Rexhep Meta kritikon Ilir Metën për shëndetësinë

ilir-meta22Në një rrëfim të pazakontë, Ilir Meta, babai i tij Rexhep Meta dhe djali Besari rrëfejnë marrëdhëniet e njeriut më të rëndësishëm të politikës shqiptare jashtë asaj që opinioni publik njeh. Në emisionin “Kontratë” të gazetares Sonila Meço, Meta rrëfen ëndrrat e tij për djalin Besarin.

Rexhep Meta: Në kohën tonë në sistemin socialist kishte një të mirë të madhe që shëndetësia për të gjitha analizat ishte falas, ndërsa edhe sot e kësaj dite me pagesë. Premtimi ka qenë falas?

 Ilir Meta: Ju e dini që vetëm 2 muaj ka qeveria e re. Berisha nuk ka bërë premtime për shëndetësinë falas.

 Por LSI ka drejtuar shëndetësinë? 

LSI është pjesë e një programi qeverie. Madje as për këto katër vite LSI s’ka bërë premtime për shëndetësi falas. Ky është një sistem që bazohet te kontributet. Por ka një angazhim për të zhvilluar një sistem universal për sa më pak tarifa, për më shumë shërbime.

Sonila Meço: Çfarë dëshire kishte babai juaj që të bëheshit?

 Ilir Meta: Kishte shumë dëshirë që të bëhesha kampion i madh në sport. Sonila Meço: A u plotësua ëndrra juaj për fëmijët?

 Rexhep Meta: Ëndrra ime ishte që të dy fëmijët të vazhdonin universitetin. Në fillore Iliri ka qenë pak i përkëdhelur, por në klasë të pestë filloi kërkesa e llogarisë dhe unë i kam qëndruar shumë afër me dashuri dhe me kërkesa.

Sonila Meço: Tani e kemi Kryetarin e Parlamentit… Në universitet Iliri shpërtheu fuqishëm, sa më lindi mua detyra dhe më bindte mua: shko në bibliotekë dhe më merr literaturën.

Sonila Meço: Nga pjesëtarët e familjes Meta është më pak i proklamuar. Besari është 13 vjeç. Çfarë babai është Iliri?

Besar Meta: Shumë i mirë.

Ilir Meta: Thuaj ndryshe po deshe (me shaka)

Besar Meta: Jo, jo.

Sonila Meço: Çfarë ëndrrash ke për Besarin? Për momentin, se ëndrrat e mia kanë lëvizur nga Skënderbegas, kam dëshirë që t’i ngjajë Handanoviçit, portierit të Interit dhe të Sllovenisë. Ai që na pengoi të fitonim në Slloveni. Pastaj ëndrrat ndryshojnë rrugës.

Sonila Meço: Ke ëndrra të tjera?

 Besar Meta: Në fillim kam menduar si babai, tani kam mendim tjetër. Dua të bëhem gjykatës ose avokat.

 Ilir Meta: Hera e parë që e dëgjoj se më përpara më thoshte inxhinier. Sonila Meço: Është personi që i besoni më shumë në familje?

Besar Meta: Jo më shumë i besoj mamit.

Sonila Meço: Kështu ka qenë edhe Ilir Meta?

Ilir Meta: Gjithmonë kështu janë fëmijët. Më shumë me mamin, se babi s’di të gatuajë e shumë gjëra të tjera.

Sonila Meço: Por di të bëjë ca të tjera, për shembull?

Besar Meta: Di të luajë futboll, babi është tolerant.

Sonila Meço: Sa jua ka ndryshuar jetën Besari?

Ilir Meta: Besari është i paparë sepse ai ndryshon nga të gjithë pjesëtarët e familjes. Është jashtëzakonisht i qetë, nuk grindet me asnjë njeri. Të gjithë shokët e duan shumë se është shumë i dashur dhe shumë i edukuar. Kam besim të plotë tek ai dhe prandaj nuk i bëj presion për këtë ose atë. Jam i bindur që është në rrugën e duhur. Nuk është shumë i pasionuar pas politikës, madje më pëlqen. Kjo tregon se ka të gjithë mundësitë që të kemi një diskurs më të pavarur.

Sonila Meço: E kuptoni më shumë babain tuaj tani që jeni bërë baba vetë?

Ilir Meta: Sigurisht që e kuptoj. Janë kohë të ndryshme, por raportet mbeten të njëjta.

 

Pëllumbi: Vendimi i Ramës një maturi e jashtëzakonshme

servet-1024x763Ish-Kryetari i Kuvendit, Prof. Servet Pëllumbi në një intervistë për gazetën ‘DITA’ komenton vendimin për të mos pranuar çmontimin e armëve kimike të Sirisë në vendin tonë. Sipas Prof. Pëllumbit një shans i tillë vjen shumë, shumë rrallë, ndoshta një herë në 100 vjet dhe se nje pranim i marrëveshjes do të kishte më shumë përfitime se sa dëme

Profesor, si do ta komentonit një ditë më pas vendimin e Ramës për t’i thënë ‘Jo’ shkatërrimit të armëve kimike në vendin tonë?

Në radhë të parë duhet të flasim për opinionin që u krijua para marrjes së vendimit. Kishte shumë mjegull, kishte manipulim, kishte xhelozi politike. Thuajse të gjithë ishin të paqartë dhe të pasigurtë për atë që do të ndodhte. Fatkeqësisht në inkurajimin e kësaj klime antiqeveritare dhe kundër demontimit të këtyre armëve në vendin tonë u ngritën edhe një sërë figurash publike dhe me reputacion. U ngrit edhe Partia Demokratike, pra opozita me Berishën në krye. Por, fakti që ne u thirrëm në një tryezë me fuqitë e mëdha për të ndihmuar në një proces me rëndësi botërore, mendoj se ishte një shans i madh për Shqipërinë. Ne e quajmë me të drejtë Amerikën partner strategjik, por të të quajë Amerika, OKB-ja dhe Rusia partner strategjik është tjetër gjë. Kjo duhej të ishte kuptuar dhe vlerësuar për momentin në të cilin ndodhemi. Për këtë do të flitet gjatë, por një shans i tillë vjen shumë, shumë rrallë, ndoshta një herë në 100 vjet. Mendoj se do të kishim më shumë përfitime se sa dëme. Por, siç e thashë, gjithë ajo zallamahi që u krijua pati në thelbin e vet moskuptime të mëdha.

Përfundimisht qeveria e Shqipërisë tha JO. A bëri mirë Rama që mori atë vendim?

Rama, nëse mund të qortohet në fillim, kur çështja e armëve kimike u bë publike, veproi me një maturi të jashtëzakonshme sidomos në momentin e marrjes së vendimit. Ai respektoi popullin, respektoi protestuesit. Unë nuk i di detajet e bisedimeve që janë bërë midis Ramës dhe partnerëve ndërkombëtarë, por po të kishte konsultime paraprake sidomos brenda maxhorancës, si dhe një informacion më të saktë prej specialistëve kompetentë të kësaj fushe, njerëzit do të ishin kthjelluar, do të kishte një arsyetim më racional sidomos nga qytetarët dhe mendoj se punët mund të kishin rrjedhur ndryshe.

Ka fitues e humbës moralë dhe politikë kjo histori?

Nëse ne të gjithë si vend dhe si komb humbëm një shans për të patur një status special midis kombeve të tjerë ballkanikë dhe europianë, Ramën do ta quaja ‘një i fituar i madh moral’ në sytë e popullit të vet, të vendit të vet, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë. Ndërsa nëse do të gjykojmë se kush është i humburi i madh në përfundim të kësaj ‘beteje’, mund të them me bindje se të humburit e mëdhenj janë Lulzim Basha, Sali Berisha dhe opozita në tërësi. Ata u vetëdeklaruan si antiamerikanët më të mëdhenj, morën nofkën e antiamerikanit dhe kjo njollë vështirë se mund t’u hiqet ndonjëherë.

Sidoqoftë, protestat ishin qytetare, ishin protestat më qytetare në 23 vitet e fundit, apo jo?

Kjo është e vërtetë. Por kjo tregoi se sa shumë ka ndryshuar Shqipëria pas 23 qershorit. Ka ndryshuar aq shumë sa dhe Sali Berisha e Lulzim Basha nuk arritën të manipulonin dot turmat, përkundrazi ata i përzunë nga mesi i tyre. Sjellja ishte në tërësi qytetare, si nga protestuesit, ashtu dhe nga ana e qeverisë. Në këtë aspekt mund të themi se kemi arritur diçka të madhe që na kishte munguar aq shumë gjatë regjimit të Berishës, i cili i është kundërvënë brutalisht si diktator popullit.  Është i njëjti që ka urdhëruar të përdoreshin armët kimike në Vlorë dhe ka vrarë njerëz në Tiranë kur ata dolën në rrugë për të protestuar. Të mos harrojmë 97-n, të mos harrojmë Gërdecin, të mos harrojmë 21 Janarin.

Profesor, për ditë me radhë, një popull i tërë i mbajti sytë nga Rama, për vendimin që do të merrte ai lidhur me armët kimike. A është e drejtë që sytë të mbahen vetëm te një njeri për vendime kaq të rëndësishme, qoftë ky Kryeministër apo President?

Shiko, unë e thashë pak më sipër, Rama kishte deklaruar se nuk do të merrte asnjë vendim pa u konsultuar dhe pa miratimin e Kuvendit. Për shkak të protestave popullore ai mori vendimin tjetër, i tha ’jo’ armëve kimike. Mendoj se veproi shumë drejt. Nëse bëjmë një krahasim me Berishën kur ai ishte në pushtet, kemi një sjellje krejt të kundërt. Botoni çfarë ka ndodhur në prill 1995 dhe kuptohet lehtë. Është mjaft domethënëse për të kuptuar dallimin e madh midis nesh dhe Berishës.

Gjithsesi, pasi Rama i tha ‘jo’ demontimit të armëve kimike në vendin tonë, Berisha kërkoi dorëheqjen e Ramës. Si do ta komentonit këtë qëndrim të Berishës?

Berisha është njëlloj regresist si në pushtet dhe në opozitë. Dhe PD-në tashmë në opozitë e drejton ai dhe jo Basha. Berisha i sotëm me partinë e tij nuk i la kohë Ramës të shprehet në parlament. Vetëm ai njeri nuk ka gojë të kërkojë dorëheqjen e Ramës. Unë mendoj se Berisha po shkon drejt asfiksisë së plotë.  Nuk po e kalon dot traumën nga humbja e pallogaritshme që pësoi në 23 qershor të këtij viti dhe me sa shohim e tmerron fakti që Rama ka shumë shanse në dorë për t’i bërë mirë vendit dhe popullit, ka një qasje më moderne, më bashkëkohore dhe demokratike me situatat, me qytetarët, me të ardhmen e vendit.

Gjithsesi, ne e humbëm një shans..

E humbëm, por nuk e kemi humbur perspektivën. Deklarata e Shteteve të Bashkuara pas këtij vendimi për armët kimike ishte mjaft domethënës.

 

 

 

 

Basha në ditën e çlirimit të Tiranës: Ditë refleksioni për të ngritur lart vlerat e lirisë

Lulzim-Basha-Varrezat-e-DesNë 69-vjetorin e çlirimit të Tiranës, Kreu i Bashkisë Lulzim Basha ka kryer homazhe dhe ka vendosur kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve.  Kryebashkiaku Basha, tha se sot është dita e reflektimit, për të mos i lënë të tradhtohen vlerat e lirisë dhe demokracisë, për të cilat shqiptarët kanë paguar shtrenjtë.

“Sot është një ditë e veçantë për kryeqytetin, është dita e çlirimit të tij. Është një ditë gëzimi, por është një ditë që nis gjithmonë me nderimin për ata që flijuan gjithçka edhe jetën e tyre për një kauzë kaq të lartë dhe të pavdekshme siç është liria e Atdheut. Ndaj sot përulemi si çdo vit me respektin më të thellë dhe mirënjohjen më të madhe për ata që mbetën përgjithmonë të rinj dhe që prehen në altarin e Dëshmorëve të Atdheut, këtu në Tiranë por edhe në qytete të tjera, duke nderuar kontributin e tyre dhe sakrificën e tyre sublime.

Është një përgjegjësi e madhe për të gjithë ne, për brezin e ri, për çdo shoqëri të lirë, të njohë, të respektojë, të përkulet me nderim të thellë përpara kësaj sakrifice. Është një përgjegjësi e madhe për të gjithë ne që të mos i tradhtojmë më parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë, të Shqipërisë së lirë dhe demokratike për të cilën u flijuan të gjithë dëshmorët e betejës për çlirimin e Tiranës dhe në tërësi të luftës Nacional Çlirimtare.

Ndaj përtej një dite përkujtimi, kjo është edhe një ditë refleksioni për përgjegjësitë tona sot dhe të brezave të ardhshëm, për të kultivuar dhe për të ngritur më lart vlerat e lirisë, vlerat e demokracisë dhe për të mos i lënë më kurrë të tradhtohen këto ideale që kemi paguar kaq shtrenjtë”,- tha Basha.

 

 

Rama vëzhgon nga afër punimet e INUK në Vlorë

rama ne vloreKryeministri Edi Rama ka inspektuar, mesditën e sotme, aksionin e INUK në Vlorë, për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet.

Gjatë inspektimeve, kreu i qeverisë shoqërohej nga kryetari i INUK-ut, Zyhdi Dajti dhe Ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Rama ka inspektuar nga afër prishjet që u bënë në zonën nga Skela përgjatë shëtitores “Aulona”, e deri tek Uji i Ftohtë.

Kryeministri Rama, bashkë me personat që e shoqëronin, ka ecur në këmbë për më shumë se 3 kilometra, ndërsa nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat.

 

Greqi, nje grup i ekstremit të majtë merr përsipër vrasjen e dy anëtarëve të Agimit të Artë

agimi i arteNë Greqi, një grup i ekstremit të majtë, deri më tani i panjohur, ka marrë përsipër vrasjen e dy anëtarëve të Agimit të Artë, këtë fillim nëntori.

Në një Komunikatë të Publikuar në internet, të ashtuquajturit ‘ Pushtetet revolucionare luftuese të popullit’ deklarojnë, se kanë vepruar në hakmarrje pas vrasjes së një rrepisti në muajin shtator në Athinë, nga një anëtar i partisë neonaziste.

1 nëntor 2013

Athinë, Ekzekutohen dy anëtarë të ‘Agimit të Artë’, një i tretë në gjendje të rëndë në spital

Një ngjarje e rëndë ka tronditur në mbrëmje Athinën. Dy persona me një motor dhe me kaska  në kokë kanë shtënë me armë zjarri, përpara zyrave të Agimit të Artë, në momentin që po zhvillohej një miting. Mësohet, se dy persona kanë  gjetur vdekjen menjëherë në vend nga plagët e marra nga armët e zjarrit, ndërkohë që mësohet se një person i tretë është çuar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Të dy viktimat janë të rinj, njeri i moshës 22 vjeç dhe tjetri 26 vjeç. Identiteti i tyre nuk është bërë ende i ditur.

Deputeti i Agimit të Artë Ilias Kasidiaris, ka deklaruar menjëherë pas ngjarjes se, dy shtetasit që kanë gjetur vdekjen janë anëtarë të Agimit të Artë.

Forca të mëdha policore kanë bllokuar zonën, ndërkohë që vetëm disa metra me tutje ndodhet rajoni i policisë.

Në vendngjarje mësohet të ketë shkuar menjëherë pas ngjarjes edhe vajza e Kryetarit të Agimit të Artë, i cili ndodhet i arrestuar, Urania Mihaloiaku.

Agimi i Artë është një forcë politike e ekstremit të djathtë, që ka hyrë në parlament në zgjedhjet e fundit legjislative. Organizata e cila ka qenë aktive përgjatë viteve ’80 u shndërrua në një parti politike në vitet 2000. Partia ka një strukturë ushtarake të ngjashme me partitë naziste.  Ajo ëshë akuzuar kohët e fundit nga prokuroria greke për krijim organizate kriminale, vrasje dhe rrahje të emigrantëve,etj. Kryetari i saj si edhe 15 anëtarë të tjerë gjenden të arrestuar dhe disa prej tyre, po hetohen në gjendje të lirë.

 

 

 

Libi, qetësohet paraprakisht situata në Tripoli

tripoli protestPërleshje të forta kanë tronditur Tripolin ditët e fundit. Protestuesit e vrarë nga forcat paramilitare kanë arritur në rreth 40 persona ndërkohë numri i të plagosurve ka shkuar në 450.

Qytetarët ishin mbledhur në mënyrë paqësore për të kërkuar largimin e paramilitarëve. Të shtunën, dhuna ka ndaluar, por ceremonitë e varrimit të të vrarëve në protestë janë zhvilluar në nje gjendje të tensionuar.

Situata konsiderohet delikate dhe dhuna mund të gjenerojë nga një moment në tjetrin. Në veçanti në Tripoli, ku njërzit janë të tensionuar si edhe atmosfera që i rrethon ato. Gjatë ceremonise së varrimit, qytetarët kanë kërkuar veprime konkrete për të dëbuar paramilitarët kryesisht nga Gharghour, ku ndodhi dhe përgjakja e protestës. Qytetarët kanë shprehur qëllimet e tyre për tu angazhuar në një mosbindje civile, nëse qeveria dhe paraushtarakët nuk bien dakord, ato do të manifestojnë për të çarmatosur vendin dhe për të vënë në jetë shtetin e së drejtës.

 

 

Dragoti: Protestat u ngritën mbi mosinformimin

Edmond Dragoti

VOA

Protestat e qytetarëve për të penguar shkatërrimin në Shqipëri të armëve kimike siriane kanë tërhequr vëmendjen e shumë sociologëve dhe studiuesve të shoqërisë shqiptare.

Shefi i departamentit të psikologjisë në Universitetin e Tiranës, profesori i njohur Edmond Dragoti, thotë se protestat janë nxitur nga keqinformimi apo mos-informimi mbi detajet e një çështje teknike, si lëndët helmuese luftarake të Sirisë.

Zoti Dragoti thotë se një përshtypje të veçantë ka bërë sidomos fakti që qytetarët dhe studentët nuk pranuan që protesta e tyre të politizohej dhe që në to të mos afrohej asnjë politikan.

Profesor Dragoti! Ka disa ditë që në Tiranë dhe në disa qytete të mëdha të vendit po zhvillohen protesta të të rinjve dhe qytetarëve të tjerë mbi mundësinë e ardhjes në Shqipëri të armëve kimike të Sirisë. Cilat janë perceptimet dhe vlerësimet tuaja mbi këto protesta?

Këto protesta janë jo-politike, deri tani të paktën, janë të motivuara drejt një problemi, që ka shoqëria shqiptare në këto momente, janë të përkohshme, janë optimiste dhe janë frymëzuese për faktin që janë qytetare. Është interesante se në to nuk kemi struktura të organizimeve politike e partiake, që ta shtyjnë një protestë të tillë. Këto nivele të mëdha e të gjera të protestuesve formojnë një sjellje kolektive të përbashkët, që do ta quaj publik, sepse është spontan dhe i vetëdijshëm.

Si ju duket ky angazhim i veçantë i popullatës për të marrë pjesë në tubime kundër lendëve helmuese nga Siria, kur vendi sapo ka dalë nga zgjedhje parlamentare dhe kur përgjithësisht shoqëria është e lodhur nga një vit i gjatë zgjedhor?

Në këto protesta unë shikoj edhe një nevojë për të rehabilituar krenarinë qytetare të shqiptarëve. Shqiptarët nuk pranojnë më të shtypen dhe të vriten duke protestuar, por ata janë të gatshëm që të mbajnë qëndrime për tema të mëdha qytetare dhe të vendosin për fatet e tyre. Ata kanë nevojë të vendosin vetë, pavarësisht se ka forma të shumta të reagimit të shoqërisë. Një nga format e vendim-marrjes është politika me parlamentin dhe me qeverinë. Ato nuk mund të përjashtohen nga vendim-marrja, sepse janë zgjedhur vetë nga shoqëria, por për probleme të mëdha, që prekin të ardhmen e shoqërisë shqiptare, vetë shoqëria ndërgjegjësohet dhe reagon në këto forma, që janë më paqësoret dhe më qytetaret, që ne kemi përjetuar në vendin tonë.

Cili është mendimi juaj për informimin ose jo të qytetarëve për lëndët kimike siriane që mund të shkëtarrohen në Shqipëri? Si rrodhën protestat, si të mirinformuara apo si të painformuara?

Në të vërtetë kjo protestë lindi edhe për shkak të keqinformimit edhe për shkak të qarkullimit të një mesazhi të paqartë. Mesazhi për dukurinë në fjalë ishte jo vetëm i paqartë, por edhe i shumëfishtë. Shpesh flitej, përflitej në forma të ndryshme, thuhej “rreziku”, thuhej “risqet”. Kur qarkullon frika, elementi i parë që ajo sjell është zemërimi, është pakënaqësia dhe nga paniku kalohet në protestë. Unë mendoj se sa më të ndërgjegjësuar dhe sa më të informuar janë protestuesit aq më të arsyeshëm janë ata në reagimin e tyre. Informimi i mëvonshëm, apo i vonuar nuk i bën ata më shumë të vetëdijshëm. Informimi duhet të jetë paraprak, në mënyrë që të orientohen qysh në fillim protestuesit se cili është destinacioni i tyre, cili është objektivi i tyre real. Kur ata i kanë përcaktuar objektivat në mungesë të informacionit, është shumë e vështirë që ata të riformatojnë këto objektiva. Informimi i mëvonshëm do të ketë shumë pak efekte tek ta. Prandaj mendoj që, të keqinformuarit ose të painformuarit kanë qenë baza e protestës dhe tani të mirinformuarit nuk e kanë të lehtë të ndikojnë në marrjen e një vendimi të përbashkët.

Cili është mendimi juaj lidhur me këmbënguljen e protestuesve këto ditë, kryesisht të rinjtë, që të mos shfaqen përkrah me politikanët dhe të mos politizohej protesta e tyre, as me praninë fizike të politikanëve pranë qytetarëve nga asnjë parti politike?

Ky është një besim që kanë tek vlerat e veta qytetarët që protestojnë. Ata nuk kanë nevojë dhe nuk duan të manipulohen nga politika. Gjithë vitet e tranzicionit kanë qenë periudhë e manipulimit politik të qytetarëve dhe të drejtave të tyre, të votave të tyre. Shpesh ata i janë nënshtruar vjedhjes së votës, vjedhjes së vullnetit qytetar të individit. Tani kanë frikë nga politika sepse ajo mund t’i manipulojë, ndaj edhe përpiqen, që të reagojnë në mënyrë jopolitike. Ata mendojnë se politika, qoftë ajo e kaluar, qoftë ajo e sotmja, i ka shërbyer deri tani jo aq shumë shoqërisë dhe individit se sa pushtetit, që kanë patur. Ky zhgënjim i motivon dhe i orienton që të jenë të pavarur prej saj. Për mua kjo është një dukuri shumë e veçantë dhe tregon një vetëdije të lartë qytetare.

Çfarë fitohet nga kjo protestë, pavarësisht nga vendimi i qeverisë?

Shoqëria shqiptare do të shpërblehet më tepër. Koston më të madhe do ta ketë pushteti dhe politika në përgjithësi, shumica dhe opozita. Këta janë të humbur në këtë mes dhe kanë marrë një mësim shumë të mirë se si duhet të sillen në të ardhmen.

Luljeta Lleshanaku, autorja më e mirë e Panairit të Librit “Tirana 2013”

44876_1Luljeta Lleshanaku është shpallur fituesja e edicionit të 16-të, të Panairit të Librit “Tirana 2013”, si autorja më e mirë për librin me poezi  “Pothuajse dje”.

Lleshanaku tha gjatë fjalës së saj, se vlerëson përzgjedhjen e një libri me poezi për një ndër çmimet e panairit. Përkthyesi i vitit u shpall Astrit Beqira, për përkthimin e librit “Udhëtim me Herodotin”.

Panairi i librit ka rikthyer çmimin e librit më të mirë për fëmijë i cili i është dhënë autorit të njohur, Gaqo Bushaka për librin “Pas festës së abetares”. Bushaka ishte fituese i këtij çmime me motivacionin: “një libri në të cilin aftësia argëtuese bashkohet me vlerat didaktike”.

Çmimi për veprën më të mirë studimore i shkoi Sabri Hamitit për studimin e veprës së At Zef Pëllumbit. Juria e panairit me antarë: Dhurata Shehrin, Arta Markun, Fatos Baxhakun, Parid Teferiçi, dhanë e çmimin e përkthimit më të mirë të veprë së Albert Camy. Ky çmim shkoi për Petrit Sinanin, i cili ka përkthyer thuajse 20 vite më parë veprën “Miti i Sizifit”. Ky çmim u nda në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Camy, i cili u përkujtua edhe në Shqipëri.

Juria ndau edhe çmimin “In memoriam” në përkujtim të autores Hida Halimi për romanin e saj “Shpina”. Panairi i Librit “Tirana 2013” u çel në datën 13 nëntor në Pallatin e Kongreseve, dhe këtyre ditëve interesi ka qënë shumë i lartë. Panairi i Librit do të qëndorjë i hapur edhe ditën e nesërme.

Gjykatat nën reformë, ikin 70 sekretarët e institucioneve në rrethe

Nasip-NacoLigji për Gjykatën Administrative ka futur në sistem reformimi edhe sistemin e drejtësisë. Gjykatat e vendit do përfshihen nga reformat.

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka sqaruar dje edhe arsyen e largimit nga puna të 70 sekretarëve gjyqësorë në të gjitha gjykatat e vendit, duke mohuar se kjo është një fushatë ndaj gjyqësorit, por e cilësoi si një reformë të domosdoshme. Gjatë një prononcimi për mediat, kreu i Drejtësisë bëri të ditur se këto largime janë pjesë e reformës që ka nisur në sistemin e drejtësisë, pjesë e të cilës është edhe fillimi nga puna e gjykatës Administrative.

“Në 4 nëntor ka nisur nga puna Gjykata Administrative, duke nisur kështu procesin e një riorganizimi të sistemit gjyqësor në Shqipëri. Është caktuar numri i përgjithshëm i gjyqtarëve dhe punonjësve, duke zbatuar edhe parashikimet e buxhetit të vitit 2013, si dhe nëpërmjet konkurrimit janë plotësuar vendeve vakante. Pjesa tjetër, pra sekretarëve gjyqësor të larguar nga puna, ka ardhur pikërisht si rrjedhojë e këtij reformimi të sistemit të drejtësisë, në përputhje me ligjin, duke zbatuar me korrektësi kodin e punës”, tha Naço.

Në kuadrin e këtyre reformave planifikohet dhe ngritja e Byrosë së hetimit, e cila do t’i hapë rrugën luftës ndaj korrupsionit deri në nivel zyrtar, krimit të organizuar, trafiqeve dhe pastrimit të parave.

 

 

6 persona në pranga, sekuestrohen 300 kg kanabis sativa

kanabisPolicia ka sekuestruar, mëngjesin e sotëm, më shumë se 300 kilogramë lëndë narkotike “kanabis sativa” dhe ka vënë në pranga gjashtë persona.

Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se operacioni kundër lëndëve narkotike në fshatin Shëngjergj, në periferi të kryeqytetit, është ende duke vazhduar.

Policia e ka nisur aksionin gjatë natës ndërsa janë sekuestruar edhe disa armë të llojeve të ndryshme. Në këtë operacion janë duke marrë pjesë forcat e komisariatit numër 4 të policisë së Tiranës dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Deri më tani, nuk janë bërë të ditur emrat e personave të arrestuar, pasi aksioni ende nuk ka përfunduar.