Notoi për 157 ditë notoi përreth Britanisë së Madhe

Ross Edgley është bërë njeriu i parë, që e kaloi not tërë bregdetin e Britanisë së Madhe, duke notuar për më se 3,200 kilometra.

Ai arriti në Margate 157 ditë pasi u nis nga Kenti, ndërsa u përball me valë të fuqishme, rryma ujore, kandil deti dhe mot të ftohtë.

Britaniku 32-vjeçar, që ka gjendje shumë të mirë fizike, kaloi ujërat e Anglisë, Uellsit, Skocisë dhe Irlandës, pa e vënë këmbën në tokë dhe theu rekord për notimin më të gjatë në det.

Kur mbërriti në tokë të thatë, u prit prej familjarëve dhe miqve, si dhe shumë pushuesve në bregdet, ndërsa momentin e përshkroi si ‘emocionues’.

“Më falni që u vonova”, iu ka thënë shkurt ai familjarëve, pasi kishte planifikuar që tërë këtë aventurë ta përfundonte për 100 ditë.

Madje, ai është mahitur se ndjehej i zhgënjyer, për shkak se e ka mbajtur fytyrën për aq gjatë në ujë, ndërsa nëna dhe babai nuk u kujdesën që t’ia sjellin një picë.

Edgley e kishte lënë qytezën e Kentit më një qershor, për të notuar në drejtim të kundërt të akrepave të orës dhe nuk e vuri më këmbën në tokë, teksa notonte për 12 orë në ditë edhe gjatë natës.

Përgjatë udhëtimit, ai vuajti prej pickimeve të kandilave të detit, shqyerjes së kostumit të larjes dhe çarjes së gjuhës për shkak të ujit të njelmët.

Gjatë muajit gusht, ai ka hyrë në Librin e Rekordeve të Ginisit pasi me 74 ditë, u bë njeriu që notoi më së gjati duke notuar në det.

Në mënyrë që të mbijetojë në det, Edgley konsumonte nga 15,000 kaloi në ditë, ndërsa pushonte në barkën që e shoqëronte.

Hahn: Shqipëria drejt BE, ka lënë pas Serbinë

Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Europian, Johannes Hahn ka deklaruar se Shqipëria dhe Maqedonia tani mund të jenë dy vendet të cilat po “vrapojnë” drejt Bashkimit Europian.

Gjatë një interviste për gazetën gjermane Die Welt, Hahn tha se për një kohë të gjatë ka qenë Serbia dhe Mali i Zi përparuese drejt BE, por tani mund të jenë dy vendet e tjera, Shqipëria dhe Maqedonia.

Hahn: Vendet anëtare argumentojnë se pranimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor ka kuptim vetëm nëse të gjashtë vendet mund të përfshihen. Ekziston një lloj konkurrence pozitive në Ballkan për atë se kush bën përparimin më të shpejtë. Për një kohë të gjatë, Serbia dhe Mali i Zi ishin të ashtuquajturat “vrapues” në procesin e pranimit në BE, por tani mund të jetë Shqipëria dhe Maqedonia.

Cilat probleme themelore duhet të zgjidhen përveç çështjes së emrit në rastin e Maqedonisë, përpara se vendet e Ballkanit Perëndimor të mund të bashkohen?

Hahn th se përpara se vendet e Ballkanit t’i bashkohen BE duhet të zgjidhen disa çështje, ku më kryesorja është që Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë një zgjidhje për mosmarrëveshjen e tyre. Ndërsa Bosnjë-Hercegovina duhet të ndryshojë kushtetutën për pakicat etnike.

Hahn ka bërë thirrje që t’i jepet fund negociatave të pranimit të Turqisë në union.

“Anëtarësimi i Turqisë në BE nuk është realist në të ardhmen e afërt”, tha Hahn për gazetën Die Welt të martën.

“Do të ishte më e ndershme që Turqia dhe BE të ndjekin një drejtim të ri dhe t’i japin fund bisedimeve të pranimit”, u shpreh komisioneri Hahn.

Helidon Bendon në krye të SHISH

Presidenti Ilir Meta ka firmosur emërimin e Helidon Bendos në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror. Kreu i shtetit e ka vendosur firmën për Bendon një ditë më parë, ndërkohë që ajo vjen fill pas një përplasje institucionale mes presidencës dhe kryeministrisë dhe pas një takimi 90 minutësh që Rama dhe Meta konsumuan këtë të dielë në lidhje me aryet e mosdekretimit të Sandër Lleshit në krye të ministrisë së Brendshme. Nuk dihen motivet që e çuan presidentin të bindet për të firmosur për drejtorin e SHISH por kjo mund të ketë lidhje edhe me ndonjë të dhënë që shërbimi i ka vënë në dispozicion presidentit në lidhje me emrin e Sandër Lleshit.

Në kulmin e një përplasje institucionale presidencë-kryeministri, kreu i shtetit Ilir Meta ka vendosur të dekretojë emrin e Helidon Bendos në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror gati 13 muaj pasi kryeministri Rama ia kishte propozuar. Ilir Meta e ka firmosur mbrëmjen e së hënës emrin e Bendos në krye të SHISH, i cili deri tani kryente detyrat e e kreut të Shërbimit Sekret nga karigia e nëndrejtorit të Shërbimit.

Emri i Helidon Bendos u propozua nga kryeministri Rama në tetor të një viti më parë, pas dorëheqjes së ish drejtorit të SHISH Visho Ajazi Lika, por për arsye ende jo të bëra publike kreu i shtetit nuk e kishte firmosur emrin e tij.

Presidenti Meta paralajmëroi dekretimin Bendos pak ditë më parë gjatë një interviste ku lavdëroi punën e tij.

Dekretimi i Bendos erdhi vetëm një ditë pasi presidentit Ilir Meta zhvilloi një takim kokë më kokë me kryeministrin Rama me të cilin qëndroi 90 minuta në zyrën e tij dhe ku u mësua se është folur për motivet që e çuan presidentitn në mosdekretimin e kandidaturës së Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm.

Meta është bindur të firmosë emrin e Helidon Bendos fill pas takimit kokë më kokë me kryeministrin. Nuk dihet nëse firma për Bendon ka lidhje apo jo me ndonjë informacion që SHISH i ka dërguar presidentit të Republikës në lidhje me kandidaturën e Lleshit, kur dihet që presidenti vuri në lëvizje Shërbimin Informativ Kombëtar si dhe shërbimin Informativ të Ushtrisë për emrin e tij para se të shprehej me dekret ose jo në emërimin në krye të ministrisë së Brendshme pas dorëheqjes së Fatmir Xhafajt.

Bendo ka eksperiencë 21 vjeçare në SHISH ku ka mbajtur detyra të ndryshme. Ai është diplomuar në vitin 1993 për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka një master në studime për sigurinë, si edhe një trajnim tre-mujor në fushën e sigurisë pranë Universitet George Town në SHBA. Gjithashtu, z.Bendo ka kryer edhe një sërë trajnimesh mbi çështje të sigurisë brenda e jashtë vendit.

Protestë në Mujalli, nxënësit shkojnë me urban në shkollë

Mbi 30 nxënës të arsimit 9 vjeçar të fshatit Mujalli në Fier u mungon transporti për në shkollë.

Çdo ditë ata udhëtojnë drejt Grecallisë, rreth 5 kilometra duke përdorur transportin urban.

Transporti për nxënësit është falas, por për prindërit shqetësimi më i madh është siguria e fëmijëve.

Ndaj mëngjesin e kësaj të hëne dolën në protestë për të kërkuar zgjidhje.

Në rast të kundërt paralajmëruan përshkallëzim të qëndimit.

Emiliano Mone pjesë e PD Fier ka protestuar bashkë me familjarë të fëmijëve dhe banorë të zonës. Nëpërmjet një publikimi në facebook ai është shprehur: Do të mbështes fëmijët e Mujallisë deri në fund. Për arsimim dhe transport të sigurt. Ne do të jemi gjithmonë zëri i padrejtësive që ndodhin këtu.

Rreth 33 mijë nxënës në të gjithë vendin u prekën nga mbyllja e klasave kolektive në fillim të vitit të ri shkollor.

Ministria e Arsimit garantoi transport falas për në shkollat ku ata u transferuan, por në disa zona fëmijët kanë hasur në problematika.

Rama: Do bindim Metën për Sandër Lleshin

Kryeministri Edi Rama ka thënë se mos dekretimi i Sandër Lleshajt është një shkelje kushtetuese nga ana e Presidentit Meta.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, mësohet se Rama i ka thënë deputetëve se Meta nuk i ka dhënë arsyetim për mosdekretimin e Lleshajt.

“Nesër në parlament do të nisim të bindim presidentin”, është shprehur kryeministri para deputetëve.

“Sandër Lleshi ka certifikatën ‘Top cosmic’, më e larta e NATO-s dhe mos dekretimi është shkelje kushtetuese”, ka thënë Rama.

Pavarësisht mosdekretimit, kryeministri Rama ka emëruar Sandër Lleshajn zv/ministër të Brendshëm, por me kompetencat e ministrit. Në lidhje me këtë çështje qeveria ka nisur takimet me Presidentin Meta, për ta bindur atë se Sandër Lleshi duhet të dekretohet.

Dje Rama takoi Presidentin, ndërsa sot me kreun e shtetit u takua kryeparlamentari Gramoz Ruçi.

Kuvendi pritet të shkarkojë Xhafajn nesër, Lleshi zv/ministër

Ditën e nesërme do të mblidhet jashtë radhe seanca parlamentare për të votuar shkarkimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm.

Seanca do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 10:00, kur edhe përfundon afati për dekretin për shkarkimin e Fatmir Xhafajt.

Ndërkohë burime nga grupi parlamentar i PS bëjnë të ditur se  Sander Lleshi është emëruar zëvendësministër i Brendshëm.

Fatmir Xhafaj u shkarkua të shtunën e kaluar nga kryeministri Rama,i cili propozoi Sandër Lleshin si emër të ri, por që nuk u dekretua nga Presidenti Ilir Meta.

Berisha: Basha ka merita për rrugën e kombit

Ish kryeministri Sali Berisha ishte i ftuar mbrëmë në emisionin “Debatinë Channel One” të gazetarit Roland Qafoku.

Berisha tha se Basha ka një meritë historike për rrugën e kombit dhe se nuk mund ta akuzosh se e imiton.

Sali Berisha: Kur e kam caktuar ministër të Punëve Publike e thirra dhe më pyeti: Përse unë këtu? Për këtë rrugën. Kjo është gjithçka, i thashë. Ne do ta ndërtojmë këtë rrugën me çdo kusht. Kur i shkoi Orsalia në zyrë dhe i tha çfarë e ke këtë hartë, Basha iu përgjigj (E mbante hartën edhe në tavolinë dhe në mur): E kam këtë hartë për të më kujtuar misionin tim kryesor, ndërtimin e rrugës. Lulzim Basha ka dhënë një kontribut shumë të madh në atë vepër. Ka patur kundërshti të mëdha. Unë isha i vendosur edhe sikur të ikte Banka Botërore, unë do ta ndërtoja rrugën. Por Lulzim Basha bindi përfaqësuesit e Fondit Monetar. Kjo është meritë e madhe e tij, edhe për shumë të tjera, por kjo është më e madhja. Basha nuk u dorëzua ndaj asnjë presioni për tu tërhequr nga ndërtimi i rrugës. Dhe së treti e ndoqi bashkë me financat procesin. Basha ka një meritë historike të padiskutueshme sepse e zbatoi një projekt që është sot korridori më vizibël i Ballkanit.

Në lidershipin e PD ndodhi ndryshim gjeneracional. Basha është gjenerata juaj. Nuk është gjeneratë e imja. Basha përfaqëson gjenerëtën e tij. Mund ta akuzosh Bashën për shumë gjëra por nuk mund ta akuzosh se po imiton Sali Berishën. Çka unë e përgëzoj. Sepse ai nuk duhet të më imitojë mua. Ai ka krijuar konturin e vetë të opozitarizmit. Nuk ka humbje të përhershme dhe nuk ka fitore të përhershme në politikë.”

Jetonte në Itali, dënohet me burg për vjedhje energjie në Shqipëri

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së enjtes sesi një emigrant shqiptar në Itali është dënuar nga drejtësia shqiptare për vjedhje të energjisë elektrike, pa qenë fare në Shqipëri gjatë kohës kur është konstatuar lidhja e paligjshme e energjisë elektrike.

Iqmet Bala denoncoi në emisionin investigativ se, vjedhja e energjisë elektrike është kryer në vitin 2014, ndërkohë që ai nuk ka qenë në Shqipëri që prej vitit 2011, por prokuroria dhe gjykata e kanë dënuar me 1 muaj burg dhe 2.2 milionë lekë të reja gjobë.

Qytetari është vënë në dijeni të rastit vetëm pak javë më parë, kur ka ardhur në Shqipëri për një dasmë, por që ditët e qëndrimit në atdhe i ka kaluar në burg.

Ai tregon se, prej shumë vitesh jeton në Itali, madje ka edhe pasaportë italiane. Në muajin shtator, ai ka ardhur në Shqipëri, pasi një miku i tij e ka ftuar për një dasmë. Por, sapo ka shkelur në Durrës, policia e ka arrestuar, pasi ai rezultonte person në kërkim, sepse është dënuar në mungesë me një muaj burg për vjedhje të energjisë elektrike.

Sipas dosjes penale, Bala thuhet se ka vjedhur energji elektrike në vitin 2014, por ai nuk ka qenë në Shqipëri atë vit. Këtë e vërteton edhe nga një shkresë e policisë, që ka verifikuar në sistemin TIMS hyrje-daljet e Iqmet Balës. Madje, sipas tij, ai nuk ka as ndonjë kontratë me OSHEE-në, pasi shtëpinë që ka pasur në Fushë Krujë e ka shitur që në vitin 1998. Ndërkohë ai thotë se kontrata për të cilën është dënuar, rezulton se nuk është në emër të tij, por në emër të personit që ka blerë shtëpinë e tij.

Pas ankesës së qytetarit, “Fiks Fare” siguroi dosjen penale ndaj Iqmet Balës, ku vihet re se kallëzimi është bërë nga OSHEE më 31 mars të vitit 2014, pasi prej saj ishte konstatuar rilidhje e paligjshme e energjisë elektrike. OSHEE-ja bëri denoncimin në prokurori dhe u dorëzoi oficerëve të policisë gjyqësore provat e rilidhjes së energjisë elektrike, kopje të procesverbalit, si dhe numrin e kontratës së dritave, që mbante emrin e abonentit Bala.

Pas kësaj, organi hetimor nuk ka kryer asnjë veprim, madje as nuk verifikuar se kush banonte në shtëpinë ku ishte bërë rilidhja e paligjshme e energjisë elektrike.

Sipas dosjes penale, ai thuhet se ka vjedhur energji elektrike në vitin 2014, por pretendon se që nga viti 2011 e deri ditën që është arrestuar në Durrës, ai nuk ka qenë në Shqipëri. Këtë e vërteton edhe nga një shkresë e policisë që ka verifikuar në sistemin TIMS hyrje-daljet e Iqmet Balës.

Për këtë arsye, “Fiks Fare” pyeti edhe në Prokurorinë e Krujës, nëse ka hetuar mbi kallëzimin e kryer nga OSHEE-ja, apo ai është dërguar i mirëqenë në Gjykatën e Krujës, ku Iqmet Bala është dënuar padrejtësisht për vjedhje energjie elektrike.

Prokurori Bujar Çiçi deklaroi se në atë kohë janë kryer hetimet, i është kërkuar policisë informacion mbi vendndodhjen e Iqmet Balës. Sipas tij, policia ka sjellë informacion se ai nuk ndodhet në Shqipëri, por nuk ka kontrolluar në sistemin TIMS për të verifikuar se ai nuk ka qenë në Shqipëri, në momentin e kryerjes së veprës penale. Ai tha se prokuroria e ka kërkuar këtë informacion, por gjykata nuk e ka kërkuar një gjë të tillë nga policia.

Pra, edhe pse rezulton se ai nuk ndodhej në Shqipëri në momentin e kryerjes së veprës penale, ky verifikim nuk është kryer as nga policia, as nga prokuroria dhe as nga gjykata. Mosthellimi i organeve kompetente në hetime i kushtoi Iqmet Balës 11 ditë burg.

Pas arrestimit, Iqmet Bala u detyrua të kërkojë rivendosje në afat për të apeluar dënimin e dhënë në atë kohë. Më 26 shtator, Gjykata e Krujës pranoi kërkesën e të dënuarit gabimisht dhe e liroi atë. Pas lirimit nga burgu, Iqmet Bala tha se do e ndjekë rastin hap pas hapi dhe do të kërkojë dëmshpërblim për gafat e kryera që nga OSHEE-ja, prokuroria dhe gjykata.

Top Channel

Hapi mbi 3000 adresa të rrjeteve sociale, arrestohet i riu

Një 20 vjeçar nga Peqini dhe banues në Laprakë ka rënë në prangat e policisë me akuzën për veprat penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

Policia thotë se i arrestuari Arben Bozhiqi, dyshohet se ka ndërhyrë në mbi 3000 adresa të rrjeteve sociale etj., të cilat kanë qenë të shtetasve shqiptarë dhe të huaj.

“Ky shtetas u arrestua në flagrancë pas një hetimi 6-mujor në kuadër të Procedimit Penal të vitit 2018 për “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike” parashikuar nga neni 293/b i Kodit Penal”thotë policia.

Siç bën me dije policia, 20 vjeçari ushtronte aktivitetin e tij kriminal që nga viti 2010 dhe gjatë kësaj periudhe kohore dyshohet se ka ndërhyrë në mbi 3000 adresa të rrjeteve sociale etj., të cilat kanë qenë të shtetasve shqiptarë dhe të huaj.

Gjithashtu nga bisedat e kryera në rrjetet sociale rezulton se kishte një shkëmbim adresash me qëllime të ndryshme si fitimi etj.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe personat të cilët mund të jenë të lidhur me këtë shtetas.

Materialet hetimore në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprimeve të mëtejshme për veprat penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike” si dhe për veprat  të cilat dolën gjatë hetimit “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtij shtetasi në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pajisje kompjuterike dhe një telefon celular.

Këto pajisje pasi u kqyrën rezultoi të përmbanin të dhëna të rëndësishme me interes për hetimin dhe më saktësisht:

–U gjetën 11 profile të rrjetit social “Facebook” me të dhëna të rreme të cilat administroheshin dhe përdoreshin nga shtetasi Arben Bozhiqi.

“Gjatë këqyrjes së profileve që administroheshin nga ky shtetas u gjetën foto intime të vajzave të ndryshme disa prej të cilave dyshohet se kanë qenë minorene në kohën kur këto foto janë realizuar si dhe dyshohet se këto foto janë marrë nëpërmjet marrjes së adresave të rrjeteve sociale të këtyre shtetaseve” sqaron policia.

-Mbi 1200 (njëmijë e dyqind) adresa të ndryshme të postës elektronike (e-mail, hotmail, yahoo, live etj., të shtetasve të ndryshëm.

-Mbi 400 (katërqind) kode hyrjeje (password) për adresa të ndryshme të rrjeteve sociale të shtetasve të ndryshëm etj.

-Mbi 100 (njëqind) adresa (URL) të faqeve të ndryshme të rrjetit social “Facebook” të shtetasve të ndryshëm.

-Mbi 50 (pesëdhjetë) link-e (adresa) të ndryshme të cilat janë përdorur në periudha të ndryshme kohore për të marrë (phishing) kodet e hyrjes së adresave të ndryshme të postës elektronike, rrjeteve sociale etj.

Medalioni i porositur nga Ali Pasha Tepelena gjendet në Gjermani

Një medalion i periudhës osmane ndodhet në shtëpinë e ankandit Kunker, Gjermani. Ai mendohet se është porositur në 1807 nga Ali Pasha Tepelena ( 1741-1822), sundimtari shqiptar Shqipërisë dhe Greqisë, i cili ishte i pavarur nga Porta e Lartë . Në kundërshtim me traditën islame, ajo tregon portretin e një gruaje me kostum oriental ose grek. Ajo quhet Mbretëresha [Vasiliki] Hanim. Hollësi të mëtejshme për këtë medalje jashtëzakonisht të rrallë janë të panjohura.

Imazhi perëndimor i medaljonit  dëshmon ndikimin e marrëdhënive të ngushta diplomatike që kishte filluar Ali Pasha Tepelena me Fuqitë e Mëdha në rajon. Në fillim Franca 1798-1800 dhe pastaj Rusia 1800-1807 zotëronin Ishujt Jonianë, fqinjë të Pashallëkut të Janinës. Ndërkohë që agjentë britanikë si William Martin Leake ishin të pranishëm në rajon.

Në dhjetor 1806, Porta e Lartë i hapi luftë Rusisë dhe Ali Pashë Tepelena nxitoi të përfitonte duke arrestuar konsujt rusë në territoret e veta dhe me artilerinë, që kishte marrë nga francezët u përpoq të sulmonte ishullin e Shën Maurës, por rusët ngritën kundër tij feudalët çamë dhe armatolitë e Thesalisë. Ali Pasha u pajtua me feudalët çamë, kurse i biri i tij Myftari e mbyti në gjak kryengritjen e armatolive në Thesali.

Kur Fransua Pouqueville i emëruar konsull i përgjithshëm i Francës, mbrriti në Janinë në 1806, i solli Ali Pashë Tepelenës dhe premtimin e Napoelonit se do t’i jepte nën administrim ishullin e Korfuzit nëse do të angazhohej në luftë kundër rusëve.

Tashmë Ali Pasha Tepelena zotëronte gjithë bregdetin e Çamërisë dhe po shikonte që të merrte në zotërim dhe Korfuzin dhe Ishujt Jonianë. Paqja e Tilsitit në vitin 1807 midis Francës dhe Rusisë bëri të mundur largimin e rusëve nga ishujt jonianë, zotërimin e tyre sërish prej Francës dhe largimin e rrezikut rus për të minuar pushtetin e Ali Pashë Tepelenës në Epir dhe More./ata/