Reeker: Zgjedhjet në Shqipëri të suksesshme

57

Philip_ReekerZëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker i cilëson të suksesshme zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Shqipëri. Deklarata e tij u bë gjatë një video konference nga Nju Jorku, kushtuar angazhimit amerikan në Ballkan, sic shkruan Zëri i Amerikës.

Reeker ndër të tjera ka përshëndetur sjelljen e aktorëve politikë, ndërsa tha se ky ishte shembulli i një procesi demokratik në rajon.

“Dua të theksoj se zgjedhjet e qershorit përbëjnë një arritjet të rëndësishme në evolucionin demokratik të Shqipërisë si dhe një provë të rëndësishme, ndërsa Shqipëria i afrohet statusit të kandidatit në BE. Kolegët e mi evropianë e kishin bërë të qartë se të gjithë do t’i ndiqnin nga afër këto zgjedhje. Mendoj se Shqipëria u bashkua me disa vende të tjera të rajonit, që gjatë vitit të fundit kanë zhvilluar zgjedhje të sukseshme në përputhje me standartet. Dua të theksoj gjithashtu se puna e vështirë për ndërtimin e demokracisë nuk përfundon me numërimin e votave dhe shpalljen e fituesve. Ne jemi të kënaqur që përpjekjet për formimin e qeverisë së re duket se po vazhdojnë normalisht. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin dhe të inkurajojnë qeverinë e re të veprojë në bazë të mandatit të fuqishëm, që ajo siguroi nga votuesit dhe të përqëndrohet në procesin e kandidatit në BE”.

Zoti Reeker u kujtoi të pranishmëve se ky proces u bllokua në Shqipëri për shkak të retorikave të forta dhe tani që zgjedhjet kanë përfunduar, tha ai, shpresojmë që përpjekjet të përqëndrohen përsëri në këtë drejtim dhe në një rast të tillë Shqipëria do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Qeveria e re, tha zoti Reeker, duhet të përqëndrohet në reforma të rëndësishme, të nevojshme për të arritur këtë objektiv si dhe në forcimin e shtetit juridik, në nxitjen e transparencës dhe të përgjegjësisë. Ai përsëriti qëndrimin amerikan mbi nevojën, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit, që qeveritë duhet të përqëndrohen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zoti Reeker përsëriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të aspiratave të vendeve ballkanike drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Të ndeshura edhe me vështirësi ekonomike, që kanë përfshirë gjithë botën, Shtetet e Bashkaura mbeten të angazhuara të ndihmojnë vendet e Ballkanit të zbatojnë reforma në ekonomi, sipërmarrje dhe në investime si dhe në shtetin juridik, tha ai. Shtetet e Bashkuara besojnë se integrimet Euro-Atlantike në Ballkan janë një element shumë i rëndësishëm për arritjen e një Evrope të bashkuar, të lirë, në paqe dhe gjithnjë e më të begatë. Ky objektiv, theksoi zoti Reeker, mbetet gurëthelem i politikës së jashtme amerikane në Evropë, përparësi kryesore për Shtetet e Bashkuara, për Departamentin e Shtetit dhe për administratën e presidentit Obama.