Vjedhja nëpërmjet TVSH-së, bashkëpunim i Ministrisë së Financave me Tatimet dhe Doganat

zyra_anti_korrupsion_ne_univerBurime nga grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës saktësojnë se është zbardhur skema e mashtrimit me TVSH-në, ku Ministria e Financave në bashkëpunim me Drejtorinë tatimore dhe me Doganën shqiptare kanë grabitur miliona lekë si rimbursim i vlerës së shtuar, raporton Shekulli.

Sipas këtyre burimeve, kanë qenë 11 kompani kineze të cilat nuk kanë qenë aktive që nga viti 2010. Këto kompani janë blerë më pas nga dy shqiptarë, më datën 10 gusht të këtij viti. Vetëm 14 ditë më vonë këto kompani kanë marrë miliona lekë si rimbursim i tatimit të vlerës së shtuar. Kjo skemë dyshuese ka zbuluar se janë të përfshirë në këtë grabitje zyrtarë të doganave si edhe të Ministrisë së Financave.

Shuma e grabitur është 515 455 275 lekë dhe në të janë përfshirë ish Drejtori Rajonal Tatimor i Tiranës, ish Drejtoresha e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, dy ish përgjegjës të Sektorit të Kontrollit Tatimor në këtë Drejtorisi dhe tre inspektorë kontrolli. Për të gjithë këta është kryer pezullimi nga detyra. Gjithashtu, në këtë vepër janë bashkëveprues dy persona përfaqësues ligjorë të 11 kompanive private të cilat pas përfitimit të rimbursimeve kanë kryer procedurat e çregjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Sipas burimit të akuzës, 8 persona të dyshuar janë akuzuar për veprën penale “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, vepër kjo e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 135 si dhe nenet 25 dhe 26 të Kodit Penal. Ndërkohë procesi hetimor është në vazhdim dhe veprime të tjera hetimore janë duke u kryer për zbardhjen e plotë të autorëve të skemës mashtruese.

 

 

Harasani: Martesat gay fyejnë Zotin

HARASANI-03_tn_17Pas deklaratës së Avokatit të Popullit, Igli Totozani për legalizimin e martesave gay, reagon sot ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani.

Nëpërmjet një postimi në rrejtin social “Facebook”, Harasani shprehet se është kundër legalizimit të këtyre martesave duke renditur edhe arsyet pse i kundërshton, bën thirrje që ta bojkotojnë të gjithë këtë nismë.

Jam kundra nismës së Avokatit të Popullit për legalizimin e martesave gay. Dhe këto janë arsyet:

1. Nuk është martesë

2. Është kundër ligjeve të natyrës

3. Në çdo rast do privojë një fëmijë nga nëna ose nga babai

4. Promovon stilin e jetës homoseksuale

5. Kthen një devijim moral në një të drejtë civile

6. Nuk krijon familje por një Bashkim natyror steril

7. Detyron shoqërinë ta pranojë homoseksualitetin

8. Fyen Zotin

Mos harroni. Jeta fillon me Adamin dhe Evën DHE JO ME Adamin dhe Stivin.

Thuajini të gjithë JO nismave të tilla.

Bllokohet Skele-Uji i Ftohtë, pritet shembja me C4 e një ndërtimi pa leje

pallati-ne-vloreMinistria e Brendshme ka bërë të ditur se gjatë paradites të së dielës do të shembet një ndërtesë pa leje në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, për këtë arsye do të jetë e bllokuar zona që të çon nga Skela në Ujin e ftohtë në qytetin bregdetar.

Ministria e Punëve të Brendshme, bazuar në nenin 46 të Ligjit “Për Policinë e Shtetit”, informon opinionin publik e në mënyrë të veçantë banorët e qytetit të Vlorës se duke filluar prej orës 07:00 e deri në orën 16.00 të datës 27 Tetor 2013, do të ketë regjim të kufizuar të qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve në rrugën “Çamëria” në qytetin e Vlorës dhe rrugët dytësore të lidhura me të.

Gjatë kohës së përcaktuar, në këtë zonë nuk do të lejohet qëndrimi apo lëvizja e mjeteve dhe këmbësorëve. Lokalet përreth zonës do të jenë të mbyllura. Policia e Shtetit këshillon pronarët dhe administratorët e tyre që të mbajnë dritaret e lokaleve të hapura. Policia e Shtetit rezervon të drejtën të bllokojë plotësisht qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve në segmentin Skelë – Uji i Ftohtë.

 

Garda, shkarkohet bashkëshortja e Prendit

ndrea-prendi-ne-gjyq-per-21-janarin-me-gri-465Ashtu siç ishte paralajmëruar ka nisur reforma edhe në Gardën e Republikës. Me propozim të komandanti të Gardës Gramoz Sako, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri raportohet se ka firmosur përjashtimin nga garda të tetë efektiveve, mes tyre edhe oficere të lakuar si ‘grupi i zjarrit’ përgjatë protestës së 21 janarit 2011.

Aktualisht po verifikohet se, si kanë përfituar gradë pas zgjedhjeve të 23 qershorit disa oficerë në këtë institucion, në një kohë që pritet që të propozohet përjashtimi edhe për 18 efektive të tjerë, që rezultojnë se nuk janë paraqitur në detyrë.

Janë liruar e më pas përjashtuar nga radhët e Gardës me motivacionin për thyerje të dispilinës dhe shkelje të betimit oficeri Fatos Skeja, së fundmi i angazhuar në njësinë speciale, por para 23 qershorit njihet si shoqërues i familjes së ish-Kryeministrit Berisha, por gjithashtu edhe një emër i lakuar në dosjen hetimore për rastin e një gjobëvënieje në Tiranë.

Janë liruar e përjashtuar edhe ish-shoqëruesi i ish-Komandantit të Republikës, Ilir Duraku, dhe ish-Komandanti i Njësisë Speciale, Agron Malaj i përfolur si pjesëtar në atë që u identifikua si grupi i zjarrit më 21 janar, raporton “Top Channel”.

Po ashtu është liruar nga detyra edhe Nënkapitene Marjana Prendi, bashkëshortja e ish-Komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Rezulton, se të përjashtuarit kanë udhëtuar jashtë Shqipërisë pa lejen e Ministrit të Brendshëm, një rregullore kjo e përcaktuar qartë për efektivët e Gardës. Ndërkohë ka paraqitur dorëheqjen nga detyra, Drejtori i Ruajtjes së Personaliteteve në Gardë, Bashkim Boletini.

10 derbet më të jashtëzakonshëm

real-madrid-vs-barcelona-free-stream-canadaTë gjithë fansat e futbollit, të shtunën në orën 18:00 do të mbajnë frymën në “Camp Nou” për të ndjekur Barcelona-Real Madrid, “El Clasico” e parë për këtë sezon. Përveç 90 mijë tifozëve në “Camp Nou”, kjo ndeshje do të tërheqë vëmendjen e 400 milionë tifozëve të tjerë, që do ta ndjekin drejtpërdrejtë këtë ndeshje nga ekrani.

Dy skuadrat ndajnë një rivalitet të hershëm, që është përshkallëzuar më shumë pas Luftës së Dytë Botërore. Ato nuk përfaqësojnë thjesht dy skuadra, është 90 minuta rivalitet mes dy rajoneve, Katalonjës dhe Kastiljanëve.

Por kush janë ndeshjet më të zjarrta në botë, që ia vlen të shihen, të paktën 1 herë në jetë. Pjesa më e madhe e specialistëve kanë bërë një listë me 10 ndeshjet më të zjarrta, që sigurisht nuk përfaqëson një rënditje domosdo absolute.

10. Borusia Dortmund-Schalke 04

Mund të mos ketë rivalitetin e derbeve të Amerikës së Jugut, apo vëmendjen e “El Clasico” në Spanjë, por Dortmund-Schalke mbetet një ndër ndeshjet më të zjarrta në Gjermani dhe kjo për faktin se të dyja skuadrat, bazën e tifozerisë e kanë tek klasa punëtore me një afërsi gjeografike të konsiderueshme.

 

9. Sporting Lisbone-Benfica

Është derbi me i rëndësishëm në Portugali. Sportingu mbështetet nga njerëzit e ngritur, ndërsa Benfica nga shtresat e gjëra. Rivaliteti i ashpër ka si origjinë vitin 1907, kur 8 lojtarë të Benfica-s u larguan për tek Sportingu për një pagë më të mirë.

 

8. Roma-Lazio

Derbi i kryeqytetit konsiderohet derbi më i zjarrtë në Itali i shoqëruar gjithmonë me trazira në stadium dhe jashtë tij. Tifozeritë e të dyja skuadrave urrejnë “arrogancën” e skuadrave veriore të Milanos dhe Torinos…por urrejnë më shumë njëra-tjetrën. Një tjetër arsye e rivalitetit të këtij derbi janë edhe pikëpamjet politike, romanistët janë përgjithësisht të majtë, lacialët të djathtë.

 

7. Club Nacional de Football-Atletico Penarol

Edhe pse shumë pak njihet në Europë, është njëri prej derbeve më klasikë në botë, ku përplasen dy skuadrat më të mëdha të Montevideos. Për të kuptuar më mirë rivalitetin mes tyre, mjafton të kujtojmë që më 14 prill në 1990 në një ndeshje të tillë u dhanë plot 22 kartona të kuq. Takimi përfundoi në minutën e 85 për shkak të rregullit të “më pak se 7 lojtarëve në fushë”.

 

6. Liverpul-Manchester United

Konsiderohet si një nga ndeshjet me rivalitet më të madh në Angli. Rooney, një “prodhim” i Everton në një deklaratë pas transferimit për tek United rrëfeu se si ishte rritur duke urryer Liverpulin, ndërsa gjatë një dokumentari për jetën, Gerard shoqëroi kamerat në dhomën e tij ku ndodheshin të gjitha bluzat e skuadrave të Premier Ligës…pervec asaj të Manchester United. “Një fanelë të tillë nuk do të ketë kurrë në shtëpinë time”, tha ai.

 

5.Milan-Inter

Derbi i Madoninës derbi më i ndjekur në botë dhe i vetmi në Europë ku dy skuadrat kanë qenë fituese të Ligës së Kampioneve dhe Botërorit të Klubeve. Që prej 1947 luajnë në të njëjtin stadium, ndërsa rivaliteti gjenerohet disi edhe nga orgjina e hershme e tifozerisë, shtresat e ulëta për Milanin dhe më të pasurit që mbështesnin Interin.

 

4. Galatasaray-Fenerbahce

I ndan vetëm uji dhe dy vite diferencë nga formimi i njëra-tjetrës. Huliganizmi është i zakonshëm në ndeshjet mes këtyre dy skuadrave. Urrejtja mes dy tifozerive është aq e madhe sa që shpesh përleshjet në stadium kanë dalë jashtë tij, madje duke u përhapur në shumë rajonë të Turqisë.

 

3. Real Madrid-Barcelona

Konsiderohet si rivaliteti më popullor në botë. Që prej përballjeve të para, dy klubet nuk shiheshin vetëm si dy skuadra në fushë, por si dy përfaqësuese të dy rajoneve rivale të Spanjës, Katalonjës dhe Kastijës.

 

2. Celtic-Rangers

Sigurisht është shumë më poshtë se Real-Barca, por derbi skocez ka një histori me dekada, ndërsa nga e gjithë lista, është i vetmi derbi i nisur me rivalitetin me “backgroun” fetar. Celtic mbështetet gjërësisht nga katolikët, ndërsa Rangers në masë të madhe nga protestantët.

 

1. Boca Juniors-River Plate

Njihet në gjithë botën si një ndër derbit më të pamëshirshëm. Gazeta britanike “The Observer” e vendos të parën në listën e “50 gjërave sportive që duhet të bësh përpara se të vdesësh”. Përgatitjet e tifozerive rivale në këtë derbi nisin me javë përpara dhe atmosfera e nxehtë pasqyrohet në gjithë Buenos Airesin. Tradicionalisht River Plate njihet si skuadra e të pasurve, ndërsa Boca Juniors si skuadra e shtresave të ulta.

Shqiptari përfitoi miliona dollarë me mashtrim, FBI e shpall në kërkim

1miramare triesteFBI-ja ka shpallur në kërkim ndërkombëtar një shqiptar, i cili akuzohet për mashtrim. Mediet amerikane bëjnë me dije se një shqiptar dhe gjashtë rumunë kanë përfituar miliona dollarë nëpërmjet mashtrimeve në internet. Mësohet se në kërkim është shpallur shqiptari Fabjan Meme. Grupi i “mashtruesve” ka arritur që përmes internetit, të përfitojnë miliona dollarë, ku kanë mashtruar qindra amerikanë, duke u shitur automjete dhe varka të shtrenjta, por që në fakt nuk ekzistonin.

Interpoli ka kërkuar ndihmën e FBI-së për kapjen e këtyre personave, ndërsa kreu i grupit ishte rumuni Nicolae Popescu.

Ata përdornin dokument false për t’u bërë më të besueshëm për klientët, ndërsa mësohet se nëpërmjet skemës kanë mundur të përfitojnë mbi 3 milionë dollarë. Ata kishin hapur disa llogari bankare përmes identiteteve të rreme, në të cilat transferonin paratë kryesisht në bankat amerikane.

I dyshuari si koka e grupit, 32-vjeçari Popescu është person me precedentë penalë në fushën e krimeve kibernetike. Ai rezulton të jetë arrestuar në 2010 nga autoritetet rumune, por shkak të disa procedurave burokatrike kishte fituar lirinë. Në të njëjtin vit shqiptari, Fabjan Meme, u shpall në kërkim, pasi ai u akuzua për mashtrim me transferta parash, pastrim parash, falsifikim pasaportash.

Ed Miliband duhet të mësojë nga Edi Rama

miliband-1Si një nga vendet më të varfra në Evropë, Shqipëria ka prirjen për t’u kthyer një vend të pasur me këshilla për një vend siç është Britani. Por tani ka ardhur koha që një nga vendet më të izoluara ish-komuniste të ofrojë një model politikani për Britani, thotë Alastair Campbell.

Ish-drejtori i komunikimit në Kryeministri thotë se lideri Laburist, Ed Miliband, duhet të marrë një risk dhe të ndjekë shembullin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që përballet me komentet kritike në lidhje me fjalimet e tij.

Campbell, që do të luajë një rol të domethënës për Laburistët në fushatën zgjedhore, thotë se videoklipet dhanë efekt për Ramën, që fitoi zgjedhjet parlamentare në qershor në kryesimin e koalicionit të qendrës së majtë.

Ish-ndihmësi i Tony Blair ishte zyrtar për mediet dhe këshilltar strategjik për Ramën, që tashmë ka punësuar Blair-in për të këshilluar Shqipërinë në fushatën për anëtarësimin në BE.

Në një intervistë për “Guardian”, Campbell thotë se Milliband mund të kthejë në anën e tij perceptimin e biznesit për të sipas stilit të Ramës.

“Është pak me rrezik. Por Por ka funksionuar shumë mirë për Ramën. Ndonjëherë rruga më e mirë për t’u përballur me të keqen është ta kapësh nga brirët.”

Duke parë që zgjedhjet në Britani do të jetë në shumë ngushta, Campbell mendon se do të ishte mençuri për Miliband që të përdorë taktikat e fushatës së Partisë Socialiste në Shqipëri. Lideri modern, Edi Rama erdhi në pushtet në qershor pas këshillave të Campbell.

“Gjatë fushatës në Shqipëri ne regjistruam me pamje njerëz që ishin shumë kritikë me Edi Ramën dhe gjatë fjalimeve ne i publikuam ato dhe Rama u përgjigjej atyre. Ishte shumë, shumë efektive”, shprehet Campbell.

*The Guardian

PD: Administrata Publike si stallë kooperative ku xhahilët vendosin për therje të detyruar të gjësë së gjallë

53891Gent StrazimiriPartia Demokratike ka bërë një deklaratë për shtyp ku akuzon qeverinë dhe Ministrin e Brendshëm për një gjakftohtësi kriminale në shkarkimet që po bëhen sipas saj në administratën publike. PD ka theksuar se Administrata Publike, nuk është plaçke lufte, e as stalla e kooperativës ku xhahilët vendosnin për “therje te detyruar” të gjësë së gjallë për t’i shtruar gostinë të deleguarit të Partisë.

“Sot, në ditën e “Të rënëve të Policisë së Shtetit”, Rama dhe ministri i tij gënjyen paturpësisht duke “u premtuar” familjarëve të martirëve, se do të bëjnë për ta ca gjëra të mira, që në fakt janë bërë prej vitesh: si punësim për familjarët, shkollim për fëmijët, kredi të buta për strehim etj., e që Rama dhe qeveria e tij ka detyrimin t’i respektojë.

Tallazet dhe furtunat e jetës nuk parashikohen dot me ligj, dhe kësisoj përmirësimi i kuadrit ligjor dhe ndihmës ndaj tyre nuk do të njohë kurrë kufij, e vetmja gjë që zoti Rama duhet t’u kishte premtuar sot, do të duhej të ishte respektimi i ligjeve në fuqi të paktën për ta, dhe trajtimin e barabartë të martirëve, domethënë jo ndarjen e tyre si deri në vitin 2005 në “të vrarë në kohën e Berishës dhe të vrarë në kohën tonë”.

Kjo ka ndodhur sot! Ditën për diell! Ndërkohe mbrëmë në orët e vona, në errësirë dhe me një gjakftohtësi kriminale, Ministri i Brendshëm ka vazhduar operacionin e koduar “fund administratës publike”, duke shkelur ligjin, duke nëpërkëmbur dinjitetin njerëzor të nëpunësve, mu në zyrat e shtetit.

Mbrëmë vonë, 70 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë thirrur, për të marrë fermanin e zi të shkarkimit nga puna, pa paraqitur asnjë motiv. Janë thirrur dhe shkarkuar natën, pa asnjë shpjegim. Me një operacion okult, ne stilin e opingës së “Partizanit Meke”, janë dënuar kolektivisht një pjesë e mirë e drejtorëve dhe specialistëve të Ministrisë së Brendshme. Janë urdhëruar të paraqiten e të qëndrojnë në zyrat e tyre, e më pas thirrur një nga një, e nën presion u është kërkuar të firmosin pranimin për largim nga puna.

Administrata Publike, as nuk është plaçke lufte, e as stalla e kooperativës ku xhahilët vendosnin për “therje te detyruar” të gjësë së gjallë për t’i shtruar gostinë të deleguarit të Partisë.  Partia Demokratike dënon fuqishëm këto akte brutale të shkeljes së ligjit dhe dinjitetit human të nëpunësve të shtetit dhe qytetarëve të vendit, dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme të trajtimit të nëpunësve të administratës si “kolaboracioniste” dhe shkarkimin e tyre me lista të zeza, të përpiluara në zyrat e Partisë Socialiste.

Brazili dhe Gjermania projekt-rezolutë ndaj përgjimeve amerikane

-Përfaqësues të Gjermanisë e Brazilit thanë se po punojnë për një projekt-rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që do të garantonte privatësi në komunikimeve elektronike.

Diplomatët e OKB-së të angazhuar me këto përpjekje thanë se diplomatët gjermanë dhe brazilianë u takuan me homologë nga Evropa dhe Amerika Latine për të diskutuar projekt-rezolutën.

Ky veprim pason një sërë njoftimesh për përgjime të mundshme të udhëheqësve të huaj dhe personave të tjerë nga Shtetet e Bashkuara, që ka befasuar dhe zemëruar aleatët.

Projekt-rezoluta bën thirrje për përfshirjen në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike të aktiviteteve në internet, por nuk përmend Shtetet e Bashkuara.

Gjermania ka shprehur indinjatën për përgjimin e celularit të kancelares Angela Merkel. Presidentja braziliane Dima Rousseff anuloi një vizitë në SHBA muajin e kaluar, pas njoftimeve se Agjencia e Sigurisë Kombëtare kishte përgjuar komunikimet e zyrës së saj.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk do të ishte detyruese, por konsiderohet si një shprehje tjetër e indinjatës së përgjimeve amerikane./kohanet/

Presidenti serb pezullon takimet rajonale: Pres që Turqia të më kërkojë falje për Kosovën

01-Tomislav-NikolicPresidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic ka pezulluar pjesëmarrjen në takimet rajonale ndërmjet Serbisë, Bosnjës Hercegovinës dhe Turqisë, sepse kërkon ndjesë nga Turqia për fjalimin e kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan në Prizren. Fjalimin e Erdogan mbi Kosovën, presidenca serbe, e cilësoi si një skandal.

“Me të marrë funksionin e presidentit, vijova marrëdhënie të mira me Turqinë, të cilat i kishte vendosur paraardhësi, ish-presidenti i Serbisë. U angazhova që marrëdhëniet të shndërrohen në miqësi të sinqertë të dy popujve. Gjatë gjithë i kohës kam tërhequr vërejtjen presidentit të Turqisë se nuk është në rregull që zyrtarët turq kërkojnë nga shtetet tjera që ta njohin pavarësinë e Kosovës”,- thuhet në një komunikatë të presidencës serbe.

Pesidenti serb e konsideron sjelljen e liderit turk si një agresion pa armë ndaj Serbisë. Për këtë arsye ai i kërkon që Turqia t’i kërkojë falje Serbisë për këtë qëndrim.

“Pres që tek Turqia të fitojë arsyeja dhe që Turqia t’i kërkojë falje Serbisë për shkak të agresionit pa armë që kreu ndaj Serbisë. Deri atëherë, si president i Serbisë, unë ngrij pjesëmarrjen time në takimet rajonale të Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Turqisë, pasi ky nuk është takim i vendeve luftënxitëse, por shteteve demokratike, në të cilat arsyeja shtetërore udhëheq drejt paqes në Ballkan”, ka përfunduar presidenti serb.