Sipas KQZ deri më tani pjesëmarrja në zgjedhje të paktën për 12 nga 1.422 qendrat e votimit në Tiranë ka kapur nivelin e 34,52%.

Për herë të parë në gjithë këto seri incidentesh dhe shkeljesh të rënda ligjore përgjatë fushatës elektorale, kemi një prononcim publik të Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, Adriatik Llalla. Prononcimi u mor pas votimit të tij, në zonën përkatëse zgjedhore.
Llalla ka deklaruar në lidhje me ngjarjen e rëndë të vrasjes së komisionerit të LSI-së në këtë qark se, autorët do të vihen para përgjegjësisë.
“Autorët do të dalin para përgjegjësisë. Do të hetojmë të gjitha rastet. Nuk do të nxitohemi në dhënien e konkluzioneve pa përcaktuar shkaqet që çuan në këto ngjarje”, – është shprehur Llalla pas momentit të votimit në zonën e tij zgjedhore.
Eduard Kukan, kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Europian që do të ndjekë nga afër zgjedhjet në Shqipëri deklaroi pas daljes nga selia e PS-së, se pret që zgjedhjet të mbahen në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Kukan theksoi, se shqiptarët meritojnë një të ardhme europiane dhe se komuniteti ndërkombëtar shpreson që Shqipëria të lëvizë drejt integrimit. Ne lidhje me dhunën e ushtruar Kukan theksoi se duhet hetuar.
“Le të mos biem në përfundime paraprake, rëndësi ka që të hetohet. Shpresoj që kjo të hetohet”,- deklaroi Kukan.

Ngjarja e rëndë në Laç ku u vra përkrahësi i LSI-së Gjon Pjetër Gjoni, ka tërheur vëmendjen ekstreme të elitës politike. Në vendngjarje janë gjetur katër lloj gëzhojash të ndryshme, çka do të thotë se është qëlluar nga 4 persona të ndryshëm.
Në Laç kanë shkuar urgjentisht lideri opozitar Rama dhe kreu i LSI-së Meta. Në një Konferencë të përbashkët për shtyp, ato i kanë bërë apel qytetarëvë, që të vazhdojnë votimet dhe të mos frenohen nga këto akte.
Të dy liderët i kanë bërë apel Policisë së Shtetit që të mos mbrojë kriminelët, duke theksuar se Berisha nuk mund të mbajë dot pushtetin me gjak.
“Edhe tani që po flasim, Policia e Shtetit, nuk është në krye të detyrës. Forcat kriminale, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, janë hedhur në një operacion në orët e para të mëngjesit.
Ne jemi këtu për të apeluar pjesëmarrje, pjesëmarrje. Nuk ka asgjë që ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve. Ne jemi të vendosur dhe organizuar për të mbrojtur çdo votë. Këto janë përpjekje për të larguar dhe trembur votuesit dhe për të diktuar një vullnet që është krejtësisht minoritar.
U lutem qytetarëve që të dalin familjarisht në votim. Nuk ka kriminel që e pengon popullin të vendosë.
I them drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që të ndahet nga ky flirt me forcat kriminale dhe ta bërë policinë në shërbim të qytetarëve.
Kemi hasur që nga Kukësi, por në të gjithë veriun, një përpjekje të tillë, sepse ata e kanë kuptuar se veriu do vendosë për të ndryshuar,” ka deklaruar lideri opozitar Rama.
Ndërkohë kreu i LSI-së, Meta, tha se ai vetë i ka kërkuar drejtorit të Policisë së Shtetit që të ndalojë gjakderdhjen në zonën e Laçit.
“Banditët e kriminelët, që aktualisht janë përpara qendrave të votimit, janë të mbështetur nga policia dhe nga kupola e lartë e Policisë së Shtetit.
Vetë Drejtori i Policisë së Shtetit është në mbrojtje të kriminelëve të PD.
Sali Berisha e di mirë se nuk është më kryeministër i Shqipërisë. Ai me banditë dhe me gjak nuk qëndron në pushtet.
Kriminelët nuk i mbron dot as Berisha, as Flamuri, as Kuliçi.
Njerëzit të dalin të votojnë. Fitorja do jetë plebishitare”, – deklaroi Meta.
Pas incidentit në Korçë, ku kreu i FRPD është goditur dhe ndodhet aktualisht në spital për marrjen e ndihmës së shpejtë, një tjetër incident raportohet. Është goditur me grushte kandidati i PS-së, Pendavinji, nga një simpatizant i PD-së.
I prononcuar për shtyp kandidati i PS-së, për Korçën Pendavinji ka deklaruar:
« Janë grahmat e fundit të PD-së në pushtet dhe ato po veprojnë me të tera mënyrat për të mbajtur pushtetin. Organizimi i tyre si banda për të ushtruar dhunë në qendrat e votimit. Është ushtruar dhunë që me nisjen e këtij procesi e deri në fund.”
Ambasadori i BE-së në Tiranë ka dhënë një apel shumë të rëndësishëm drejtuar elitës politike në vend, se dhuna është e papranueshme dhe të frenojnë militantët e tyre në përdorimin e saj.
“Dhuna nuk është e pranueshme sidomos në ditë zgjedhjesh, ajo nuk tolerohet. Mendoj që mesazhet, që kam dhënë janë plotësisht të qarta. Unë pres që partitë politike dhe mbështetësit e tyre, do të sillen pikërisht sipas mënyrës, që sapo thashë. Ne do të vazhdojmë që të vëzhgojmë dhe unë nuk përjashtoj as faktin që unë mund të shkoj edhe vetë në ato zona, që mund të jenë problematike“,- ka deklaruar Sequi.
Një ekip i Top Channel në Lac, i cili po punonte për raportimin e procesit elektoral është dhunuar nga një grup njerëzish ende të paidentifikuar.
Gazetarja e Top Channel Arta Berisha raportoi pak minuta më parë se një grup personash kanë sulmuar fizikisht operatorin Lorik Bajrami, ndërsa i kanë thyer kamerën me të cilën po regjistronte.
Sipas Berishës shkak për këtë sulm është bërë sepse ekipi po xhironte, kur ky grup personash iu thoshte zgjedhësve në qendrën e votimit në Sanxhak, se nëse ishin të majtë nuk mund të hynin të votonin e nëse ishin të djathtë, po.
Ky moment është filmuar nga operatori Bajrami, e me ta pikasur këtë gjë, ky grup personash reagoi menjëherë duke sulmuar punonjësin dhe duke shkatërruar tërësisht kameran.
Gazetarja Berisha dhe operatori Bajrami ndodhen aktualisht në komisariatin e policisë ku po bëjnë edhe një kallëzim për këtë ngjarje, ndërsa Top Channel i bën thirrje Policisë së Shtetit që të gjejë përgjegjësit e këtij akti dhe të reagojë për dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të medias.
/ Top Channel
Policia konfirmon se, personi i vrarë përpara qendrës së Votimit në Laç është Përkrahës i LSI-së Gjon Pjetër Gjoni, 53 vjeç si edhe është plagosur dhe kandidati i PD-së, Mëhill Fufi.
Sipas raportueses së Top Channel, forcat Renea janë nisur në drejtim të Lacit, pas vrasjes së ndodhur. Gazetarja ka raportuar nga Laçi, se ishin brenda zonës së votimit dhe kanë dëgjuar të shtëna që nuk kuptohej nga vinin. Kur gazetarja ka dalë jashtë ka konstatuar trupin e një personi të shtrirë në rrugë që mendohet të jetë ekzekutuar. Mendohet se ka edhe persona të tjerë të plagosur.