Vëllai i presidentit Karzai njofton tërheqjen nga gara presidenciale

Qayum Karzai, the older brother of Afghan President Hamid Karzai, speaks during a gathering in Kandahar provinceQayum Karzai, vëllai i presidentit afghan Hamid Karzai, njoftoi sot tërheqjen nga gara për zgjedhjet presidenciale dhe bashkimin me Zalmai Rasul, një nga favoritët e zgjedhjeve presidenciale, turi i parë i të cilave është parashikuar pas një muaji.

”Njoftoj se bashkë me ekipin tim do të mbështes kandidatin Rassul”, deklaroi Qayum Karzaï gjatë një konference të përbashkët shtypi në Kabul me Rassulin, ish-ministër i Jashtëm dhe i konsideruar si i afërt me presidentin e deritanishëm.

”Tashmë, ekipet tona do të përpiqen së bashku për fitoren”, deklaroi Rasul. “Dashtë Zoti, dhe me mbështetjen e popullit afgan, jam i sigurt se do të fitojmë”, shtoi ai.

Kjo tërheqje, objekt i zërave të shumtë ditët e fundit në Kabul ndërkohë që ekipet e dy kandidatëve ishin përfshirë në bisedime intensive, e zvogëlon në 10 numrin e pretendentëve për pasuesin e presidentit Hamid Karzai.

Ky i fundit nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, pasi Kushtetua nuk ia lejon kandidimin për një mandat të tretë.

Vëllai i madh i kryetarit të shtetit afgan, Qayum Karzaï, 66 vjeç, ka lindur në Kandahar, qytet i madh në jug, djep i rebelëve talebanë. Biznesmen i matur dhe personalitet politik pak karizmatik, ai e ka filluar fushatën në fillim të shkurtit duke organizuar një miting të madh në kryeqytetin afgan, gjatë të cilit ai bëri publike përfshirjen në garën për të marrë postin e vëllait.

Bashkimi i tij me kandidatin Rassul forcon de fakto kandidaturën e këtij të fundit.

Zalmaï Rasoul, ish-rujalist, 70 vjeç, figuron ndër kandidatët më të favorshëm për të fituar zgjedjet, ashtu si dhe Ashraf Ghani, një ekonomist i njohur dhe Abdullah Abdullah, një figurë e opozitës që doli në vend të dytë në turin e parë të presidencileve të vitit 2009, me më tepër se 30 për qind të votave.

Komisioneri Fyle në Tiranë, takim i nivelit të lartë për integrimin

big_11-nentor-rama-fyleKomisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle ka nisur që herët axhendën e takimeve në Tiranë. Ai është takuar në orën 08:30 me kryeministrin Edi Rama dhe më pas edhe me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.
Në një postim në Twitter, komisioneri Fyle thekson se ka diskutuar me kryeministrin për reformat e integrimit.
“Në Tiranë takim me kryeministrin Edi Rama ku diskutuam për rëndësinë e gjithëpërfshirjes në reformat e qëndrueshme për integrimin në Bashkimin Europian” shkruan në Twitter Fyle.

Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Jashtme thekson se ministri Bushati i ka paraqitur Komisionerit Fyle, në mënyrë të përmbledhur, progresin e reformave në vend, kryesisht në administratën publike, në gjyqësor, në politikën kundër korrupsionit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në fushën e të drejtave të njeriut.
Më tej, sipas ministrisë, Bushati foli për impenjimin e qeverisë dhe të administratës për të vijuar me të njëjtin ritëm në rrugën e reformave dhe të integrimit, duke përfshirë në këto procese edhe opozitën dhe shoqërinë civile.

Komisioneri Fyle në takim me Bushatin ka vlerësuar ecurinë e deritanishme në rrugën e reformave të cilën e konsideroi mbresëlënëse, si dhe planet për veprim të mëtejshëm të cilat i cilësoi si ambicioze dhe të realizueshme. Komisioneri nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së të gjithë faktorëve në këtë proces, sidomos të shoqërisë civile, për të siguruar qëndrueshmërinë e reformave.
Të dyja palët vlerësuan rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe marrëdhëniet e saj me fqinjët. Sipas Komisionerit Füle, marrja e statusit të vendit kandidat do të jetë një sinjal pozitiv jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin, ndaj të cilit vëmendja e Komisionit dhe e BE-së nuk është shkëputur.
Axhenda
Në orën 10:00, komisioneri Fyle është takuar me përfaqësues të shoqërisë civile ndërsa në orën 10:55 ka nisur takimi i dytë i dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE.
Në këtë tryezë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, ish-ministrja e integrimit Majlinda Bregu dhe deputetët Eduard Halimi dhe Arben Ristani. Kryetari i PD Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë larguar në Dublin ku do të marrin pjesë në samitin e Partive Popullore Europiane.
Takimi i nivelit të lartë pritet të përfundojë në orën 13:00 kur komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle dhe kryeministri Edi Rama, do të mbajnë një konferencë për shtyp.
Ndërsa në orën 13:30 komisioneri Fyle do të zhvillojë një takim me ambadadorët e vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë

Yee dhe Fajon apel politikës: Punoni për integrimin

ue“I bëjmë thirrje qeverisë dhe opozitës në Shqipëri që të punojnë së bashku dhe të arrijnë rezultate për t’i fuqizuar argumentat për një vendim pozitiv në qershor”.

Apeli  vjen nga zyrtari i lartë amerikan Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë, Hoyt Yee gjatyë seancës së mbajtur një ditë më parë në komisionin amerikan të Helsinkit, ku është diskutuar për Ballkanin Perëndimor, por është sjellë disa herë në vëmendje kriza në Ukrainë dhe rreziku që vjen prej saj.

“Përparimi arrihet më shpejt kur udhëheqësit politikë dhe aktorë të tjerë lënë pas mënyrën e vjetër të të vepruarit”, tha ai duke përmendur si shembull Kroacinë” ka theksuar zyrtari amerikan.

Sipas tij, me shtyrjen e dhënies së statusit kandidat, Shqipërisë iu dha kohë që të dëshmojë përparim të mëtejshëm nën qeverinë e re në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ndërkaq europdeputetja Tanja Fajon, përcolli mesazhin e bashkëpunimit mes forcave politike.

Ajo ka deklaruar se shtyrja përsëri e hapjes së dritës së gjelbërt për Shqipërinë, do të ishte një mesazh shumë i gabuar, sepse do të rrezikoheshin reformat.

“Tani duhet të sigurohemi që qeveria e re po bën të gjitha përpjekjet për të plotësuar të gjitha detyrimet evropiane jo vetëm në letër por edhe t’i zbatojë, çka do të thotë luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, reformat në drejtësi, në administratën publike dhe këto janë të gjitha shumë të rëndësishme” ka theksuar ajo.

Të gjithë zyrtarët amerikanë dhe europianë që morën fjalën në këtë seancë deklaruan se duhet një angazhim më i madh i SHBA dhe BE për një Europë të lirë dhe në paqe.

Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë, Hoyt Yee tha se situata e krijuar në Ukrainë nxjerr në pah rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe NATO-s për të forcuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Evropë, mes së tjerash përmes integrimit të Ballkanit Perëndimor”.

Ndërsa ish-ambasadori amerikan në NATO, Drejtori Ekzekutiv i Institutit McCain, Kurt Volker u shpreh se çdo diskutim për Ballkanin  sot “nuk fillon me Sarajevën apo Prishtinën, por me Krimenë”, duke kërkuar një politikë më aktive të SHBA dhe BE.

“Druhem se e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Ballkanin: një farë vetëkënaqjeje, një farë angazhimi i pamjaftueshëm nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian, nga NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara” tha Volker.

Pjesëmarrësit në seancë thanë se duhet inkurajim për reformat drejt integrimit Euro-Atlantik, duke vlerësuar se ky mision është ende i papërfunduar.

Në lidhje me Kosovën Kongresmeni Eliot Engel, dhe eurodeputetja Tanja Fajon shprehën shqetësimin që është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk është anëtare e NATO-s dhe që nuk gëzon liberalizimin e vizave.

Shoferët e furgonëve protestojnë para Parlamentit

shoferetShoferët e furgonëve 8+1 kanë zhvilluar edhe ditën e sotme një tjetër protestë përpara Parlamentit, kundër vendimit të qeverisë. Ndryshe nga herët e tjera, shoferët e furgonëve kanë mbajtur në duar karafilë të bardhë, për të treguar se po protestojnë në mënyrë paqësore.

Kreu i Bashkimit të Sindikatave, Gëzim Kalaja ka kërkuar nga deputetët që i kanë votuar të ishin të pranishëm dhe t’i takonin. Gjithashtu Kalaja ka kërkuar edhe një takim me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta, që t’ia plotësojnë një nga kërkesat e protestuesve, ndryshimin e ligjit të vitit ‘98 për taksitë.

“Sot jemi në një protestë paqësore para Parlamentit, deputetët që kemi votuar janë trembur, mbyllën seancën. Edhe pse nuk ka seancë, deputetët duhet të ishin të pranishëm në Parlament për t’u takuar me protestuesit. Ne kërkojmë që qeveria të heqë dorë nga vendimi për furgonat 8+1, kërkojmë dialog për të gjetur një zgjidhje”, tha Kalaja.

Të prekur nga vendimi që rruga e kthimit të jetë pa pasagjerë për furgonët 8+1 janë rreth 20.000 persona, drejtues të këtyre mjeteve. Për disa ditë me radhë furgonët kanë protestuar në qytetet më të mëdha të vendit, madje duke bllokuar edhe rrugët nacionale. Kjo është protesta e dytë që bëhet nga drejtuesit e këtyre automjeteve në kryeqytet, protestë e cila përkon edhe me vizitën e Komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, në Tiranë.

 

Shqipëri-BE, Fyle parashtron nesër 5 prioritetet

big_11-nentor-rama-fyleEurokomisioneri i Zgjerimit Stefan Fyle, pritet të vijë nesër në Tiranë, nga ku do të zhvillohet takimi i dytë në kuadër të  Dialogut të Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Fyle është mjaft i angazhuar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Dialogu i Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian pritet të nisë në orën 10:45 dhe do të zgjasë deri në orën 13:30

Axhenda

Komisioneri Fyle takon kryeministrin Rama në orën 08:30.Takimi Fyle-Bushati në ambientet e Ministrisë së Jashtme në orën 09:10

Nesër në orën 10:45 tryeza e dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE

Nga tryeza e parë e Dialogut të Nivelit të Lartë të mbajtur në muajin nëntor, ku mori pjesë Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri Stefan Fyle, u arritën disa përfundime të përbashkëta lidhur me 5 rekomandimet që BE i ka bërë Shqipërisë, para se ajo të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Komisioneri për Zgjerimin theksoi 5 pika si më të rëndësishmet.

Së pari, mundësia e përkufizimit të mbështetjes në procesin e Integrimit për Shqipërinë, me synim strukturimin e bashkëpunimit duke mbajtur fokusin te integrimi.

Së dyti u konfirmua se transparenca është element kyç dhe ky element do të fuqizohet në dialogun e nivelit të lartë.

Së treti u ra dakord për një plan veprimi për të parë mënyrën si Shqipëria do të japë rezultate për 5 prioritetet kyçe.

Së katërti u vlerësua qëllimi i qeverisë për platformën e dialogut kombëtar për integrimin,ku do përfshihen qeveria, opozita dhe shoqëria civile.

Së pesti u ra dakord vitin që vjen, të jetë takimi i radhës dhe u arrit në përfundimin që nga sot e deri në publikimin e progres raportit të ardhshëm të kemi edhe 4 takime të tilla.

ISHP:10 persona të prekur nga gripi i derrit

Ambulance1Burimet zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik raportojnë se numri i personave të prekur nga gripi A/H1N1 ose siç njihet ndryshe me terma popullorë gripi i derrit është shtuar në mënyrë shqetësuese.

Sipas të dhënave të këtij instituti, numri i përgjithshëm i infeksioneve të sipërme dhe të poshtme respiratore, pavarësisht nga shkaku, është rreth 16500 ose rreth 5% më shumë raste se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

ISHP-ja bën me dije se numri i rasteve të identifikuara me infeksion nga virusi pandemik AH1 është 55 në të gjithë vendin, AH3 45, ndërkohë që nga 611 mostra të dyshuara për grip, vetëm në 100 prej tyre është izoluar virus i gripit. Duke filluar nga muaji Tetor 2013 e deri më sot (05/03/2014) janë raportuar 149 raste me sindromë të rëndë respiratore akute prej të cilëve, vetëm 17 (10 raste A/H1N1 pdm09 dhe 7 raste A/H3N2).

Nënshkruhet memorandumi Shqipëri-Hungari në fushën e bujqësisë

Ministri-i-Bujqësisë-Zhvillimit-Rural-dhe-administrimit-të-Ujërave-Edmond-Panariti-dhe Ministri-i-Bujqësisë-së-Hungarisë-Sandor-Fazakas-nënshkruan-në-Budapest-Memorandumin-e-Mirëkuptimit-në-fushën-e-Bujqësisë-1Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave  Edmond Panariti dhe Ministri i Bujqësisë së Hungarisë Sandor Fazakas nënshkruan sot në Budapest, Memorandumin e Mirëkuptimit në fushën e Bujqësisë, i cili pritet t’i hapë rrugë forcimit të bashkëpunimit në këtë sektor jetik mes dy vendeve dhe të rrisë shkëmbimet tregtare.

Sipas memorandiumit të nënshkruar, te dy palët angazhohen për të nxitur bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe agroindustrisë. Shkëmbimi i eksperiencave në politikat bujqësore, bashkëpunimi institucional, akademik, kërkimor, në fushën e statistikave bujqësore, ofrimi i bursave për studentët në sektorin e agrobiznesit kanë qënë disa nga pikat kryesore të memorandumit  të nënshkruar sipas një njoftimi zyrtar.

Ministri Panariti u shpreh se Shqipëria dhe Hungaria duhet të identifikojnë pikat ku seicili vend ka avantazhe krahasuese dhe të forcojnë shkëmbimet tregtare. Sipas tij, Shqipëria mund të importojë nga  Hungaria produktet e mishit, ndërsa Hungaria mund të importojë nga  Shqiperia frutat e perimet me avantazhin se  dalin në treg më heret se vendet e tjera të Europës.Ministri Panariti shtoi se “  Hungaria mund të ofrojë eksperiencën e saj në proçesin e integrimit në BE, konkretisht në sektorin e kontrollit të cilësisë së produkteve, në sektorin e statistikave, të ushqimit të kafshëve

”Nga ana e tij, Ministri Fazakas tha se “ky memorandum është hapi i parë që i paraprin organizimin e një forumi të biznesit Shqipëri –Hungari

Dhunohet Bashkia e Durrësit

Bashkia durres“Persona të paidentifikuar kanë hapur me forcë një dritare në katin e dytë dhe në katin e tretë është dëmtuar dera e zyrës së protokollit (sekretarisë)”. Kështu thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së Durrësit.

Personat e paidentifikuar kanë hyrë në bashkinë e këtij qyteti gjatë orëve të natës. Dhunimi i zyrave të sa është konstatuar nga punonjësit mëngjesin e sotëm.

Keqbërësit kanë dëmtuar derën e sekretarisë, por nuk rezulton ndonjë dokument apo material i grabitur.

Napolitano: emi mirënjohës për kontributin e shqiptarëve në Itali

kuvendi-napolitanoPresidenti i Italisë, Giorgio Napolitano mbajti ditën e sotme një fjalim në Parlamentin shqiptar. Në fjalën e tij, ai vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, ndërsa shtoi se ato do të konsolidohen edhe më shumë në të ardhmen.

Ai tha se Shqipëria e ka vendin në Bashkimin Europian dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. “Është e qartë për të gjithë që Shqipëria e ka vendin në BE. Shqipëria nga ana e saj ka treguar se ka bërë dhe mund të bëjë ende më shumë për Europën”, tha Napolitano.

Presidenti italian vlerësoi së tepërmi edhe projektin e gazsjellësit TAP, duke shtuar se Italia dhe Shqipëria po bashkëpunojnë mjaft ngushtë në fushën e energjetikës.

Duke folur për lidhjen e ngushtë mes dy popujve, Napolitano e cilësoi popullin shqiptar si një popull mik. “Ju jeni popull me shumë vlera. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ju strehuat hebrenjtë dhe keni ndihmuar shumë ushtarë italianë, pavarësisht se ata mbërritën në vendin tuaj si pushtues. Ne nuk do ta harrojmë mbështetjen tuaj”, tha Napolitano.

Më tej, ai theksoi se Italia e ka mbështetur gjithnjë Shqipërinë, që kur vendi ynë nisi të krijonte institucionet e para demokratike.

“Gjatë të gjithë historisë së vendit tuaj, ju kemi qëndruar pranë dhe kemi ndihmuar që të konsolidoni shtetin, të përmirësoni kushtet e jetesës dhe të bëni përparime. Ne ju përcjellim besim , te ju dhe institucionet tuaja. Inkurajoj popullin mik shqiptar që të ndjekë me këmbëngulje integrimin e vendit.

Udha evropiane është shndërruar në një objektiv të të gjitha forcave politike. Besoj se është detyrë e institucioneve evropiane të realizojnë këtë objektiv.

Procesi i mëtejshëm i zgjerimit një synim ambicioz, aspirata e Shqipërisë dhe vendeve të tjera përfaqëson një sinjal të fortë besimi në kohë të vështirë. Italia, ashtu si në të shkuarën do bëjë të mos mungojë kurrë besimi dhe mbështetja. Shpresojmë që Italia ta çelë presidencën me Shqipërinë e aderuar me të drejta të plota”, tha Napolitano.

Më tej, Napolitano vlerësoi rolin e shqiptarëve të Italisë, i cili sipas tij, ka qenë mjaft i vyer për historinë e vendit që ai përfaqëson.

Falen gjobat e vëna nga data 1 mars deri më 31 gusht 2013

arben-ahmetajKëshilli i Ministrave ka vendosur që të falë të gjitha gjobat e vëna bizneseve nga periudha 1 mars deri më 31 gusht të vitit 2013. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, i cili i cilësoi si të padrejta gjobat e vëna gjatë para, gjatë dhe pas periudhës elektorale.

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se gjobat përdoreshin si ndëshkim për të pabindurit ndaj ish-qeverisë së asaj kohe.

“Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, qeveria shqiptare ka kaluar projektligjin për faljen e Dënimeve Administrative në formën e gjobave, të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore të periudhës 1 mars deri në 31 gusht 2013. Me anë të këtij projektligji do të anulohen të gjitha gjobat e vendosura gjatë periudhës në fjalë, pra periudhës paraelektorale dhe elektorale, kur gjobat përdoreshin si ndëshkim për të pabindurit, dhe ato të abuzimit masiv në periudhën pas elektorale”, -deklaroi ministri Ahmetaj.

Më tej Ahmetaj tha se ky është një vendim tepër i rëndësishëm në marrëdhëniet qeveri-biznes, dhe se do të mbyllet njëherë e përgjithmonë kapitulli i turpshëm ku gjobat përdoreshin si instrument i presionit politik, apo për të mbushur arkat e zbrazura nga keqmenaxhimi i ish-qeverisë Berisha.

“Përveçse heq një padrejtësi të madhe, kjo masë është një vazhdim i projektit madhor të qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit. Është abuzuar shumë me gjobat, por kjo nuk ka për t’u përsëritur më. Koha kur qeveria kishte si zë të tretë të të ardhurave gjobat, nuk ka për të ardhur më. Ky është një hap tjetër në kthesën e madhe ekonomike të Shqipërisë, të ndryshimit të modelit ekonomik dhe të çlirimit të potencialit ekonomik.  Ky vendim vazhdon trendin pozitiv për ekonominë, që këto ditë është treguar nga marrëveshja e arritur me FMN-në për programin dhe rritjen e ndjeshme e të ardhurave për administratën tatimore dhe doganore”, –tha Ahmetaj.