Pëllumbi: Vendimi i Ramës një maturi e jashtëzakonshme

63

servet-1024x763Ish-Kryetari i Kuvendit, Prof. Servet Pëllumbi në një intervistë për gazetën ‘DITA’ komenton vendimin për të mos pranuar çmontimin e armëve kimike të Sirisë në vendin tonë. Sipas Prof. Pëllumbit një shans i tillë vjen shumë, shumë rrallë, ndoshta një herë në 100 vjet dhe se nje pranim i marrëveshjes do të kishte më shumë përfitime se sa dëme

Profesor, si do ta komentonit një ditë më pas vendimin e Ramës për t’i thënë ‘Jo’ shkatërrimit të armëve kimike në vendin tonë?

Në radhë të parë duhet të flasim për opinionin që u krijua para marrjes së vendimit. Kishte shumë mjegull, kishte manipulim, kishte xhelozi politike. Thuajse të gjithë ishin të paqartë dhe të pasigurtë për atë që do të ndodhte. Fatkeqësisht në inkurajimin e kësaj klime antiqeveritare dhe kundër demontimit të këtyre armëve në vendin tonë u ngritën edhe një sërë figurash publike dhe me reputacion. U ngrit edhe Partia Demokratike, pra opozita me Berishën në krye. Por, fakti që ne u thirrëm në një tryezë me fuqitë e mëdha për të ndihmuar në një proces me rëndësi botërore, mendoj se ishte një shans i madh për Shqipërinë. Ne e quajmë me të drejtë Amerikën partner strategjik, por të të quajë Amerika, OKB-ja dhe Rusia partner strategjik është tjetër gjë. Kjo duhej të ishte kuptuar dhe vlerësuar për momentin në të cilin ndodhemi. Për këtë do të flitet gjatë, por një shans i tillë vjen shumë, shumë rrallë, ndoshta një herë në 100 vjet. Mendoj se do të kishim më shumë përfitime se sa dëme. Por, siç e thashë, gjithë ajo zallamahi që u krijua pati në thelbin e vet moskuptime të mëdha.

Përfundimisht qeveria e Shqipërisë tha JO. A bëri mirë Rama që mori atë vendim?

Rama, nëse mund të qortohet në fillim, kur çështja e armëve kimike u bë publike, veproi me një maturi të jashtëzakonshme sidomos në momentin e marrjes së vendimit. Ai respektoi popullin, respektoi protestuesit. Unë nuk i di detajet e bisedimeve që janë bërë midis Ramës dhe partnerëve ndërkombëtarë, por po të kishte konsultime paraprake sidomos brenda maxhorancës, si dhe një informacion më të saktë prej specialistëve kompetentë të kësaj fushe, njerëzit do të ishin kthjelluar, do të kishte një arsyetim më racional sidomos nga qytetarët dhe mendoj se punët mund të kishin rrjedhur ndryshe.

Ka fitues e humbës moralë dhe politikë kjo histori?

Nëse ne të gjithë si vend dhe si komb humbëm një shans për të patur një status special midis kombeve të tjerë ballkanikë dhe europianë, Ramën do ta quaja ‘një i fituar i madh moral’ në sytë e popullit të vet, të vendit të vet, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë. Ndërsa nëse do të gjykojmë se kush është i humburi i madh në përfundim të kësaj ‘beteje’, mund të them me bindje se të humburit e mëdhenj janë Lulzim Basha, Sali Berisha dhe opozita në tërësi. Ata u vetëdeklaruan si antiamerikanët më të mëdhenj, morën nofkën e antiamerikanit dhe kjo njollë vështirë se mund t’u hiqet ndonjëherë.

Sidoqoftë, protestat ishin qytetare, ishin protestat më qytetare në 23 vitet e fundit, apo jo?

Kjo është e vërtetë. Por kjo tregoi se sa shumë ka ndryshuar Shqipëria pas 23 qershorit. Ka ndryshuar aq shumë sa dhe Sali Berisha e Lulzim Basha nuk arritën të manipulonin dot turmat, përkundrazi ata i përzunë nga mesi i tyre. Sjellja ishte në tërësi qytetare, si nga protestuesit, ashtu dhe nga ana e qeverisë. Në këtë aspekt mund të themi se kemi arritur diçka të madhe që na kishte munguar aq shumë gjatë regjimit të Berishës, i cili i është kundërvënë brutalisht si diktator popullit.  Është i njëjti që ka urdhëruar të përdoreshin armët kimike në Vlorë dhe ka vrarë njerëz në Tiranë kur ata dolën në rrugë për të protestuar. Të mos harrojmë 97-n, të mos harrojmë Gërdecin, të mos harrojmë 21 Janarin.

Profesor, për ditë me radhë, një popull i tërë i mbajti sytë nga Rama, për vendimin që do të merrte ai lidhur me armët kimike. A është e drejtë që sytë të mbahen vetëm te një njeri për vendime kaq të rëndësishme, qoftë ky Kryeministër apo President?

Shiko, unë e thashë pak më sipër, Rama kishte deklaruar se nuk do të merrte asnjë vendim pa u konsultuar dhe pa miratimin e Kuvendit. Për shkak të protestave popullore ai mori vendimin tjetër, i tha ’jo’ armëve kimike. Mendoj se veproi shumë drejt. Nëse bëjmë një krahasim me Berishën kur ai ishte në pushtet, kemi një sjellje krejt të kundërt. Botoni çfarë ka ndodhur në prill 1995 dhe kuptohet lehtë. Është mjaft domethënëse për të kuptuar dallimin e madh midis nesh dhe Berishës.

Gjithsesi, pasi Rama i tha ‘jo’ demontimit të armëve kimike në vendin tonë, Berisha kërkoi dorëheqjen e Ramës. Si do ta komentonit këtë qëndrim të Berishës?

Berisha është njëlloj regresist si në pushtet dhe në opozitë. Dhe PD-në tashmë në opozitë e drejton ai dhe jo Basha. Berisha i sotëm me partinë e tij nuk i la kohë Ramës të shprehet në parlament. Vetëm ai njeri nuk ka gojë të kërkojë dorëheqjen e Ramës. Unë mendoj se Berisha po shkon drejt asfiksisë së plotë.  Nuk po e kalon dot traumën nga humbja e pallogaritshme që pësoi në 23 qershor të këtij viti dhe me sa shohim e tmerron fakti që Rama ka shumë shanse në dorë për t’i bërë mirë vendit dhe popullit, ka një qasje më moderne, më bashkëkohore dhe demokratike me situatat, me qytetarët, me të ardhmen e vendit.

Gjithsesi, ne e humbëm një shans..

E humbëm, por nuk e kemi humbur perspektivën. Deklarata e Shteteve të Bashkuara pas këtij vendimi për armët kimike ishte mjaft domethënës.