Policia e Vlorës bëri të ditur të mërkurën detaje të operacionit të dy ditëve më parë, ku u bllokuan 1262 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa.
Burime zyrtare të policisë lokale thanë për ATSH-në se, operacioni antidrogë që u finalizua mesnatën e të hënës, në afërsi të fshatit Kotë, 25 km në juglindje të Vlorës, nisi mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative dhe u zhvillua me mbështetjen e Njësisë Delta Force. Lënda narkotike u zbulua në një furgon “Iveco” të braktisur, me targa të vjedhura AA 961 AY, që lëvizte në drejtim të Vlorës, prej ku mendohet se do të kryhej edhe transportimi i saj me mjete lundruese drejt Italisë.
Gjatë hetimeve, policia ka shoqëruar dhe më pas ka nisur procedimin penal në ngarkim të tre personave, A.C, 33 vjeç nga Vlora, A.D., 32 vjeç dhe B.D., 31 vjeç, nga qyteti i Fierit. Të arrestuarit dyshohet të jenë përfshirë në këtë rast të trafikimit të lëndës narkotike e mbetur në tentativë
Vlorë: Policia jep detaje për 1262 kg lëndët narkotike
Berisha shan Fylen dhe ikën në Dublin
Berisha sulmoi papritur Stefan Fylen, pikërisht në prag të vizitës së tij në Tiranë dhe më pas ka fluturuar bashkë me Bashën drejt Dublinit. Axhenda e Fyles në Tiranë janë takimet me krerët e lartë të shtetit dhe me faktorin politik, në kuadër të dialogut për arritjen e kritereve kyçe të vendosura vitin e kaluar për marrjen e statusit kandidat. Ndërsa Berisha do ta shfrytëzojë vizitën në Dublin për të denoncuar Fylen te partnerët ndërkombëtarë për “bashkëpunimin me Ramën kundër PD-së”. Kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe ish-kreu demokrat Sali Berisha, do të marrin pjesë bashkë në Kongresin zgjedhor të PPE-së që do të mbahet në Dublin më datat 6 dhe 7 Mars. Përtej axhendës së Kongresit, ata pritet të zhvillojnë takime me krerët e lartë të partive motra në Evropë, ku do t’i njohin me zhvillimet politike në Shqipëri dhe situatën në të cilin ndodhet vendi pas ardhjes në pushtet të së majtës.
Ndërkaq, nga Tirana, Berisha i ka dhënë përgjigje negative të gjitha çështjeve për të cilat Fyle do të kërkojë nesër konsensus politik. “Dua t’i informoj shqiptarët se, kushtin e tre ligjeve e kam konsideruar një kurth të Stefan Fules, Komisionar i Zgjerimit, (një diplomat çek i shkollës ruse dhe serbofil, por i papërmbajtur, dhe majtist i thekur), për të bllokuar me Edi Ramën Shqipërinë në procesin e integrimit”, kështu shprehet Berisha. Ai është kujdesur të flasë mirë për euroskeptikët. “J. Swoboda erdhi në Shqipëri muajin e kaluar për të përsëritur sulmet bajate të dyshes Rama-Meta ndaj Mbretërisë së Holandës, paçka se statusin e refuzuan edhe qeveritë socialiste të Francës dhe Danimarkës”, shkruan Berisha.
“Komisionari Fule është i papërmbajtur në serbofilinë e tij. Kështu, gjatë një vizite në Beograd ai, duke ditur se Presidenti i Serbisë, Nikolic ishte ankuar në Bruksel se “për mua nuk është problem Hashim Thaçi, por Sali Berisha”, Stefan Fule i lejoi vetes të lexoj në krah të Presidentit Nikoliç, një akt-akuzë, kundër nacionalizmit të rrezikshëm shqiptar të Berishës”. Më tej ai e akuzon Fylen se është i lidhur ngushtë me CEZ-in dhe në konflikt të hapur interesi. “Deklaroi se kjo ngjarje, (largimi i CEZ-it), dëshmon për klimën jo të mirë të biznesit në Shqipëri”, shkruan Berisha.
De La Reij: Brenda këtij viti merrni statusin
De La Reij shprehu dje besimin e tij se Shqipëria do të marrë statusin kandidat brenda 2014-ës. De La Reij, i pranishëm në një tryezë mbi integrimin e Shqipërisë në BE, theksoi se marrja e statusit nga ana e Shqipërisë është i mundur brenda 2014-ës. Sipas De La Reij, Holanda është mjaft strikte sa i takon politikave të zgjerimit.
“Ne jemi të vëmendshëm për të zbatuar plotësisht konventën e Kopenhagenit mbi kushtet që një vend duhet të plotësojë për të qenë pjesë e BE-së, si stabiliteti politik, lufta ndaj korrupsionit, lufta ndaj fenomeneve nacionaliste, si dhe përshtatja e politikave monetare. Shqipëria veç kushteve që dihen, duhet të përballet dhe me fenomenet të tilla si nacionalizmi”, tha ai. Sa i takon çështjes krizës së Ukrainës, ambasadori De La Reij, garantoi se Bashkimi Europian nuk i ngatërron detyrat e tij. “Shqipëria ka vendin e saj, Ukraina të sajin, problemi i Ukrainës nuk ndikon në shpejtësinë e integrimit tuaj. Jeni ju që keni në dorë fatin tuaj”, përfundoi ai.
Kosova rikthen taksën për mallrat nga Shqipëria
Dogana e Kosovës ka rikthyer në fuqi taksën prej 40 eurosh për kamionët me mallra që vijnë nga Shqipëria. Rikthimi i kësaj takse nuk është pritur aspak mirë nga tregtarët shqiptarë.
Kështu, ditën e sotme, kamionët shqiptarë të ngarkuar me mallra ndaluan në shenjë proteste në pikën kufitare të Morinës, duke refuzuar të paguajnë taksën dhe të kalojnë kufirin për në Kosovë.
Sipas tregtarëve shqiptarë, taksa prej 40 eurosh është ndër taksat doganore më të larta në Europë. Ata kërkuan dje që kjo taksë të hiqet, pasi në të kundërt, do të përshkallëzojnë protestat ndaj autoriteteve kosovare.
Taksa për mallrat që vijnë nga Shqipëria u hoq në shtator të vitit të kaluar pas protestave të tregtarëve, ndërsa të shtunën u rikthye në fuqi.
Shqiptarët e Ukrainës mbeten në harresë
Zaatov në intervistën për agjencinë e lajmeve INA flet për popullin tatar të Krimesë, një popullsi autoktone me origjinë turke, e cila ka arritur që me mbi 270 mijë banorë të fitojë Autonominë në kuadër të Ukrainës. Krahina Autonome e Krimesë numëron rreth 2,5 milion banorë, ndërsa populli i tatarëve të Krimesë është mbi 1 milion dhe është i shpërndarë në ish-republikat e tjera sovjetike, deri në Poloni, Rumani, Turqi dhe vende tjera.
Ai thekson se komunitetet e tjera joruse në Krime, gjegjësisht në tërë Krahinën Autonome me 1,9 milionë banorë janë kundër ndërhyrjes ruse dhe se dënojnë veprimet e saj. Zaatov thotë se në këtë krahinë jetojnë edhe shqiptarë, por kryesisht shumica prej tyre të asimiluar.
INA: A mund të na jepni informacione më të detajuara lidhur me vendin nga vini ju ?
Zaatov: Krahina Autonome e Krimesë është një vend shumë i bukur, një siujdhesë në Detin e Zi. Ky është një vend me 27 mijë metra katror në pjesën veriore të Ukrainës, që ka qenë i banuar me popullsi tatare të Krimesë, por që në periudhën e komunizmit, që nga viti 1944, Stalini ushtroi një gjenocid dhe deportim masiv të popullsisë tartare, duke u zhvendosur në zonat e tjera të ish-republikave sovjetike, ndërsa në të kundërtën mbipopulloi këtë zonë me banorë rus nga republikat e Kuakazit.
Deportimet janë bërë në mënyrë të tmerrshme, duke dhunuar dhe deportuar fëmijë, gra dhe pleq, kryesisht drejt Uzbekistani. Me pavarësinë e Ukrainës në vitin 1991, ne filluam të ringritemi dhe popullsia autoktone rikthehet masivisht në vendlindje. INA: Sa kanë arritur që të ruajnë vlerat dhe të kthejnë jetën e tyre ? Në kemi bërë shumë për të fituar të drejtën tonë. Në vitin 1987 organizuam protestat e para në sheshin e Kuq në Moskë për të kërkuar të drejtat e tona dhe mbi 1.500 protestues kanë protestuar më shumë se dy muaj. Ka pasur edhe protesta të tjera që kanë filluar pas vitit 1991, pas pavarësisë, me ç`rast në vitin 1994 u arrit kulminacioni, ku organizohen protesta masive dhe përleshje me policinë.
Protestat kanë qenë të formave të ndryshme, deri tek bllokimi i Parlamentit të Ukrainës.
Pas gjithë kësaj arrihet statusi i Krahinës Autonome, ku gjuha tatare, një dialekt turk është gjuhë e tretë zyrtare, përskaj gjuhës ruse dhe ukrainase, por akoma nuk është pranuar alfabeti latin. Ne si komunitet jemi në zhvillim e sipër duke hapur shkolla publike, edhe deri tek universiteti shtetëror, mirëpo ku mësimi zhvillohet në gjuhën ruse. Në Parlamenti e Ukrainës kemi 1 deputet, ndërsa në Parlamentin e Krimesë janë 5 deputetë nga 100 deputetë.
INA: Ju për herë të parë pretendoni se në Krahinën Autonome të Krimesë jetojnë shqiptarë. Cila është e vërteta rreth kësaj ?
Zaatov: Po, shqiptarë ka, edhe ate në qytetin Gurzuf, një nga qendrat dhe qytetet më të bukura në ish-republikat sovjetike. Mbi 90 për qind e popullsisë së Gurzufit ka qenë më parë shqiptare, e pranishme nga shekujt 16 deri 18, por që më pas gradualisht është zhdukur, por ka raste të rralla ku është kultivuar dhe ruajtur gjuha dhe tradita shqiptare.
Një udhërrëfyes francez, Markiz Delin në memoaret e tij për Krimenë në shekullin 18 ka qëndruar në Gurzuf dhe ka pasur takime me popullsinë lokale, për shkak se ai nuk ka kuptuar gjuhën tatare, dhe ka njohur gjuhën italiane, dhe në këtë mënyrë është mirëkuptuar me banorët shqiptarë të këtij rajoni. Ata kanë shpjeguar se janë shqiptarë mysliman dhe se stërgjyshërit e tyre kanë qenë aty. Fizionima e tyre ka qenë ndryshe nga ajo e tatarëve. Ata sot janë të asimiluar, por hetohen nga gjeneza dhe fizionomia e tyre. Gurzuf ishte pushimore për krerët ish-sovjetik, por edhe një qendër dhe kamp për fëmijët nga mbarë Rusia e asaj kohe.
INA: Por, sipas të dhënave dhe dokumentacioneve të publikuara deri tani, sidomos nga një reportazh i dy gazetarëve shqiptarë nga Shkupi, shqiptarët janë edhe në zona të tjera të Ukrainës ?
Zaatov: Po, e vërtetë është kjo. Në Ukrainë shqiptarët janë në rajonet e Odesës, Kirovo Gradit, dhe Zaparuzhjes. Për ta nuk po bëhet asgjë dhe nuk po përkushtohet ndonjë kujdes i veçantë. Sipas të dhënave që kemi ne si institucione, por që akoma janë jozyrtare, në Ukrainë jetojnë rreth 50 mijë shqiptarë, të shpërndarë në rajone të ndryshme, por një pjesë e madhe duke shkuar drejt asimilimit, për shkak të martesave dhe lidhjeve të përziera, si shkak i fesë ortodokse.
INA: Si zëvendës-ministër i Kulturës i krahinës së juaj që është pjesë e Ukrainës. Sa janë të organizuar shqiptarët atje dhe sa i kultivojnë vlerat e tyre trashëgimore dhe kulturore ?
Zaatov: Po, ata nuk kanë ndonjë përkujdesje institucionale, dhe janë të organizuar sipas mënyrës së tyre. Nëse nuk ka përkujdesje ata dita ditës po asimilohen, për shkak se nuk i kushtohet vëmendja apo kujdesi nga shtetet e tyre amë siç është Shqipëria apo pse jo edhe Kosova. Shqiptarët sot në Ukrainë i takojnë konfesionit ortodoks, dhe se traditat e tyre i ruajnë dhe i kultivojnë në mënyrë private dhe pa ndonjë mbështetje institucionale.
INA: Cili mund të jetë ndihma apo kontributi i juaj rreth çështjes së shqiptarëve atje dhe mbështetjen e tyre për tu kthyer tek trungu ?
Zaatov: Po kjo që thoni është vështirë, pasi që ne kemi çështjen tonë kombëtare. Ajo që mund të them është se përkrahim juve si media me projektin për të na vizituar dhe ne për të ju njohur me detajisht mbi jetën dhe faktet e tjera të realitetit të shqiptarëve që jetojnë në Ukrainë dhe në rajonin tonë. Së shpejti ju presim që të na vizitoni dhe do të jemi në gatishmëri për të dhënë kontributin tonë.
Rama: Janar-shkurt, 2.6 mld më shumë se PD
Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar administratën doganore dhe atë tatimore, për kapërcime parashikimesh edhe gjatë muajin shkurt, gjë që sipas kryeministrit sjell siguri për rilindjen ekonomike të vendit.
“Edhe në shkurt, për të dytin muaj rresht, nën vëzhgimin e rreptë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Doganat dhe Tatimet kapërcyen kufirin e parashikuar nga plani i këtij viti; një plan shumë ambicioz dhe mjaft i vështirë, i cili po përballohet deri tani me një sukses që përbën një sinjal të sigurt se rilindja e shumëpritur ekonomike do të jetë realitet i prekshëm i këtij viti kthese vendimtare për ekonominë e Shqipërisë”, shprehet Rama.
Kryeministri nënvizon se, administrata tatimore ka realizuar planin me 102.5 % duke mbledhur 12 miliardë e 295 milionë lekë të ardhura, 1.2 miliard lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose një rritje prej rreth 16% më shumë. Ndërsa, administrata doganore ka realizuar planin e të ardhurave për muajin shkurt 104 % duke arkëtuar 393 milion lekë më shumë se plani dhe 1.2 miliard lekë më shumë se muaji shkurt 2013.
“Të dhënat e përmbledhura të dymujorit janar – shkurt 2014, tregojnë se janë mbledhur në total 26 miliard e 262 milionë lekë, dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, rritja është 2 miliardë e 639 milionë lekë ose 11.2 % më shumë”, përfundon kryeministri.
“Tritoli” dhe rritja e krimit, Presidenti thërret Këshillin e Sigurisë Kombëtare
Situata e rënduar e sigurisë dhe rastet e frikshme të atentateve me tritol, në disa raste në përmasat e akteve terroriste, kanë detyruar Kreun e Shtetit që të thërrasë pas shumë kohësh pushimi Këshillin e Sigurise Kombëtare.
Ky takim i programuar me shumë mundësi javën e ardhshme ka qenë edhe tema kryesore e takimit të mbajtur larg syve kureshtarë mes Presidentit Bujar Nishani dhe kryeministrit Edi Rama.
Edhe pse nuk ka kaluar pa debate ideja e Kreut të Shtetit, sipas burimeve të afërta me dy krerët e lartë të vendit, mësohet se një tjetër argument që lidhet me mbledhjen ka sjellë debate të forta mes Presidentit dhe Kryeministrit në mardhënie sigurisht të acarta që prej 23 qershorit.
Sipas burimeve të sigurta, krahas atyre që përbëjnë edhe bërthamën e Këshillit të Sigurise Kombëtare, Nishani ka lëshuar një ftesë edhe për kreun e opozitës Lulzim Basha, ftesë e cila nuk është mirëpritur aspak nga zoti.Rama.
Sipas burimeve, Kryeministri është dakorduar me Kreun e Shtetit për një mbledhje, por ka kundërshtuar fort pjesmarrjen në mbledhje të rivalit të tij politik që në këtë rast përfaqëson edhe Bashkinë e Tiranës si qytetar i parë i kryeqytetit.
Rama dhe maxhoranca e konsiderojnë si absurde dhe të papreçedentë pjesmarrjen e Kreut të opozitës në një mbledhje të tillë, ndërsa për Presidentin kjo konsiderohet si normale pasi edhe opozita ka rolin e vet në sigurinë kombëtare.
Sipas nenit 13 të ligjit themeltar të shtetit shqiptar, pika 5, “Anëtarë të Këshillit të Sigurise Kombëtare janë: Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Rendit Publik, Ministri i Pushtetit Lokal, Ministri i Financave, Ministri i Transportit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror”.
Një inisiativë e tillë e Nishanit është një tjetër pikë e fortë ku tashmë do të ndërtohet mardhënia në krizë mes shumicës dhe Presidentit, e cila hyn në një akt të vështirë pasi bëhet fjalë për një çeshtje të mprehtë siç është siguria kombëtare e vënë seriozisht në pikëpyetje nga seriali vdekjeprurës i tritoleve.
Gjithsesi, Rama e nishani tashmë janë në një betejë ku këtë herë në mes është lideri i opozitës, Lulzim Basha.
Cana del kundër kalimit me Kosovën
Kombëtarja shqiptare është grumbulluar në Durrës para ndeshjes miqësore me Maltën, e cila do të zhvillohet nesër në stadiumin “Niko Dovana”. Para kësaj përballje, kapiteni Lorik Cana ka mbajtur një konferencë për media. Në këtë konferencë nuk u fol vetëm për ndeshjen ndaj Maltës, por edhe për përfaqësuesen e Kosovës.
Mesfushori kosovar, vazhdon të mbajë qëndrimin se të gjithë shqiptarët duhet ta kenë “një komb, një kombëtare”. “Skuadra përfaqësuese e shqiptarëve duhet të jetë vetëm një”, ka thënë Cana.
Ai mbajti një qëndrim kategorik në lidhje me këtë çështje. “Të dyja vendet duhet të bashkojnë forcat për një skuadër sa më solide dhe konkurruese”.
Cana ka folur edhe për Samir Ujkanin dhe Loret Sadikun, të cilët do të luajnë me Kosovës në ndeshjen miqësore ndaj Haitit.
“Unë mendoj se vendimet duhet të merren pas konsultimit me të gjithë pjesëtarët e kombëtares shqiptare”, tha Cana, duke shprehur pakënaqësinë që Ujkani dhe Sadiku kanë vendosur t’i bashkohen Kosovës.
Cana ka folur edhe për e eliminatoreve për “EURO 2016” e sidomos për përballjen e dyfishtë me Serbinë. “Ndaj përfaqësueses së Serbisë duhet të zbres në fushë një skuadër e bindur në forcat e veta”,tha ai.
Daçiç: Do të ishte më e lehtë ta qëlloja me shpullë Thaçin
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar gjatë fjalës së mbajtur në një forum ekonomik në Beograd, se për të do të ishte me lehtë ta qëllonte me shpullë se sa të negocionte me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin.
“Do të ishte shumë më e lehtë dhe më e këndshme për mua, që ta qëlloja me shpullë Thaçin, sesa të negocioja me të gjatë fushatës elektorale”, ka deklaruar Daçiç.
Por, kreu i qeverisë serbe ka shtuar se është i detyruar të vazhdojë negociatat me Prishtinën pasi kjo është kërkesë e kreut të politikave të Jashtme në BE, Katherine Ashton.
“Ata duan që bisedimet të vazhdojnë më 13 mars, që është edhe dita e fundit e fushatës dhe pikërisht në këtë ditë më duhet të shoh Thaçin – është vërtet një fushatë e mirë”, ka vazhduar ai.
Daçiç më tej ka komentuar edhe mbi lajmin se, Kosova do të krijojë ushtrinë e saj. Ai u shpreh se, kjo nuk është në linjën e marrëveshjes së Brukselit. “Kemi kërkuar garanci nga KFOR-i dhe NATO për këtë. Ushtria e Kosovës nuk duhet të shkojë në veri pa miratimin e KFOR-it”, tha kryeministri serb.








