Sherr me grushta mes policëve, për motive të dobëta

policiaTre punonjës të Stacionit të Policisë së Vorës u përfshinë në një incident për shkak të kontrollit ndaj një makine, e cila dyshohej se lëvizte me një sasi droge. Shkak i sherrit mes policëve ka qenë vonesa e grupit të gatshëm që u thirr nga oficeri i krimeve për të shkuar në ndjekje të makinës së dyshuar. Incidenti ndodhi në afërsi të Vorës, kur oficeri Përparim Myftari është vënë në ndjekje të një makine të dyshimtë, ku ndodheshin tre djem dhe dy vajza dhe kërkoi prezencën e grupit të gatshëm pasi nuk mund të vepronte dot i vetëm. Pavarësisht kërkesës së tij, është dashur së paku një orë që furgoni i policisë të shkonte në vendin ku ndodhej oficeri Myftari.

Ngjarja është zhvilluar rreth orës 02:00 të mëngjesit dhe ka pasur dyshime se mes policëve të Vorës, Përparim Myftarit dhe dy të tjerëve të mbërritur me furgon, Ramë Ymeri dhe Daut Mara, ka pasur edhe një konfrontim fizik. Burime nga Policia e Tiranës thanë se Myftari është shoqëruar mëngjesin e djeshëm dhe është marrë në pyetje nga oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pasi ndaj tij ishte bërë një denoncim për dhunë fizike nga njëri prej punonjësve të Policisë.

Në momentin e fundit është tërhequr denoncimi nga ana e policëve Ymeri e Mara dhe oficeri i krimeve është lënë i lirë. Megjithatë, ngjarja nuk ka kaluar pa asnjë ndëshkim, pasi Myftari është pezulluar nga puna pa ndonjë afat të përcaktuar. Nga ana tjetër, SHKB ka nisur hetim për sqarimin e incidentit, duke përfshirë edhe neglizhencën e dy punonjësve për të shkuar në vendin e ngjarjes. Rasti pritet që të shqyrtohet të hënën edhe nga komisioni i disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

INCIDENTI
Oficeri i Policisë së Vorës, Përparim Myftari, ka qenë i gatshëm mbrëmjen e së premtes dhe përgjatë orëve të para të së shtunës. Në kohën që ndodhej në automjetin e tij, ai ka parë një makinë të dyshimtë, brenda së cilës ndodheshin 3 djem e 2 vajza, dhe u ka bërë shenjë për të ndaluar, pasi sjellja e tyre ishte e shfrenuar dhe, veç të tjerash, kishte informacione se mund të kishin lëndë narkotike. Pasi i ka bërë shenjë për të ndaluar dhe makina ka vazhduar lëvizjen në drejtim të Tiranës, ai ka lajmëruar në Stacionin e Policisë së Vorës dhe ka kërkuar përforcime. Madje ka kaluar edhe te Stacioni i Policisë, kur policët e turnit i kishte zënë gjumi.

Ndërkohë ka vazhduar ndjekjen e automjetit të dyshimtë i vetëm, në pritje të mbërritjes së grupit të gatshem që sipas burimeve, ka vonuar një orë për të mbërritur në vendngjarje, pasi Myftari e kishte ndaluar i vetëm automjetin. Në momentin kur dy policët kanë ndaluar te makina që po verifikohej, Myftari i ka kërkuar llogari se përse ishin vonuar aq shumë.

Madje dyshohet se mes tyre ka pasur edhe përleshje fizike, pasi njëri prej policëve ka ngritur dorën, duke tentuar të godasë oficerin e krimeve, të cilit i është përgjigjur se nuk kishte asnjë arsye për t’i dhënë llogari. Burimet thanë se në kundërpërgjigje të këtij veprimi, edhe Myftari ka reaguar, megjithatë, ai vetë ka mohuar në Polici së është konfrontuar me kolegët.

Inspektoriati Ndërtimor: Do shembim çdo ndërtim pa leje në Tiranë

ndertim pa lejeInspektoriati Ndërtimor Urbanistik ka vijuar prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë. Sot, Inspektoriati ka prishur një shtese kati pa leje në rrugën “Shfqet Ndroqi”, i ndërtuar ditët e fundit në njësinë bashkiake nr.2.
Objekti në fjalë ishte tre kat, dy katet e para të objektit ishin me leje, ndërsa shtesa e katit që ju nënshtrua prishjes ishte i paligjshëm.
Inspektoriati bën të ditur se pas verifikimit të deklarimit pranë ALUIZNI-t të disa objekteve të ndërtuara pa leje, janë konstatuar deklarime në kundërshtim me ligjin të cilat do të prishen.
Aksioni i Inspektoriatit do të vijojë edhe në ditët në vazhdim deri në goditjen e çdo objekti informal të ndërtuar në kundërshtim me ligjin, brenda territorit të Tiranës.

Ndërkohë Inspektoriati bën thirrje që qytetarët ta zbatojnë ligjin dhe mos e cenojnë atë, në të kundërt do të përballen me forcën e ligjit, duke mos toleruar asnjë ndërtim pa leje në kryeqytet.

Shi e breshër në Vlore, përmbyten rrugët

rrebeshËshtë gusht dhe piku i verës, por kjo nuk i ndalon kapriçot e motit. Mësohet se sot në Vlorë, të gjithë pushuesit kanë boshatisur plazhet, si pasojë e një ere të fortë që ka nisur rreth mesditës.
Raportohet se më pas, era ia ka lënë vendin motit të keq me stuhi, shi e breshër. Shiu i rënë nuk ka larguar vetëm pushuesit nga plazhi, por mësohet se janë përmbytur edhe rrugët kryesore të qytetit.
Po ashtu bëhet me dije se nga era e fortë është rritur edhe forca e dallgëve të detit.
Për sa i përket temperaturave në qytetin bregdetar të Vlorës, ato sot janë 31 gradë me 22 gradë minimalja, ndërsa nesër pritet të ketë sërish një rritje me 3 gradë në vlerat maksimale, ditën e nesërme.

Pranga vëllait, dhunonte motrën

violenza-sugli-uominiDhuna në familje është bërë një fenomen mjaft i përhapur kohët e fundit, ku çdo ditë në polici denoncohen disa raste. Ditën e sotme policia ka arrestuar një 17-vjeçar për akuzën e dhunës në familje. Policia e kryeqytetit bën me dije se shtetasi Emra Demiri ka dhunuar fizikisht motrën e tij.

Pre e dhunës, sipas të njëjtave burime është bërë 22-vjeçarja Santiljana Rexha. Ngjarja mësohet se ka ndodhur sot në Rrugën ‘Shaban Bardhoshi’, ndërsa arrestimi është bërë pas denoncimit të kësaj të fundit, nga forcat e komisariatit nr.6.

Reeker: Zgjedhjet në Shqipëri të suksesshme

Philip_ReekerZëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker i cilëson të suksesshme zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Shqipëri. Deklarata e tij u bë gjatë një video konference nga Nju Jorku, kushtuar angazhimit amerikan në Ballkan, sic shkruan Zëri i Amerikës.

Reeker ndër të tjera ka përshëndetur sjelljen e aktorëve politikë, ndërsa tha se ky ishte shembulli i një procesi demokratik në rajon.

“Dua të theksoj se zgjedhjet e qershorit përbëjnë një arritjet të rëndësishme në evolucionin demokratik të Shqipërisë si dhe një provë të rëndësishme, ndërsa Shqipëria i afrohet statusit të kandidatit në BE. Kolegët e mi evropianë e kishin bërë të qartë se të gjithë do t’i ndiqnin nga afër këto zgjedhje. Mendoj se Shqipëria u bashkua me disa vende të tjera të rajonit, që gjatë vitit të fundit kanë zhvilluar zgjedhje të sukseshme në përputhje me standartet. Dua të theksoj gjithashtu se puna e vështirë për ndërtimin e demokracisë nuk përfundon me numërimin e votave dhe shpalljen e fituesve. Ne jemi të kënaqur që përpjekjet për formimin e qeverisë së re duket se po vazhdojnë normalisht. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin dhe të inkurajojnë qeverinë e re të veprojë në bazë të mandatit të fuqishëm, që ajo siguroi nga votuesit dhe të përqëndrohet në procesin e kandidatit në BE”.

Zoti Reeker u kujtoi të pranishmëve se ky proces u bllokua në Shqipëri për shkak të retorikave të forta dhe tani që zgjedhjet kanë përfunduar, tha ai, shpresojmë që përpjekjet të përqëndrohen përsëri në këtë drejtim dhe në një rast të tillë Shqipëria do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Qeveria e re, tha zoti Reeker, duhet të përqëndrohet në reforma të rëndësishme, të nevojshme për të arritur këtë objektiv si dhe në forcimin e shtetit juridik, në nxitjen e transparencës dhe të përgjegjësisë. Ai përsëriti qëndrimin amerikan mbi nevojën, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit, që qeveritë duhet të përqëndrohen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zoti Reeker përsëriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të aspiratave të vendeve ballkanike drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Të ndeshura edhe me vështirësi ekonomike, që kanë përfshirë gjithë botën, Shtetet e Bashkaura mbeten të angazhuara të ndihmojnë vendet e Ballkanit të zbatojnë reforma në ekonomi, sipërmarrje dhe në investime si dhe në shtetin juridik, tha ai. Shtetet e Bashkuara besojnë se integrimet Euro-Atlantike në Ballkan janë një element shumë i rëndësishëm për arritjen e një Evrope të bashkuar, të lirë, në paqe dhe gjithnjë e më të begatë. Ky objektiv, theksoi zoti Reeker, mbetet gurëthelem i politikës së jashtme amerikane në Evropë, përparësi kryesore për Shtetet e Bashkuara, për Departamentin e Shtetit dhe për administratën e presidentit Obama.

Kodheli: SHQUP-I do t’i kthehet ushtrisë

mimiMimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes në qever inë “Rama”, e quan të jashtëligjshëm vendimin e qeverisë për t’i kaluar për përdorim godinën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë Partisë Demokratike. Një ditë më parë u zbulua një nga vendimet e fundit të qeverisë, që kalonte pikërisht mjediset e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në seli të Partisë Demokratike.
Në një intervistë për “Top Channel”, zonja Kodheli sqaron se ku është shkelur ligji me këtë vendim të Këshillit të Ministrave nga ana e qeverisë në ikje. “Ky vendim është marrë në mungesë të plotë të transparencës. Nuk është shpallur në faqen zyrtare të Kryeministrisë. Ajo që është më e rënda dhe më e rëndësishmja, është marrë në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës, sepse SHQUP-i konsiderohet një unitet ushtarak, që është pjesë e një plani të shpërndarjes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, – tha ministrja e re e Mbrojtjes. Sipas saj, “duke qenë pjesë e kësaj liste, duhet të merret një miratim i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht i Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, pa përjashtuar këtu Ministrinë e Mbrojtjes”. Ajo shton se vendimi shkel hapur ligjin 8671, datë 26.10.2000, i ndryshuar me ligjin 9194, datë 19.2.2004, ku në pikën 3 thuhet se Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, “miraton planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje….” Mimi Kodheli deklaron se, gjatë një bisede telefonike që pati me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Gjunkshin për këtë çështje, ai i ka pohuar se nuk ka firmosur asnjë shkresë për nxjerrjen jashtë inventarit të pronave të Ministrisë së Mbrojtjes të ndërtesës së SHQUP-it. “Unë kam kontaktuar me Shefin e Shtabit më shumë se një rast dhe kjo gjë nuk ka ndodhur, gjë që më bën të besoj se kjo VKM, ky vendim i marrë dje nga ana e qeverisë është plotësisht në shkelje të ligjeve të shtetit shqiptar”, – deklaroi Kodheli. E pyetur se çfarë do të bëjë qeveria e re për këtë çështje, kur ajo të marrë detyrën në shtator, Kodheli tha se: “Ju siguroj se ne do ta kthejmë në situatën e mëparshme, statusin e asaj që ne e quajmë SHQUP. Do të vëmë përpara përgjegjësisë të gjithë ata të cilët me vetëdije kanë shkelur ligjet e shtetit shqiptar”. Jo vetëm për godinën e SHQUPit, por edhe për të gjitha pronat e Ministrisë së Mbrojtjes që po përpiqen të shiten me urgjencë nga qeveria “Berisha”, zonja Kodheli premton një hetim të hollësishëm.
“Kudo ku është abuzuar dhe shkelur ligji, të gjitha procedurat do të kalojnë në një auditim të hollësishëm dhe unë besoj se abuzuesit do të marrin përgjigjen që meritojnë. Ligji duhet të jetë mbi gjithçka dhe ne duhet të jemi të gjithë të barabartë përpara tij”, – theksoi ministrja e Mbrojtjes. Ajo përfundoi duke thënë se: “Nuk bën përjashtim këtu, qofshin edhe njerëz me pushtet, siç janë njerëzit që sot në shkelje të plotë të ligjeve kanë marrë këtë vendim, i cili ju siguroj që do të jetë një vendim që do të rikthejë në vend këtë godinë, e cila konsiderohet një godinë e rëndësisë së veçantë”.

Aksident në Lushnje, vdes 27-vjecari

aksidentAksident me pasojë vdekjen në Lushnje. Ngjarja e rëndë është shënuar mëngjesin e kësaj të shtune në afërsi të fshatit Konjat, të Lushnjes.
Sipas të dhënave të para të policisë, drejtuesi i mjetit tip Volvo me targa AA337FV ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga e më pas është përplasur me murin anësor. Për pasojë një person ka mbetur I vdekur dhe dy të tjerë është janë plagosur.
Policia sqaron se viktima është shtetasi Admir Bebej 27-vjec, ndërsa të plagosurit janë Lenci Saro 30 vjeç dhe Nerti Lila, 30 vjeç. Nuk dihet nëse viktima është edhe drejtuesi i mjetit.
Mësohet se dy të plagosurit janë shtruar në spitalin e Lushnjes ku po marrin ndihmën e nevojshme.
Policia ndërkaq po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit.

Shqipëria ne zjarr, digjen masive pyjesh

zjarr ne shqipNë Pukë, në pyjet e Munellës flakët kanë dalë jashtë kontrollit, ndërkohë që aktiv vijon të jetë edhe zjarri në pyjet e Krrabit dhe në pyjet Lumbardhit. Vatra zjarri edhe në Vlorë, Berat dhe Sarandë. Gjendja është në alert në të gjithë vendin.

SARANDË
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë sot pasdite edhe në kurorën e pyjeve në Sarandë. Në vendngjarje raportohet të kenë mbërritur forcat zjarrfikëse, ndërsa për shuarjen e flakëve po ndihmojnë edhe banorët e zonës. Ende janë të paqarta shkaqet e rënies së zjarrit.

BERAT
Sipërfaqe të tëra me pisha janë përfshirë sot pasdite nga zjarri në Berat. Mësohet se zjarri ka rënë në pyllin në Gurë të Bardhë, duke djegur sipërfaqe të mëdha me pisha. Mësohet se për të shuar flakët po punohet me mjete rrethanor,e pasi ndërhyrja e zjarrfikësve është pothuaj e pamundur, si pasojë e terrenit të vështirë.

VLORË
Në Vlorë një vatër zjarri në Kodër Shashicë, mbi fshatin Kaninë ka përfshirë ullishtat duke krijuar re të mëdha tymi që duken me sy të lirë dhe nga qyteti. Zjarri i nisur pas dreke vijon dhe këtë pasdite ndërsa paraqitet e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit të thyer malor.

PUKE
Shtohen vatrat e zjarrit në pyjet e Pukës. Aktualisht në këtë rreth vijojnë të jenë aktive tre vatra zjarri, në pyjet e Krrabit, Munellës dhe një vatër tjetër që është shfaqur ditën e sotme në pyjet Lumbardhit.

Zjarri në Munellë ka dalë jashtë kontrollit, duke djegur sipërfaqe të tëra me pyje. Në këtë zonë janë të përqendruara edhe forcat e ushtrisë, të cilët po punojnë për neutralizimin e flakëve. Zjarri në pyjet e Munellës vijon të jetë aktiv, prej tre ditësh. Ndërkohë në pyjet e Krrabit zjarret vijojnë që prej një jave dhe sipërfaqja e djegur shkon mbi 5 ha.
Kësaj situate të rëndë i është shtuar sot edhe një vatër tjetër zjarri, ajo në pyjet e Lumbardhit.

Situata problematike si pasoje e rënies së zjarreve në Pukë, këtë vit mbetet një nga më shqetësueset në vend, ndërsa nuk ka asnjë person të ndaluar, pasi shkak i tyre mbetet vetë dora e njeriut.

Tentativë vetëvrasjeje në aeroport

aeroporti i prishtinesAeroporti i Prishtinës, “Adem Jashari”, mbeti i bllokuar për 30 minuta mëngjesin e së premtes. Shkak për këtë bllokim u bë një tentativë për vetevrasje.
Sipas njoftimeve të policisë, në vendin e dorëzimit të bagazhit, në orën 09:05, një qytetar i vuri thikën vetes në fyt, duke kërcënuar me vetëvrasje.
Pas negociatave me policinë dhe përdorimit të forcës u bë e mundur çarmatosja dhe arrestimi i personit në fjalë, njoftojnë burimet policore.
Por pak minuta pas arrestimit, të njëjtin veprim bëri edhe vëllai i tij, i cili, sipas zyrtarit për informim në Policinë e Kosovës, ishte edhe më agresiv.
Të dy vëllezërit, të lindur në vitet 1977 dhe 1975, pas vizitës mjekësore nga ekipi i mjekëve të aeroportit u dërguan në stacionin policor të Lipjanit
Prej andej u njoftua dhe prokurori i qarkut, i cili do të kryej një hetim. Ende nuk dihet shkaku i tentativës së tyre për vetëvrasje.

Arrestohen 5 tutorë shqiptarë në Itali, shfrytëzonin femra

prostituzioneShkatërrohet një rrjet prostitucioni në Itali. Mëngjesin e 8 gushtit, policia e shtetit italian në përfundim të një investigimi të policisë së Genovas ka lëshuar urdhër arresti për 5 shqiptarë, nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit.
Sipas mediave italiane shqiptarët shfrytëzonin femra me shtetësi shqiptare dhe rumune.
Investigimi i policisë nisi me vëzhgimin e dy vajzave që prostituonin rrugëve të lagjes Sampierdarena. Nga hetimet u arrit të kuptohet se vajzat në fakt shfrytëzoheshin nga tutorë të huaj. Falë mbështetjes së agjentëve të policisë, vajzat në fjalë kanë gjetur kurajon të denoncojnë personat që i shfrytëzonin.
Hetimet ndërkaq zbuluan edhe mënyrën se si organizohej grupi. Mësohet se, tutorët në fjalë gjatë kohës së lirë frekuentonin sallat e lojërave të fatit, lokalet e natës, jetë e lehtë që bëhej në kurriz të vajzave që shfrytëzonin. Ndërsa, këto të fundit pasi mbaronin punën në rrugë, detyroheshin të rrinin në shtëpi.
Kështu në pranga kanë përfunduar shtetasit shqiptarë, Rigers Lula lindur në Shqipëri më 18.03.1985, i arrestuar në Genova, Arbër Mancellari lindur në Shqipëri më 27 12 1985, i arrestuasr në Genova, Bukurosh Cela i datëlindjes13.09.1985, edhe ky i arrestuar në Genova, si dhe Ilir Rinxhi (ditëlindja 31.12. 1977) e Arjan Zenuni (ditëlindja 16.07.1979) përkatësisht të arrestuar në Milano dhe Scalea.
Policia shton se gjatë arrestimit të Bukurosh Celës, një grua e quajtur Bold Lonela Maria rreth 21 vjec ka tentuar të hedhë nga dritarja një pako, që pas kontrollit rezultoi të kishte brenda 400 gramë heroinë dhe 2,25 gramë kokainë. Brenda apartamentit u gjet edhe një peshore, si dhe një pistoletë

Nisur nga kjo Cela dhe bashkëjetuesja e tij janë arrestuar edhe nënë akuzën e mbajtjes së substancave narkotike dhe armëve pa leje.