Reforma territoriale, Manjani: Opozita s’po tregohet e sinqertë

Ylli-ManjaniZv.Ministri i Transporteve, Ylli Manjani, e konsideron reformën territoriale të vonuar dhe këmbëngul që proçesi nuk është politik. Kriteri kyç i kësaj reforme sipas tij është Shqiperia funksionale.

“Kriteri më i përshtatshëm është kriteri i Shqipërisë funksionale. Që do të thotë njerëzit kanë zgjedhur të jetojnë në një vend të caktuar, zgjedhin ose janë të detyruar të zgjedhin vendin ku punojnë, ashtu siç kanë dhe vendin ku marrin shërbimet publike. Pra si ta bëjmë territorin e Shqipërisë sa më funksional që tu shërbejë nevojave të njerëzve” tha ai.

Por për Manjanin reforma territoriale duhet shoqëruar edhe më tkurrje të numrit të ndarjeve rajonale.

“Shqipëria duhet riorganizuar edhe në kuptimin rajonal, pasi 12 qarqe janë shumë. Direktiva, disa direktiva ku më kryesorja është direktiva e ujit të BE, tenton ta akumolojë të gjithë zhvillimin rreth baseneve ujore. Shqipëria sot ka 6 basene të njohura, por nuk ka 12 që të kishim 12 rajone apo qarqe. Ndoshta numri 6, 5, 4 mund të ishte një numër më përfaqësues” u shpreh Zv.Ministri i Transporteve, Ylli Manjani.

Zv.Ministri i Transporteve thotë se opozitës i është lënë çdo hapësirë, por se qendrimi i saj deri tani ka qenë i pasinqertë.

“I mjeri ai faktor politik që merr koston që nuk do ta bëjë këtë reformë” përfundoi Manjani.

PD: Rama-Meta po godet diplomacinë shqiptare

aldo bumçiPartia Demokratike ka akuzuar qeverinë se po godet diplomacinë pasi profesionistët po i zëvendëson me militantë. Në një konferencë për shtyp, deputeti demokrat Aldo Bumçi ka denoncuar sot arbitraritetin e qeverisë ndaj diplomatëve të karrierës.

Deklarata e Aldo Bumçit

Gjatë këtyre 4 muajve të qeverisjes Rama- Meta diplomacia shqiptare si dhe mbrojtja dhe avancimi i interesave tona kombëtare kanë marrë një sërë goditjesh. Duke filluar me dëmin që iu bë marrëdhënieve me aleatin strategjik SHBA për çështjen e armëve kimike, ku superfuqia e botës u mbajt peng për dy muaj për një nga çështjet më të nxehta të sigurisë botërore për të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin investuar në nivelin më të lartë.

Mosmarrja e statusit të vendit kandidat në dhjetor, ku si asnjëherë tjetër numri i shteteve që i thane JO Shqipërisë, u rrit duke përfshirë vendet më të rëndësishme të Bashkimit Europian, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe; Një JO që u ripërsërit nga nivelet më të larta të Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare kur ne deklaruam se ishim ekstremistët që na penguan të marrin statusin.

Dëmi që shkaktoi deklarimi dhe nominimi i partnerëve tanë strategjikë, një qasje e gabuar, e panevojshme e cila krijoi çoroditje në marrëdhëniet tona dhe dëmtoi diplomacinë tonë.

Për të ardhur tek zbatimi i politikes së “Zero problemeve me fqinjet”, e deklaruar që në fillimin, siç kemi parë këto ditë në qëndrimin që po mban qeveria shqiptare për çështjen e devijimit të lumit të Radikës, ku Mimnistria e Punëve të Jashtme dhe qeveria shqiptare nuk mbron interesat kombëtare për shkak të motos “zero probleme me fqinjët”. Çfarë rezulton me zerimin e interesit tonë kombëtar.

Këto ditë diplomacia shqiptare ka marrë një tjetër goditje të rëndë, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Bushati ka nxjerrë në listë pritje 52 diplomatë karriere, të cilët kanë një mbrojtje të dyfishtë janë të mbrojtur jo vetëm nga ligji për nëpunësin civil por dhe nga ligji për shërbimin e jashtëm duke gëzuar status të dyfishtë.

Ndërkohë, që janë mbajtur në punë persona pa statusin e diplomatit, pa përvoje për shkak të lidhjeve të tyre politike dhe nepotike.

Padyshim nuk mund të pritej qëndrim tjetër dhe nuk mund të kishte vlerësim për shërbimin tonë të jashtëm nga Ministri i cili i konsideron ambasadad dhe misionet tona në botë si Konvikte. Një deklaratë e papreçedentë, e padëgjuar më parë, ku Ministri i Jashtëm zhvlerëson përfaqsuesit e vendit të tij në botë dhe në sytë e partnerëve tanë.

Janë pikërisht këta diplomatë që kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar në ratifikimin e MSA-së, në antarësimin e NATO-s, liberalizmin e vizave, njohjen e Pavarësisë  së Kosovës, avancimin e projketeve të mëdha si TAP-i. Gazsjellësi Transadriatik për të përmneduar vetem më të rëndësishmet.

Ministria e Punëve të jashtme pavaresiosht zhvillimeve dramatike në këto 20 vite, si dhe ndryshe nga shumë sektorë të tjerë të qeverisjes ka arritur të ruajë në një shkallë të konsiderueshme vazhdimësinë në shërbimin e jashtëm, duke mos prekur diplomatët e karrierës. Kjo gjë vlente deri tani, me politikën e vitit zero që po aplikohet nga kjo qeveri, i është dhënë një goditje e rëndë shërbimit diplomatik dhe profesionistëve.

 

Gjiknuri: Çdo gjë gati për ndërtimin e “autostradës energjitike” Shqipëri-Kosovë

Gjiknuri-640x477Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, njoftoi në një konferencë për shtyp, se ka nisur tashmë zbatimi i projektit më të rëndësishëm mes dy shteteve shqiptare, ndërtimi i “autostradës energjitike” Shqipëri-Kosovë. 

“Kontrata është nënshkruar dhe tenderimi ka përfunduar. Tani pritet vetëm disbursimi i parave dhe nisja e punimeve” është shprehur Gjiknuri.

I pyetur në lidhje me devijimin e lumit Radika, Gjiknuri u shpreh se nuk ka asnjë marrëveshje me palën maqedonase për këtë çështje dhe çdo informacion I tillë është spekulim politik.

“Nuk ka asnjë marrëveshje me palën maqedonase por ka vetëm një marrëveshje kufitare për trajtimin e ujërave. Çdo gjë tjetër është spekulim.  Nyuk e di se kush e nxit këtë kur edhe ministrat maqedonas thonë se nuk ka asnjë projekt të tillë por vetëm një projekt-ide.  Nëse do të kishte një projekt në lidhje me ujrat, do të mbanim një qëndrim në interesin e vendit  dhe sipas ligjeve ndërkombëtare” u shpreh Gjiknuri.

Ndërkohë në muajin dhjetor të 2013-ës Kosova dhe Shqipëria nënshkruan kontratën për ndërtimin e “autostradës energjetike”. Ndërtimi i linjës interkonjektive 400 kV ndërmjet dy vendeve do të ofrojë ngritjen e kapaciteteve të qëndrueshme dhe do të mundësojë që të dy operatorët të punojnë bashkërisht si një sistem shpërndarës dhe do të ofrojnë përfitime të ndërsjellta për konsumatorët e të dyja vendeve.

Reforma territoriale, Rama fton opozitën: Do të ketë të drejtë veto

RAMA-vloreKryeministri Edi Rama ka ftuar opozitën të bëhet pjesë e reformës administrative-territoriale ndërsa e garantoi atë se do të ketë të gjithë hapësirën e nevojshme për të dhënë kontributin e saj, si dhe të drejtën e vetos.

Ndërsa mori pjesë në nënshkrimin e projektit të asistencës teknike STAR që do të mbështesë reformën administrative-territoriale, Rama theksoi se edhe pse mazhoranca e ka shumicën për ta votuar këtë reformë në Parlament, kontributi i opozitës është shumë i vlefshëm.

“Në kushtet e sotme të Shqipërisë kjo është kryereformë sepse këtë herë kush vendos ta nis këtë reformë ka edhe votat e shumicës për ta kaluar në Parlament, votat janë arsyeja e fundit për të besuar që këtë herë politika shqiptare nuk mund të jetë pengesa e papërgjegjshme për zhvillimin normal të vendit. Ne duam që kjo reformë ta udhëheq Kuvendi i Shqipërisë me një komision të posaçëm parlamentar dhe jo vetëm e dëshirojmë pjesëmarrjen e opozitës por kemi gadishmërinë që në bazën e praktikës së mirë t`i njohim opozitës të drejtën e bashkëkryesimit dhe të drejtat që garantojnë barazinë në komision përfshirë edhe veton që është njohur në praktikën e komisioneve parlamentare. Qeveria do të luajë rolin mbështetës për të siguruar që të gjithë aspektet e këtij procesi të mbulohen plotësisht” tha Rama.

Sipas kryeministrit synimi i qeverisë është që kjo reformë të realizohet përmes transparencës dhe gjithëpërfshirjes dhe të garantojë përfundimin me sukses të saj.  “Ne jemi të hapur dhe do të mbështesim çdo ide, çdo kontribut nga të gjithë dhe në çdo nivel, parlamentar apo komunitar. Opozita ka nxjerrë jashtë axhendës anti-qeveritare këte temë kaq madhore dhe të mos mungojë në dhënien e kontributit të saj për këtë çështje me interes kombëtar. Vizioni ynë lidhet me asnjë interes partiak dhe në favor të asnjë pale. Kjo reformë është një  instrument modernizimi për vendin dhe shtysë për zhvillimin e integruar të tij” tha Rama.

Siri, nisin bisedimet për paqen

siri-negociatat per paqeNisi sot në Zvicër përpjekja e fundit për t’i dhënë fund luftës brutale dhe të përgjakshme në Siri, por ekspertët thonë se ka pak shpresë për arritjen e një marrëveshje.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov po kryesojnë bisedimet, së bashku me Kombet e Bashkuara dhe përfaqësues të qeverisë dhe opozitës siriane.

Por aleati kryesor rajonal i Sirisë, Irani, nuk do të jetë i pranishëm në këto bisedime. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon tërhoqi ftesën dërguar Iranit, pasi Teherani hodhi poshtë idenë e krijimit të një qeverie kalimtare në Siri, pjesë e së cilës mund të mos jetë presidenti Bashar al-Asad.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov është shprehur në konferencë se asnjë zgjidhje nuk vjen duke përdorur dhunën.

Duke iu adresuar të pranishmëve, Lavrov, ka thënë se negociatat “nuk do të jenë të thjeshta dhe as të shpejta”.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se negociatat do të jenë të vështira dhe të komplikuara, por ka theksuar se nuk ka asnjë mundësi që presidenti sirian, Bashar al-Assad, të mbetet në qeverinë e tranzicionit.

Pritjet për një përparim në këto bisedime janë të ulëta. Presidenti Assad ka thënë se nuk do të heqë dorë nga pushteti.

KS diskuton më 10 shkurt për Kosovën

OKBKëshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë më 10 shkurt raportin e rregullt të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-Moon, për situatën në Kosovë, raportojnë mediat serbe.

Seanca e fundit për Kosovën është mbajtur më 19 nëntor të vitit të kaluar.

Në raport, Ban Ki Moon ka theksuar rëndësinë e suksesit të zgjedhjeve lokale, sidomos në veri të Kosovës, duke vlerësuar se një gjë e tillë do të ketë ndikim në konsolidimin e ardhshëm të paqes dhe stabilitetit në rajon

Tiranë, alarm fals për bombë në Shkollën “Qemal Stafa”

Shkolla_e_Mesme_Qemal_StafaPolicia e Tiranës është vënë në alarm sot, pasi është sinjalizuar për vendosjen e një bombe në shkollën “ Qemal Stafa”.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertë të policisë dhe forcat xheniere, të cilët kanë bërë evakuimin e stafit të mësuesve dhe nxënësve brenda ambjenteve të shkollës.

Gjithashtu policia ka nisur kontrollohet brenda ambjenteve të shkollës ku ka konstatuar se bëhej fjalë për një alarm fals.

Ndërkohë policia është duke hetuar për identifikimin e personit i cili telefonoi në numrin 129 duke dhënë alarmin e rremë.

Një javë më parë një tjetër alarm fals për bombë në shkollën ekonomike profesionale vuri në gadishmëri efektivët e policisë së Tiranës.

Tiranë, grabitet dyqani i një kompanie celulare

policiaGrabitet gjatë natës një dyqan i një kompanie celulare në kryeqytet.

Ngjarja ka ndodhur pranë shkollës “Vasil  Shanto” ku persona ende të paidentifikuar kanë thyer fasadën e xhamit të dyqanit dhe kanë vjedhur 4 aparate celularë.

Nuk dihet ende shuma e aparateve celularë por mësohet se ato janë të markave të shtrenjta.

Ndërkohë policia e cila ka shkuar në vendngjarje ka bërë të mundur edhe sekuestrimin e kamerave të cilat ndodhen pranë dyqanit të grabitur, për të bërë të mundur edhe identifikimin e grabitësve.

Braçe-Bashës: Thuaj Këshilltarit të vjetër që strategjia me tensione të pavërteta, nuk mbledh njerëz

erion-brace-lsa_1Deputeti socialist Erjon Braçe, ka reaguar në lidhje me mos përgënjeshtrimin nga ana e Partisë Demokratike që nuk ekziston një projekt në lidhje me devijimin e lumit Radika. Braçe i thotë Bashës që t’i thotë këshilltarit të vjetër, se strategjia e tensionit me të pavërteta, nuk mbledh njerëz.

Postimi i plotë i Erjon Braçes: 

“Sazani del ne rruge dhe uleret: mos ma prekni Lumin!!;

Mesila e mbeshtet dhe kerkon edhe ajo: mos ma prekni Lumin!!;

Luli zgjohet dhe nxjerr nje deputet te tij te thote: Qeveria po shet Lumin!!

Ministri i Energjise del publikisht e thote: S’ka as projekt e as interes; nese do kete do ndalim cenimin e interesave tona!!;

Kryeministri i Shqiperise konfirmon zyrtarisht se: Eshte zhurme e kote ose shume zhurme per asgje!!;

Luli nuk del serish vete por nxjerr Panoramen:
Qeveria e Maqedonise ka miratuar dy projekte!!;

Atehere Luli serish nxjerr zedhenesen e tij deputete dhe ajo lexon Panoramen: Rama genjeu, Qeveria e Maqedonise ka miratuar dy projekte!!

Qeveria e Maqedonise nxjerr Ministrin e Ekonomise i cili thote qarte:

Nuk ka projekt, nuk ka financim, nuk ka studim ambjental; nuk mund te behet pa shqiperine dhe pa pare interesat e banoreve te zones dhe Shqiperise si pale ne marreveshje!!!!

Luli ska nxjerre ende njeri per sot por Panorama nuk ka kerkuar ndjese ende!!

Lulezim, thuaji atij keshilltarit te vjeter se strategjia e tensionit me te paverteta nuk mbledh njerez!!

Skeme e vjeter dhe e deshtuar strategjia e tij; nejse, nuk di te bej me shume se kaq, thjesht replikon veten!!”

 

21 janari përballë ferrit të drejtësisë

21 janariNga Edi Rama*

Kanë ndryshuar shumë gjëra nga 21 janari i përgjakur i 2011-ës.

Këto shkallë, nuk janë më shkallët që ndanin popullin poshtë, matanë gardhit të hekurave, me qeverinë lart, pas hekurave të gardhit.

Kjo godinë, nuk është më fasada e frëngjive ku dilnin tytat e armëve, për të qëlluar mbi njerëzit në emër të pushtetit të vjedhur, po vendi ku qeveria e zgjedhur nga njerëzit, punon me njerëzit dhe për njerëzit.

Ky bulevard, nuk është më rruga e ndarjes me kufirin e frikës, mes pushtetit që të merr gojën, bukën dhe edhe shpirtin, dhe qytetarëve që ecin, mendojnë, flasin, tubohen, protestojnë.

Kanë ndryshuar shumë gjëra nga 21 janari tragjik i 2011-ës që tjetër nuk ishte, përveçse vënia në skenë e rrënimit të një rruge ku liria për të zgjedhur me votë, i’a la vendin zgjedhës mbi votën e lirë; barazia e të drejtave mes të gjithë njerëzve, i’a la vendin pabarazisë së mjeteve mes turmës së njerëzve të zakonshëm dhe dhunuesve të gjithëpushtetshëm të çdo të drejte; vëllazërimi në një gjak, një komb, një kushtetutë, i’a la vendin vëllavrasjes gjakftohtë të ardhur si urdhër nga lart, për një pushkatim pa gjyq, pa ligj, pa mëshirë, në sytë e një populli të tërë, të marrë peng.

Ky popull s’është më peng i votës së vjedhur. S’është më peng i një qeverie të pazgjedhur. S’është më peng i kujt në emër të tij thotë një gjë, e në hespat të vet bën një tjetër.

Ky vend s’është më peng i një pushteti që e shqyen ku të mundet, që e grabit sa ta mundet, që e tradhëton si të mundet.

Ky popull dhe ky vend s’janë ende sot sigurisht çfarë mund të jenë, çfarë duhet të jenë, çfarë meritojnë të bëhen.

Shqipëria sot vuan ende thellë varfërinë, papunësinë, borxhet e korrupsionin e një të shkuare ku për shumë kohë u la vetëm në fatin e vet, u braktis në mundimet e veta, u tradhëtua në ëndrrat e në shpresat e veta.

Po sot, po padyshim, Shqipëria as rrezikon më të kthehet aty ku ishte në 21 janarin e tre vjetëve më parë, as rrezikon të mbetet në vend në rrugën e rigjetur të përpjekjes sonë të përbashkët kundër varfërisë, papunësisë, borxheve e korrupsionit të kudondodhur.

Sot pushteti është kthyer në duart e popullit dhe Qeveria e Shqipërisë nuk është më përballë me popullin, po në krye të përpjekjeve të popullit për atdheun e dëshiruar, Shqipërinë Europiane.

Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 janari i paharrueshëm i 2011-ës, kur shqiptarët e mbushur me dëshpërim dolën në këtë bulevard për të refuzuar një fat që nuk e kishin zgjedhur, një lëngatë që nuk e kishin merituar, një rrënim që nuk e kishin dëshiruar.

Atë ditë katër shqiptarë, katër burra, katër baballarë të varfër, i mbetën këtij bulevardi të kujtesës historike të shtetit shqiptar, si shenja të pashlyeshme në trup; shenja për të gjithë ata që e jetuan atë ditë nga të dyja anët e perdes së hekurt që, në 21 janarin e 2011-ës, mbante ndarë pushtetin nga populli, shtetin nga qytetarët, pushkatarët e verbër të një qeverie të kthyer në regjim, nga protestuesit e paarmatosur të një vendi të marrë zvarrë; shenja për të gjithë të tjerët, shqiptarët e gjeneratave të tjera që do të kalojnë mbi këtë rrugë dhe do t’i prekin me sy ato shenja, si plagët e një të shkuare për të mos u përsëritur e as harruar më kurrë; po padyshim edhe shenja në radhën më të parë për mua e për ne, të zgjedhurit nga 1 milionë njerëz të zakonshëm, sepse harresa në radhën më të parë nuk duhet dhe nuk mund të jetë në asnjë rast dhe për asnjë arsye, alternativa jonë përballë padrejtësisë.

Unë nuk e kam harruar për asnjë çast, qysh nga dita që kam ngjitur këto shkallë me mandatin e 1 milionë shqiptarëve, se ne nuk u votuam për të zëvendësuar një qeveri me një tjetër, po për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë, duke ndryshuar rrënjësisht për së pari sjelljen e Qeverisë së Shqipërisë me vendin, me njerëzit e këtij vendi, me interesat kombëtare, publike e private në këtë vend.

E po ashtu, ne s’mund ta harrojmë dhe s’do ta harrojmë asnjë ditë se ky i yni, është një mandat për t’i dhënë kuptimin e humbur fjalës drejtësi, në çdo hap që hedhim e në çdo vendim që marrim, po edhe padyshim për të luftuar, me çdo mjet kushtetues e ligjor, që drejtësia të bëjë drejtësi; që e drejta të mos jetë mall që blihet e shitet në dyert e prokurorisë e të gjykatave; që përballë drejtësisë njerëzit të jenë të barabartë, pavarësisht pushtetit që kanë apo s’kanë, parave që kanë apo s’kanë, lidhjeve të çfarëdoshme që kanë apo s’kanë.

Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 janari i padrejtësisë së përgjakshme, po një nga shumë gjërat që nuk kanë ndryshuar, më e rënda dhe më fyesja për Shqipërinë në mes të Europës, për Shqipërinë në rrugën e Bashkimit Europian, për Shqipërinë e dalë para thuajse çerek shekulli nga ferri i padrejtësisë së komunizmit, është ferri i sistemit të sotëm të drejtësisë; është ferri ku përvëlohen të varfërit, të dobëtit, të pambrojturit; është ferri ku përpëliten nënat që kërkojnë hakun e djemve të vrarë, gratë që kërkojnë drejtësi për vrasësit e burrave të tyre, fëmijët që shohin të lirohen kriminelët që u çuan baballarët nën dhe; është ferri ku digjen të drejtat e atyre që kërkojnë shpagim për jetë familjarësh të marra me dhunë apo prona të grabitura me përdhunë e shumëçka tjetër, që ligji u’a njeh, po gjykatësi s’ua jep; është ferri ku treten shpresat e shqiptarëve për barazi para ligjit dhe ku përqeshet një Shqipëri e tërë para çdo sprove mes të drejtës e padrejtësisë, mes organeve të drejtësisë e të kapurve me presh në duar, mes ligjeve të shkuara e ligjësive të imponuara nga një sistem drejtësie që jo vetëm Shqipëria, po gjithë bota e sheh si kërcënim antidemokratik.

Koha nuk pret, po më shumë akoma, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë më durim, me plot të drejtë, përballë shfaqjes së përditshme të këtij ferri përqeshës.

Reforma e thellë e drejtësisë është imperativi i kësaj kohe dhe vendosja e drejtësisë mbi binarët e Kushtetutës e të ligjit, është ultimatumi i Popullit Sovran në 23 qershorin e vitit që sapo lamë pas.

Shqiptarët e kërkojnë këtë me ngulm, bota e kërkon më ngulm këtë nga Shqipëria, parlamenti i Shqipërisë ka detyrën ta bëjë dhe Aleanca për Shqipërinë Europiane ka detyrimin të ngulmojë fort për këtë e të mos e zhgënjejë popullin që e votoi edhe për këtë, në mos në radhë të parë për këtë.

Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 janari i tre viteve më parë. Shumë të tjera do të ndryshojnë deri në 21 janarin e vitit tjetër.

Por sado gjëra të kenë ndryshuar sot një vit, asgjë nuk do të ketë ndryshuar për vetë 21 janarin (dhe unë e di se, sado më e lehtë të bëhet jeta ekonomike e Shqipërisë, asgjë nuk do ta bëjë dot më të lehtë 21 janarin), pa drejtësinë që bën drejtësi.

Jo vetëm për Aleksin, Ziverin, Hekuranin dhe Faikun, po për çdo shqiptar e familje të zakonshme që sot sheh e pafuqishme shfaqjen e ferrit, ku rrezikon të digjet jo veç e drejta e kujt drejtësi kërkon, po vetë ëndrra e rilindur e Shqipërisë Europiane.

*(Fjala e mbajtur nga kreu i qeverisë Rama, gjatë ceremonisë përkujtimore të 21 janarit)