Shqipëria ne zjarr, digjen masive pyjesh

80

zjarr ne shqipNë Pukë, në pyjet e Munellës flakët kanë dalë jashtë kontrollit, ndërkohë që aktiv vijon të jetë edhe zjarri në pyjet e Krrabit dhe në pyjet Lumbardhit. Vatra zjarri edhe në Vlorë, Berat dhe Sarandë. Gjendja është në alert në të gjithë vendin.

SARANDË
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë sot pasdite edhe në kurorën e pyjeve në Sarandë. Në vendngjarje raportohet të kenë mbërritur forcat zjarrfikëse, ndërsa për shuarjen e flakëve po ndihmojnë edhe banorët e zonës. Ende janë të paqarta shkaqet e rënies së zjarrit.

BERAT
Sipërfaqe të tëra me pisha janë përfshirë sot pasdite nga zjarri në Berat. Mësohet se zjarri ka rënë në pyllin në Gurë të Bardhë, duke djegur sipërfaqe të mëdha me pisha. Mësohet se për të shuar flakët po punohet me mjete rrethanor,e pasi ndërhyrja e zjarrfikësve është pothuaj e pamundur, si pasojë e terrenit të vështirë.

VLORË
Në Vlorë një vatër zjarri në Kodër Shashicë, mbi fshatin Kaninë ka përfshirë ullishtat duke krijuar re të mëdha tymi që duken me sy të lirë dhe nga qyteti. Zjarri i nisur pas dreke vijon dhe këtë pasdite ndërsa paraqitet e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit të thyer malor.

PUKE
Shtohen vatrat e zjarrit në pyjet e Pukës. Aktualisht në këtë rreth vijojnë të jenë aktive tre vatra zjarri, në pyjet e Krrabit, Munellës dhe një vatër tjetër që është shfaqur ditën e sotme në pyjet Lumbardhit.

Zjarri në Munellë ka dalë jashtë kontrollit, duke djegur sipërfaqe të tëra me pyje. Në këtë zonë janë të përqendruara edhe forcat e ushtrisë, të cilët po punojnë për neutralizimin e flakëve. Zjarri në pyjet e Munellës vijon të jetë aktiv, prej tre ditësh. Ndërkohë në pyjet e Krrabit zjarret vijojnë që prej një jave dhe sipërfaqja e djegur shkon mbi 5 ha.
Kësaj situate të rëndë i është shtuar sot edhe një vatër tjetër zjarri, ajo në pyjet e Lumbardhit.

Situata problematike si pasoje e rënies së zjarreve në Pukë, këtë vit mbetet një nga më shqetësueset në vend, ndërsa nuk ka asnjë person të ndaluar, pasi shkak i tyre mbetet vetë dora e njeriut.