatë së cilës ra i vdekur Konstantinos Katsifas, (Kostandin Kaçifa) me ngritjen e flamurit grek”.

Kështu bën të ditur agjencia zyrtare e lajmeve ANA-MPA, duke iu referuar “burimeve kompetente” nga policia greke.

Sipas agjencisë, që në momentin e parë të incidentit pati komunikim të drejtorit të përgjithshëm të policisë greke, gjeneral lejtnant Aristidis Andrikopoulos me homologun e tij shqiptar.

Agjencia bën gjithashtu të ditur se kanë filluar procedurat me qëllim që të marrë pjesë dhe pala greke në hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe shkaqeve.

Sipas të njëjtave burime kanë nisur përmes rrugës diplomatike gjithë veprimet për të marrë pjesë në hetime edhe pala greke, me qëllim që të informohet dhe t’u ofrojë autoriteteve shqiptare çdo ndihmesë që konsiderohet e nevojshme.

Gjithsesi, shkruan agjencia, duke iu referuar burimeve nga policia greke, Konstantinos Katsifas kishte marrë pjesë në dekorimin e fshatit për nder të festës greke, ku u vendosën dhjetra flamuj dhe nuk pati asnjë problem.

Burimet nga policia greke i kanë thënë agjencisë se, “sipas informacioneve të tyre, Katsifas, i veshur me rroba ushtarake, ishte i armatosur me një armë kallashnikov. Fillimisht qëlloi në ajër dhe pastaj kundër një makine të policisë që ndodhej në lëvizje, që u godit nga të paktën tre plumba (ekzistojnë dhe fotografi), ndërsa në vendngjarje u gjetën 17 gëzhoja”.

“Në vazhdim u largua. Policia filloi kërkimin e tij dhe në fund u lokalizua në një pllajë mali, ku ndodhet edhe shtëpia e tij. Policia shqiptare urdhëroi ndërhyrjen e forcave speciale, të cilat mbërritën në zonë me helikopter. U shënuan të shtëna armësh, me rezultat vdekjen e Konstantino Katsifas”.

“Pranë te vdekurit u gjetën 8 gëzhoja, një çantë me rreth 100 fishekë kallashnikovi, thika dhe ushtarake dhe një lak ushtarak”, përfundon agjencia greke e lajmeve ANA-MPA.

Lamtumira e Merkelit: Mandati i fundit si kancelare

Angela-Merkel-Kancelarja-Gjermane
Merkel

Pas rezultatit katastrofik të partisë së saj në zgjedhjet e landit të Hessenit, Angela Merkel merr vendimin kyç: Nuk do të rikandidojë më si kancelare, pas mbarimit të këtij mandati, ndërsa në dhjetor do të largohet dhe nga presidenca e CDU-së.

“Jam gati të punoj si kancelare deri në fund të mandatit 2021 por më pas nuk do të rikandidoj.” u shpreh Merkel

Kancelarja gjermane gjithashtu nuk do të rikandidojë më për postin e kryetares së CDU-së në zgjedhjet e dhjetorit.

Merkel dha deklaratën të hënën, pasi partia e saj u dobësua rëndë nga zgjedhjet në shtetin e Hessenit të dielën.

Rezultatet paraprake tregojnë se CDU fitoi 27 për qind të votave, socialidemokratët dhe të Gjelbrit nga 19%. Ashtu si dhe pritej partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë mori 13% të votave, duke i dhënë mundësinë t’i bashkohet për herë të parë legjislaturës së re.

Pavarësisht fitores, partia e drejtuar prej Merkel mori rreth 10 për qind më pak se votimet e fundit.

Kryetarja e SPD-së, Andrea Nales, e cila është në aleancë me kancelaren Merkel, tha të dielën se rezultatet e dobëta në vijimësi janë pasojë e mungesës së një itinerari të qartë politik nga ana e CDU-së.

Madje ajo kërcënoi se do të marrë parasysh daljen nga koalicioni qeverisës nëse partneri i saj nuk fokusohet në çështjet më me interes për popullin.

Merkel prej 13 vitesh mban postin e kancelares së Gjermanisë. Megjithatë nga viti i shkuar pas kritikave mbi politikat e emigracionit, lidershipi i saj është lëkundur ndjeshëm.

Madje për shkak të numrit të mandateve në parlament ajo u detyrua të bëjë aleancë me të majtët socialdemokratë.

Merkel gjithashtu është, kryetarja më jetëgjatë e Unionit të Kristiandemokratëve, e zgjedhur prej vitit 2000.

Saimir Tahiri dorëzon në prokurori provën vendimtare

Ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri doli nga Prokuroria e e Krimeve të Rënda ku u shperh se kishte dorëzuar provën që ai e quajti deçizive.

Saimir Tahiri: “Paraqita diçka që ka rëndësi deçizive për procesin. Do flas pas dy tre ditësh konkretisht. Dorëzova një provë që quhet deçizive. Prisni dy tre ditë do e dëgjoni

Por a kai ai frikë se do merret i pandehur?

Nuk kam frikë. Kërkoj mirëkuptimin tuaj. Kam mbi një vit që dëgjoj pafundësisht dhe kam heshtur prisni dhe dy tre ditë.”

Ai shoqërohej edhe nga avokati i tij, Maks Haxhia.

Hetimet ndaj ish ministrit janë shtyrë deri me 17 janar në pritjë të letërporosive. Kjo është shtyrja e katërt e hetimeve ndërkohë që politika shqiptare “vlon” nga akuzat dhe kundërakuzat.

“Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi në hetim Mosi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bashkëpunuar me zyrtarët e lartë të policisë së shtetit, ku si person i dyshuar është dhe ish-ministri i Brendshëm në hetim Saimir Tahiri”.

Ish-Ministri i Brendshëm u akuzua prej opozitës si i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Kjo pas publikimit të përgjimeve të grupit “Habilaj” në Itali, ku emri i tij përmendej si personi që i mbështeste.

Në deklaratat për mediat, opozita akuzoi se Tahiri kishte udhëtuar me Habilajt në Greqi me automjetin që ai u kishte shitur më parë. Një tjetër akuzë ishte dhe udhëtimi i Tahirit me jaht drejt Malit të Zi.

Nga ana e tij, ish-Ministri i Brendshëm ka kundërshtuar akuzat teksa dorëzoi dhe mandatin e deputetit, ku kërkoi prej Prokurorisë një hetim të plotë.

Hillary Clinton: Dëshiroj të bëhem presidente

Hillary Clinton gjatë një eventi në New York la të hapur mundësinë se do të kandidojë përsëri në zgjedhjet e vitit 2020.

Ajo tha para audiencës: “Do të dëshiroja të bëhesha presidente.”

Clinton tha se nuk do që të garojë përsëri, po nuk e përjashton plotësisht si mundësi.

Ndërsa shtoi se 8 vitet e eksperiencës në Senat dhe mandati i sekretares së shtetit gjatë presidencës së Obamës, e kualifikuan për këtë punë.

Por megjithatë insistoi se mund të mos merrte pjesë në zgjedhjet e përgjithshme pas zgjedhjeve afatmesme të nëntorit të 2018.

Mbështetësit dhe kundërshtarët kanë vënë re një rritje të shfaqjeve publike të Clinton në muajt e fundit, si një kritike e hapur i Presidentit Donald Trump.

Nard Ndoka takohet me Ministrin e Brendshëm të Italisë, Matteo Salvini

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka është takuar në Itali me Zv/Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm të Italisë, Matteo Salvini.

Ndoka ka publikuar një foto në Facebook, ku shkruan se takimi ishte shumë miqësor, madje Salvini i ka dhuruar edhe librin e tij. Ndërsa thotë se tema e takimit ishte edhe situata politike në Shqipëri.

Postimi i Nard Ndokës

Romë, takim me Matteo Salvini, Zv/Kryeminister dhe Minister i Brendshëm i Italisë. Takim shumë miqësor dhe i përzemert; situata politike në Shqipëri temë e takimit. 

Z.Salvini me dhuroi librin e tij; “Follia e coraggio per cambiare il paese.

Greqia Ramës: S’ka nevojë për agresion

Qeveria e Greqisë ka folur për vrasjen e 35-vjeçasit Kacifas në Bularat të Gjirokastrës. Nëpërmjet zëdhënësit të saj, njëherësh edhe sekretari i shtetit, Dimitris Tzanakopoulos thotë se autoritetet greke janë në komunikim me autoritetet e Shqipërisë.

Duke iu përgjigjur deklaratës së kryeministrit Rama, ai thotë se tonet e ulëta duhet të respektohen nga qeveria shqiptare dhe se çështja nuk duhet të trajtohet me agresion kur një jetë është humbur, në mënyrë që të mos ushqehen reflekset e shoqërive.

“Autoritetet greke po ndërmarrin të gjitha veprimet e planifikuara në këto raste për të gjetur saktësisht se çfarë ndodhi me vdekjen e 35-vjeçari Kostandin Kacifas në Shqipëri”, u shpreh Dimitris Tzanakopoulos për një stacion televiziv grek, raporton Protothema.

Ai theksoi se nuk duhet të nxitojmë për të nxjerrë përfundime dhe të qëndrojmë në mesazhin strikt të dërguar nga Ministria e Jashtme greke.