Rihapet muzeu kombëtar i Damaskut

21

Autoritetet siriane rihapën Muzeun Kombëtar në Damask. Ai qëndroi i mbyllur për mbi gjashtë vjet, për shkak të luftës civile. “Rihapja e këtij muzeu jep një mesazh për sigurinë në Siri,” tha ministri i Kulturës Mohamed al-Ahmad.

Ai shtoi se muzeu ishte mbyllur për shkak të frikës nga aktet terroriste dhe kriminale, të cilat kanë shkaktuar dëme mjaft të mëdha në pikat arkeologjike të Sirisë.

Muzetë në mbarë Sirinë u mbyllën në vitin 2012 dhe mbi 300 mijë artefakte u transportuan për t’u ruajtur në vende të sigurta në Damask. Dhjetëra vende arkeologjike janë shkatërruar tërësisht apo janë dëmtuar, që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011.

Mbi 400 mijë persona vlerësohet se janë vrarë dhe miliona të tjerë janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës.