Rahman Rraja shkon në Parlament me paterica

Mazhorancës i duheshin dje me patjetër votat në parlament për të shembur Teatrin Kombëtar dhe nuk kishte si të mungonte as Rrahman Rraja, babai i Rexhepit i cili ndodhet në burg për akuzën e përndjekjes së të dashurës, së tij, Xhisiela Maloku.

Gjithashtu Rraja ka dhënë votën pro dhe për mbylljen e lojrave të fatit.

Fotografi zyrtar i PS, Agim Rama është kujdesur të kapë në foto gjithë lëvizjen e Rrajës; në sallë duke votuar, pastaj në oborrin e parlamentit duke iu drejtuar makinës së tij.

Deputeti i Krujës, Rraja, fill pas skandalit të të birit, pësoi një incident duke dëmtuar këmbën e djathtë.  Dje u shfaq në parlament me paterica.

Ndërkohë në rrjetet sociale kanë nisur dhe “meme”-t e qytetarëve.

Ndryshojnë rregullat për marrjen e tenderave

Këshilli i Ministrave miratoi sot një paketë të ndryshimeve ligjore që ndalon përfitimin e të mirave publike nga persona fizikë apo individë të dënuar për një sërë veprash të rënda penale që lidhen me krimin e organizuar, trafikimin dhe terrorizmin dhe korrupsionin.

“Falë kësaj pakete dhe hyrjes në fuqi të masave do u ndalohet çdo lloj mundësie që kjo kategori individësh, shoqërish tregtare dhe aksionere dhe përfaqësues të tyre të përfitojnë para nga taksapaguesit shqiptarë apo të përfitojnë mbështetje financiare nga fondet publike për ushtrimin e aktivitetit të tyre fitimprurës” u shpreh ministja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në një deklaratë për median pas mbledhjes së qeverisë.

Nëse deri më sot në bazë të ligjeve në fuqi përjashtoheshin vetëm subjekti juridik i dënuar më parë, me hyrjen në fuqi të paketës së re do të përjashtohen edhe aksionerët, administratorët apo individë të tjerë me rol vendimmarrës në këto shoqëri tregtare të cilat janë ose kanë qenë të dënuar në cilësinë e tyre individuale.

Ndryshimet janë në përputhje të plotë me direktivat e BE-së

“Me këtë paketë ligjore parashikohet që nuk do të mund të përfitojnë tendera publikë apo koncesion asnjë kompani që jo vetëm rezulton e dënuar si subjekt juridik por dhe në rastet kur të dënuar rezultojnë administratorët, përfaqësuesit, drejtuesit, ortakët apo aksionerët.”

I njëjti ndalim do të aplikohet dhe për përfitimin e statusit të investitorit strategjik, përfitimin për lehtësira në fushën e turizmit dhe të ndihmës shtetërore.

Del lista me emrat e kryetarëve të PS që janë propozuar për t’u shkarkuar

Partia Socialiste do të shkarkojë të gjithë kryetarët e degëve të saj në rang bashkie që kanë punuar keq.

Kryetarët e PS që janë propozuar për t’u shkarkuar janë :

1. Arvit Osja – Shkodër

2. Gëzim Salla – Cërrik

3. Afrim Mikli – Dibër

4. Agron Ivani – Kurbin

5. Edvin Tuci – Përmet

6. Nertil Bellaj – Selenicë

7. Erold Begolli – Devoll

8. Edmonda Harizaj – Memaliaj

9. Abedin Katana – Tropojë

10. Elton Arbana – Shijak

11. Arjan Çepele – Ura Vajgurore

Dje kryesia e Partisë Socialiste lajmëroi nëpërmjet Elisa Spiropalit shkarkimin e 11 kryetarëve të degëve për mospërmbushje të objektivave dhe për shkëputje nga territori.

Kryesia gjithashtu i kërkoi drejtuesve politikë të qarqeve të jenë më prezent në territoret lokale që mbulojnë, sidomos në territoret ku qeverisin demokratët.

Verdikti për fatin e këtyre drejtuesve socialistë është në dorë të drejtuesve politikë të qarkut, të cilët do duhet të bëjnë edhe një analizë më të thelluar për të nxjerrë shkaqet e këtyre rezultateve.

Drejtori i Apple: Kërkoj ligj të ashpër për mbrojtjen e privatësisë

Drejtori ekzekutiv i Apple, Tim Cook kërkon një ligj më të ashpër në SHBA për mbrojtjen e privatësisë, në një fjalim të pazakontë në Europë.

Duke iu referuar keqpërdorimit të të dhënave personale ai tha se ato po përdoreshin si armë kundër nesh me fuqi ushtarake.

“Nuk duhet të minimizojmë pasojat. Ky është survejim”, tha Cook.

Fjalimi në Bruksel, i konsideruar tejet i ashpër, është më i fuqishmi i bërë ndonjëherë nga një drejtor ekzekutiv i një kompanie teknologjike.

Cook vlerësoi rregullativën e re të BE-së për mbojtjen e të dhënave personale, të njohur si General Data Protection Regulation (GDPR), e cila hyri në fuqi në maj të këtij viti.

Kotzias: Ja si funsionojnë mekanizmat e fondeve sekrete

Në intervistën e tij të parë televizive, ish ministri i jashtëm Nikos Kotzias ka shpjeguar se si funksionon mekanizmi i fondeve sekrete.

Kotzias e ka bërë këtë në përgjigje të akuzave që lëshoi kundër tij ministri i Mbrojtjes, se ka keqpërdorur këto fonde, duke aluduar për korrupsion.

Kotzias tha se ai si ministër vendosi hartimin e një ligji mbi kontrollin e fondeve sekrete. Sipas tij, një shërbim i ministrisë bën propozimin se ku duhet të jepen dhe propozimi t’i shkojë parlamentit.

Nikos Kotzias: “Aty duhet të ketë një komision nga kryesia e parlamentit -ndoshta përbërja e tij është aktualisht e madhe- prandaj ndodhin dhe këto “rrjedhje” në shtyp. Dhe fondi do të mund të tërhiqet nga llogaria bankare vetëm nëse do të ketë vendime të veçanta nga parlamenti për secilin nga propozimet”

Sipas Kotzias, kjo garanton se “nuk kalon asnjë ‘grosh’ nga ministri apo kryeministri.

Nikos Kotzias: “Ne krijuam një komision në ministri që kryesohet nga sekretari i përgjithshëm, i cili ka statusin e nëpunësit civil nuk është një emërim politik, dhe ka në përbërje dy ambasadorë të nivelit të lartë. Komisioni merr edhe mendimin e ministrit. Disa fonde janë konstante prej vitesh. Shuma e fondeve tona ishte sa 1/7 në raport me të kaluarën, sqaroi Kotzias.

Duke shpjeguar se si procedohet më tej, ish ministri i jashtëm grek tha se komisioni merr vendim me shkrim dhe i dërgon dokumentat në parlament.

Nikos Kotzias: “Meqë dy herët e para parlamenti nuk e dinte se si funksiononte, shkuan vetë diplomatët tanë dhe dhanë shpjegime. Pastaj, herën e tretë, të katërt, të pestë e të gjashtë në dy vitet që po funksionon, u dërguan dokumentet dhe nëse kishte ndonjë pyetje, shkonte një diplomat dhe jepte sqarime. Përkundër dy herëve të para, nuk ka pasur më pyetje nga parlamenti. Rrjedhimisht, parlamenti i shqyrton fondet sekrete se ku shkojnë, po të konstatojnë probleme ia shtrojnë kryetarit të parlamentit ose neve dhe po nuk pati problem, i miratojnë. Dhe pasi miratohen, atëherë i merr paratë ministria e jashtme, nuk i merr ministri i jashtëm, nuk kalojnë nga xhepi i tij. I merr drejtoria përkatëse. Nëse i japim për të eksploruar Antraktidën, i merr drejtoria e Antraktidës – që të mos them emra shtetesh konkretë. Po të jetë se si do të thyejmë rekordin botëror në kërcimin trehapësh, i merr drejtoria që është e ngarkuar me sportet”

Kotzias i ka quajtur të rreme publikimet se fonde sekrete janë dhënë edhe në Shqipëri.

“U bë një lajm i rremë, se shkuan fonde në Shqipëri”

Atëherë ndërhyn gazetari, duke iu referuar reagimeve në median shqiptare.

Gazetari: “Parti në Shqipëri, që i konsiderojmë të dëmshme negociatat me Greqinë, që shtrojnë çështjen çame, thonë “ç’ punë ka Greqia të ndërhyjë në politikën tonë të brendshme”.

Nikos Kotzias: E dini çfarë ndodhi? Në Shqipëri, kush ka qasje pozitive ndaj Greqisë, akuzohet që pardje se është “i kapur”. Dhe si është i kapur? E thotë dhe vetë partneri i qeverisë

Këtu Kotzias e ka fjalën për ministrin e mbrojtjes, Panos Kammenos, i cili në mbledhjen e këshillit të ministrave -pas të cilës Kotzias dha dorëheqjen- tha ndër të tjera se “qeveria greke merr para nga Soros që të blejë të huajt”.

“Këto u thashë dhe në mbledhjen e qeverisë, që këto nuk janë lojëra. Vendi ynë duhet të bëhet serioz. Këta budallenj, naivë dhe tradhëtarë, që përpiqen të nxjerrin lajme të rreme ose jo se ku shkojnë fondet sekrete te vendit, i kap neni për “tradhëti kombëtare”.

Si të kujdesemi për flokët me probleme

Nuk thonë kot se flokët janë gjysma e bukurisë, por për t’i pasur gjithmonë në gjendjen e duhur, duhet t’u kushtojmë shumë kujdes. Në bazë të llojit të flokut duhet të vendosim edhe për shampon, bojën apo trajtimin e tyre. Kësaj radhe, vëmendja do të përqendrohet te flokët me yndyrë, një shqetësim për të gjithë ata që e vuajnë këtë problem.

Nëse keni flokë të yndyrshëm, nuk keni asnjë arsye për t’ju zënë paniku: për këtë mjafton të përdorni produktet e duhura. Ja disa këshilla të thjeshta për të pasur flokë të shëndetshëm, dhe me shumë shkëlqim.

Disa karakteristika për flokun e yndyrshëm

Flokët e yndyrshëm “bëhen; si pasojë e një çekuilibri, në gjëndrat yndyrore. Kur sasia e yndyrës që këto gjëndra prodhojnë është e madhe, atëherë shndërrohet në një problem të vërtetë. Një në katër gra vuan nga ky çekuilibër. Flokët vetëm disa orë pas larjes duken të palarë, pa shkëlqim dhe me yndyrë.

Shkaqet

Thuhet se ky problem mund të jetë gjenetik, por stresi, ankthi dhe një ushqim jo korrekt dhe plot yndyrë, lodhja, përdorimi i shampos së gabuar dhe abuzimi me bojën nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë yndyrën në flokë.

Çfarë duhet bërë

Rregulli bazë i trajtimeve kundër flokët të yndyrshëm konsiston në zgjedhjen e shampos së përshtatshme për këtë lloj floku apo një larësi delikat me ph neutral. Në këtë mënyrë mund t’i lash sa herë që është e nevojshme. Për larjen duhet përdorur një sasi e vogël shampoje që nuk duhet lënë shumë në flokë, por duhet shpëlarë sa më shpejt të jetë e mundur.

Për t’u shmangur

– Shampoja për fëmijë që kanë efekt ushqyes, por nuk është e përshtatshme për adoleshentët dhe të rriturit

– shampoja nuk duhet lënë shumë kohë pa u shpëlarë në flokë

– uji nuk duhet të jetë shumë i nxehtë

– të evitohet tharësja e flokëve sa më shumë të jetë e mundur

Çfarë duhet bërë

Një masazh i shpejtë dhe i lehtë i skalpit të kokës para shampos  për të aktivizuar mikroqarkullimin

– shpëlarja e fundit me ujë të ftohtë për të tonifikuar flokët

– një paratharje të flokëve me peshqir, për të eliminuar ujin e tepërt

– nëse nuk keni rrugë tjetër përveç tharëses mbajeni sa më larg të jetë e mundur nga flokët

Një maskë 100 për qind natyrale

Maska e parë është ajo me argjile. E thjeshtë për t’u përgatitur dhe shumë efikase. Në një enë hidhni një grusht argjile pluhur  përzieni me pak uthull të holluar me ujë sa të arrijë një masë homogjene. Maska duhet aplikuar në flokë dhe duhet lënë të veprojë për 10 minuta, duhet shpëlarë me ujë jo të nxehtë dhe pastaj duhet vazhduar me larjen e tyre me shampo.

Vajrat esencialë

Shtoji shampos 3-4 pika vaj esencial portokalli, mëllage ose livandoje. Vetitë e tyre janë shumë të mira për flokët me yndyrë. Disa pika nga vaji esencial mund të përzihen me një lugë uthull apo limon e cila më pas mund të hidhet në një litër ujë. Pas shampos mund të bëhet shpëlarja e flokut.

Rrënjët me yndyrë maja të thata

Për shkak të lyerjes së shpeshtë, permanentit, dekolorimeve apo larjeve me shampot gërryese, mund të ndodhë edhe kështu që rrënjët të jenë të yndyrshme ndërsa majat e thata. Ja se ç’duhet bërë në raste të tilla

-maska me argjile duhet aplikuar vetëm te rrënjët jo te majat

Këshilla të tjera

Si shtesë ndaj trajtimeve kozmetike, është e domosdoshme të kemi edhe një stil jetese të shëndetshëm. Orët e gjumit duhet të jenë të mjaftueshme, ushqimi duhet të jetë i ekuilibruar (me shumë fruta dhe perime). Mund të përdoren edhe integratorë ushqimorë kundër flokëve të yndyrshëm, me bazë zinku dhe vitamine B6.

Pollo: Deputetët europianë kanë kërkuar informacion për Ballën

Deputeti i PD, Genc Pollo, i cili ishte edhe pjesë e delegacionit të Stabilizim Asociimit në Bruksel tha se deputetët e Parlamentit Europian kanë kërkuar informacion zyrtar nga ekzekutivi i BE për Taulant Ballën.

I ftuar në studion e lajmeve të Ora News, Pollo tha për gazetaren Beti Njuma se situata e krijuar ditën e djeshme me deputetët e PE nuk ishte e këndshme, por sipas tij nuk ishte ajo thelbi i çështjes.

Pjesë nga intervista

 Beti Njuma: Pse akuzat ndaj Ballës ju nuk i bëni aty ku duhen bërë, në organet e drejtësisë, pse nuk shkoni në Parlament, por shkoni në PE për të na bërë gazin e botës. Ishte një shfaqje e padenjë edhe për ju si politikanë, por edhe si përfaqësues të Shqipërisë? Në sytë e mi ishte dëshpëruese.

Genc Pollo: Ishte e pakdënshme, këtu mund të biem dakord sepse qoftë të ngresh akuza personale, qoftë ta bësh këtë në një kontekst europian nuk besoj që në vetëvete i pëlqen njeriu. Por pyetja që ju dhe qytetarët mund të ngrini është a ishte e domosdoshme? Dhe këtu dalim tek thelbi i çështjes, sepse ka shumë tentativa për ta çuar debatin në periferi dhe jo në thelb të çështjes. A është normale që një person që ka pranuar se është mik familje me të dënuarin për trafik droge, të kryesojë delegacionin shqiptar në PE?! Kur akuzat janë kaq të rënda dhe dyshimet janë të forta dhe provat duket se i vërtetojnë ato, por gjykata do vendosë pas disa vitesh ka pasoja politike. Ofiqari thotë: Më vjen keq, unë tërhiqem, unë pezulloj veten time sa të sqarohen akuzat sepse qëndrimi im cënon besimin në ofiqin publik, sepse qëndrim im ende në detyrë influencon hetimet.

Beti Njuma: Deputetët e PE nuk janë gjykatës, të mos kërkojmë të vënë ata në peshore akuzat politike PD-PS…

Genc Pollo: Ata janë të informuar dhe ata i detyron protokolli që të pranojnë edhe Taulant Ballën në presidium.

Beti Njuma: Ju përmendin edhe kafshatën e bukës, ju deklaruan që keni shkuar për të ngrenë një drekë të shijshme…

Genc Pollo: Më thonë edhe gjëra më të rënda se kjo, por thelbi i çështjes nuk është ky.

Beti Njuma: Çfarë ju kanë thënë për Taulant Ballën? Ju keni bërë një deklaratë sot ku thoni se deputetët e PE kanë bërë deklarata personale sa i takon Taulant Ballës?

Genc Pollo:  Ajo që po shpjegoj është se ata nuk mund ta shkarkojnë sepse nuk kanë tagër, por ata pranojnë privatisht se janë të shqetësuar për gjendjen në Shqipëri dhe kriminalitetin dhe lidhjen me politikanët e pushtetit. E dyta që ky person përfaqëson Shqipërinë. Shprehja më klasike që mund të thuhet është “do zemë hundën me dorë dhe do bëjmë një orë mbledhje”, sepse e kemi detyrim për ta bërë. 

Beti Njuma: Çfarë i pengon deputetët e PE të shprehen hapur kundër zotit Balla?

Genc Pollo: Një pjesë prej tyre kanë kërkuar informacion zyrtar nga ekzekutivi i BE, kjo gjë mund të ketë ndodhur edhe në ndonjë shtet anëtar të BE. Pra çështja nuk është se po mbetet në një kapsulë dhe po mbytet, çështja po merr dimension ndërkombëtar. 

Shalsi: Ajo që bëri opozita shastisi edhe deputetët europianë

Një shfaqje të shëmtuar dhe të turpshme e quan mazhoranca atë që ndodhi në Parlamentin Europian, ku opozita shqiptare u largua. Në një lidhje me skype, deputeti i PS, Eduard Shalsi tha për gazetaren Beti Njuma, se ajo që bëri opozita “shastisi” edhe deputetët e Parlamentit Europian.

Intervista

Beti Njuma: Bojkoti i opozitës është zhvendosur nga Parlamenti shqiptar në Parlamentin Europian, çfarë pasojash do të ketë për Shqipërinë ky zhvillim dhe për proceset integruese?

Eduard Shalsi: Ishte e shëmtuar dhe turpshme ajo që ndodhi sot. Nuk ishte bojkot, por ishte një largim i beftë që “shastisi” edhe deputetët e PE. Nuk janë deputetë të majtë, por ka edhe të majtë dhe të djathtë që u befasuan nga sjellja aspak e denjë e opozitës shqiptare. Janë skena që i kemi parë në parlamentin shqiptar dhe shpresonim se do t’ia kursenin deputetëve europiane.

Beti Njuma: A ekzistonte mundësia që të shmangej kjo sjellje,duke u zëvendësuar zoti Balla?

Eduard Shalsi: Po mbi çbazë duhet të zëvendësohej zoti Balla? Mbi bazën e tymnajës, thashethemeve! E tha mirë një deputeti i parlamentit na jepni prova, ju nuk jeni gjykatës. Nëse ka akuza i drejtohen organeve kopetente dhe më pas ato vendosin. Në kuadër të gjithçka bën opozita është e turpshme të imagjinohet një sjellje e tillë në PE.

Beti Njuma: Çfarë pasojash do të ketë kjo sherrnajë?

Eduard Shalsi: Përveç një shëmtie dhe një fytyre që pavarësisht se janë opozitare, janë ata që janë dhe ne nuk do të donim që Shqipëria të merrtë nje njollë për shkak të papërgjegjshmërisë së disa individëve që flasin në emër të opozitës. Nuk është populli i opozitës që të përfaqësohen në një mënyrë të tillë.

Ajo që ndodhi më vonë është provë se gjërat do të vazhdojnë, pavarësisht vjen apo nuk vjen grupi opozitar. Ne diskutuam mbi të gjitha amendamentet. Madje PD dhe opozita u braktis edhe nga grupi  i partive popullore, të cilat kishin depozituar amendamente, një pjesë e të cilave u morën në konsideratë.

Princ Harry dhe Meghan në pritje të fëmijës së parë

Meghan, dukesha e Sussex, është në pritje të fëmijës së saj të parë me princin Harry. Lajmi është konfimuar nga familja mbretërore e Britanisë.

Në një deklaratë Pallati Kensington tha se foshnja pritet të vijë në jetë në pranverën e vitit 2019. Mbretëresha Elizabeta II do të jetë gjyshja e fëmijës.

Lajmi i bukur vjen pesë muaj pasi çifti u martua në një ceremoni në Windsor Castle.

Fëmija i ri do të jetë i kandidati i shtatë për fronin mbretëror.

Harry dhe Meghan ishin në Australi në turneun e tyre të parë jashtë shtetit si çift, kur lajmi filloi të përhapej në mediat sociale.

Zgjaten sërish me tre muaj hetimet për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Vendimi për zgjatjen me tre muaj hetimetu mor nga grupi i prokurorëve që ka në hetim dosjen “Tahiri”pas një takimi që patën sot për këtë çështje.

Afati i hetimeve nga zgjatja e fundit përfundon në 17 janar. Hetuesit kanë administruar deri tani përgjigjet e letër-porosive të mbërritura nga Greqia Italia dhe Mal të Zi, por pritet që të vije edhe përgjigjia e një letër-porosie që është dërguar së fundi në Itali.

Në këto vende, Tahiri ka kryer disa lëvizje me disa nga personat që janë në të njëjtën dosje hetimore me të.

Ndaj ish-Ministrit, Prokuroria po zhvillon edhe një hetim pasuror, pas dyshimeve se një pjesë e pasurisë së tij është produkt i aktiviteteve kriminale.

Por deri tani, pas gati një vit hetimi, nuk janë gjetur të ardhura të dyshimta. Llogaritë e tij bankare, të familjarëve dhe pasuritë e paluajtshme rezultojnë të justifikuara.

Ndërsa për pjesën tjetër të personave që janë në hetim për trafik ndërkombëtar droge si pjesë e grupit të vëllezërve Habilaj, prokuroria ka vendosur sekuestron e disa pasurive, si tre dyqane, apartamente dhe një pikë karburanti, të dyshuara si të krijuara nga veprimtaria kriminale.