Moska njofton 13 zyrtarë kanadezë persona non grata

rusiaRusia ka ndaluar hyrjen në territorin e saj të 13 zyrtarëve kanadezë, duke përfshirë një këshilltare të kryeministrit dhe shefit të kabinetit si përgjigje ndaj sanksioneve të miratuara nga ky vend kundër Moskës në lidhje me qëndrimin e mbajtur ndaj çështjes së Ukrainës.
“Kjo masë po aplikohet në përgjigje të veprimeve të papranueshme të palës kanadeze”, njoftoi ministria e Jashtme ruse në një deklaratë. Kanadaja javën e fundit miratoi sanksione kundër shtatë zyrtarëve rusë dhe tre zyrtarëve të Krimesë.

Ministria e Ekonomisë; Masa në lehtësimin e proçedurave për biznesin

Ministria-e-Ekonomise2Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të ndërmarrë masa për lehtësimin e proçedurave për biznesin, të cilat pritet të fillojnë nga muaji prill.

Sipas burimeve nga kjo ministri, ankesat e shumta të biznesit për uljen e praktikave burokratike po shqyrtohen nga grupet e ekspertëve.

Ulja e praktikave burokratike, theksuan burimet kërkon ndërhyrje të thella ligjore dhe kjo do të marrë më shumë kohë. Kryesisht ankesat e biznesit kanë qenë për marrëdhëniet me administratën doganore dhe tatimore, uljen e kontrolleve të shpeshta nga ana e inspektoriateve të ndryshme etj

31-vjeçarja me vajzën shpallen të humbura, vuante nga depresioni

policiaPolicia e Tiranës ka bërë të ditur se një grua 31-vjeçare dhe vajza e saj 2 vjeç e gjysmë rezultojnë të humbura që ditën e premte.

Sipas denoncimit të bërë në polici nga familjarët, gruaja e quajtur Dorina Gjillani është larguar nga shtëpia ditën e premte në orën 12:00 dhe që prej asaj ditë nuk është kthyer më.

Ata shprehen se, me vete ajo ka marrë edhe vajzën e vogël, prandaj luten të kontaktohen nëse ndonjë person mund të ketë informacion mbi vendndodhje ne tyre. Po sipas tyre, gruaja ishte e divorcuar dhe vuante nga depresioni.

 

Për çdo informacion, ata luten të kontaktohen në numrin celular 0698232808 ose tek 129.

 

Gjermani: Schalke 04 do të vazhdojë bashkëpunimin me sponsorin kryesor Gazprom

sportPresidenti i Schalke 04, aktualisht ne vendin e 3-te ne kampionatin e Gjermanise, Clemens Tönnies, ka kembengulur ne vazhdimin e bashkepunimit me Gazprom, sponsori kryesor qe nga viti 2007, pavaresisht krizes ne Ukraine.
Ne nje interviste per gazeten gjermane Bild, presidenti i keshillit mbikqyres se Schalke, e vleresoi gjigandin rus Gazprom si ”nje partner te forte, qe ka mbeshtetjen dhe besimin e Schalke”.
Pyetjes se nese klubi ka ndonje problem me Gazprom qe nga kriza ne Krime, ai iu pergjigj: ”Jo, per mua, jo”.
“Te dyja palet jane te kenaqura”, theksoi ai.
Cdo vit, Gazprom derdh 17 milion euro per klubin e Gelsenkirchen.

KQZ fton ekspertë kontabël për auditimin e fondeve të partive

Logo KQZKomisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një deklarate ditën e henë,  u kërkon ekspertëve kontabël të liçensuar, që të shprehin interesin e tyre pranë KQZ-së, për auditimin e fondeve të përftuara dhe të shpenzuara gjatë vitit kalendarik 2013, nga partitë politike.

Në një deklaratë për mediat Zëdhënësja Drilona Hoxha tha se ekspertët  kontabël të regjistruar (IEKA) duhet të plotësojnë edhe këto kritere: “Të ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël në 5 vitet e fundit, të mos kenë marrë masa disiplinore,të mos ketë qenë i zgjedhur në strukturat politike, apo kandidat në zgjedhje paraardhëse, dhe të mos kenë lidhje gjaku me kryetarët e partive politike”.

Pas shfaqjes së interesit nga ekspetët kontabël pranë KQZ-së, përmes një shorti transparent që do të hidhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të përcaktohen edhe ekspertët që do të bëjnë auditimin e e fondeve të përftuara dhe shpenzuara gjatë vitit kalendarik 2013 nga partitë politike.

Afati i dorëzimit të dokumentacionit për të ineteresuarit është brenda datës 01.04.2014.

Rama: Me Gary Kasparov, për futjen e shahut në shkollat tona

Rama-kasparovShahisti Garry Kasparov, i njohur si lojtari më i mirë i shahut në të gjitha kohërat, ndodhet në Tiranë, në kuadër të nismës së tij për të vendosur shahun si lëndë mësimi në shkolla. Kjo nismë është mbështetur edhe nga kryeministri i vendit, Edi Rama, si dhe nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Kasparov ka zhvilluar një vizitë në shkollën “Pjetër Budi” në Tiranë, ku është shoqëruar nga ministrja Nikolla, e cila deklaroi se lënda e shahut do të futet si lëndë mësimore në fillim të vitit akademik 2014-2015. Si fillim do të futet në 10 shkolla të ciklit të ulët në Tiranë, dhe më pas do të shtrihet në të gjitha shkollat e Shqipërisë.

Legjenda e shahut, Kasparov, i cili ka qenë një nga themeluesit e lëvizjeve opozitare “Rusia tjetër” dhe një nga kundërshtarët kryesorë të presidentit Putin, zhvilloi edhe një takim me kryeministrin Edi Rama.

“Me legjendarin Gary Kasparov për futjen e shahut në shkollat tona. Gati për t’ia filluar!”, -shkruan kryeministri Rama në Facebook.

Aksident në Shkodër, plagosen 10 persona, 6 prej tyre ushtarakë

aksident i rendeNjë aksident ka ndodhur në aksin rrugor Mjedë-Kryebushat, ku kanë mbetur të plagosur 10 persona, ndërmjet të cilëve janë 6 ushtarakë. Policia njofton se mes të plagosurve ndodhet edhe një 15-vjeçar, i cili rezulton të jetë në gjendje të rëndë për jetën.

Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Shkodrës, ndërsa 15-vjeçari është transportuar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, pasi ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale më të specializuar.

Përplasja e dy makinave u raportua që në orët e para të mëngjesit, por u njoftua vetëm plagosja e 15-vjeçarit.

Shkak i aksidentit mësohet të ketë qenë humbja e kontrollit të mjetit me të cilin lëviznin 6 ushtarakët.

 

12:40-Ministrja Kodheli viziton ushtarakët në spital

Menjëherë pasi është njoftuar për aksidentin, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka udhëtuar drejt Shkodrës për të parë nga afër gjendjen e të aksidentuarve. Ministrja Kodheli shkoi në Spitalin Rajonal të Shkodrës për të vizituar ushtarakët e aksidentuar, por edhe personat e tjerë të lënduar nga aksidenti.

Nga mjekët e spitalit bëhet me dije se të aksidentuarit janë në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë 15-vjeçari, i cili është më rëndë se të aksidentuarit e tjerë, ndodhet në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku po i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale.

 

Të plagosurit:

Gentjan Rrahmani, 25 vjeç ushtarak

Sevahir Mataj, 26 vjeç ushtrak

Genci Loka, 26 vjeç ushatrak

Edmond Xhupa, 34 vjeç ushatrak

Pashk Makjoshi, 33 vjeç ushtrak

Sytku Zaganjohri, 59 vjeç ushatrak

Sevahir Hasmataj

Blerina Hasmataj 37 vjeç

Suad Hasmataj 18 vjeç

S. H 15 vjeç

Rama: Do nxisim trajnimet profesionale

rama ne pejeKryeministri i vendit, Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka marrë pjesë në inaugurimin e një biznesi fason në zonën e “Kamzës” në kryeqytet.

Në takimin me sipërmarrësit dhe punonjësit, kryeministri prezantoi disa prej masave konkrete që qeveria do të ndërmarrë për të krijuar një hapësirë të re të këtij sektori, në ekonominë e vendit.

Ndër 42 masa të reja, të paketës për fasonët, kryeministri veçoi realizimin e uljes së nivelit të riskut në doganë, duke kaluar kështu nga dy-tri ditë, në disa orë.

“Ne, në paketën që kemi për fasonët, pjesën e doganës do ta trajtojmë në mënyrë specifike me risk të ulët dhe kështu që, nga një ditë e dy ditë do kalojmë në pak orë”, – u shpreh ai.

“Të ardhurat që, ne do të marrim nga kontributi juaj përmes tatim-fitimit do t’i bashkojmë me një fond tjetër të nxitjes së punësimit dhe do t’i kthejmë prapë te ju për të nxitur trajnimet profesionale, për pjesën që ka të bëjë me punët më të sofistikuara në proces, për të mbështetur marrjen e punonjësve të rinj” shpjegoi Kryeministri.

Sipërmarrësit e informuan kryeministrin se biznesi i tyre do të zgjerohet edhe në Vlorë, ku do të punësohen të paktën 300-400 punëtorë, nga shtatori e në vijim.

“Ne do ta bëjmë menjëherë procedurën dhe do të krijojmë mundësi për zgjerimin sepse ajo që kemi bërë për të nxitur investimet e huaja nuk diskutohet që vlen edhe për të gjithë ata që investojnë këtu në Shqipëri”, u shpreh Rama.

15 vjet më parë NATO erdhi me pranverën

1natoNesër, në 24 mars, mbushen 15 vjet që nga dita kur NATO e udhëhequr nga SHBA filloi fushatën e bombardimeve kundër ish-Jugosllavisë për të detyruar presidentin serb Sllobodan Millosheviç të pushonte dhunën në Kosovë dhe për të shmangur katastrofën humanitare që kërcënonte rajonin.

E njohur si Lufta e Kosovës, fushata ajrore zgjati 78 ditë dhe solli më në fund çlirimin e Kosovës dhe kapitullimin e ushtrisë jugosllave.

Ndërhyrja e NATO-s do të jetë temë e debateve në shkencat politike dhe në të drejtën ndërkombëtare për shumë vjet me radhë. Pavarësisht se për shqiptarët ajo shënoi shpëtimin nga agresioni fashist serb, për historinë e njerëzimit ajo shënon një hap të rëndësishëm drejt dobësimit të sovranitetit të shtetit në favor të stabilitetit ndërkombëtar dhe të drejtave universale njerëzore.

Me ndërhyrjen në Kosovë, NATO nënvizoi parimin e ri në skenën ndërkombëtare sipas të cilit sovraniteti shtetëror nuk është më justifikim për diktatorët që të masakrojnë nënshtetasit e tyre.

Kritikët janë vënë në dukje se ky ndryshim mund të shkërmoqë sistemin ndërkombëtar që prej gati dy shekujsh bazohet mbi sovranitetin shtetëror.

Megjithatë, në një botë që bëhet gjithnjë e më shumë e vogël, ku globalizimi, zhvillimi i teknologjisë dhe ndryshimet e mjedisit kërcënojnë ose favorizojnë mbarë njerëzimin, prirja është që vendimet e mëdha të mos pengohen nga interesat e ngushta të një shteti.

Lufta pati një rëndësi të jashtëzakonshme edhe për vetë NATO-n e cila ishte në prag të festimit të 50 vjetorit të saj dhe ekzistenca e aleancës po vihej në dyshim. E krijuar për t’u përballur me Bashkimin Sovjetik, NATO ndodhej prej vitesh pa ndonjë arsye konkrete për të justifikuar ekzistencën e saj, tani që Lufta e Ftohtë kishte mbaruar.

Kriza e Kosovës tregoi se problemet e sigurisë dhe të stabilitetit në Europë mbeteshin reale, ndonëse nuk ishin më të karakterit ideologjik. Lufta e vitit 1999 i dha lirinë shqiptarëve por edhe të drejtën për të jetuar më tej vetë NATO-s, e cila qysh atëhere ka shtuar numrin e anëtarëve, një nga të cilat tani është pikërisht Shqipëria.

Për Kosovën, ndërhyrja e NATO-s ndryshoi përgjithmonë historinë e saj dhe të shqiptarëve në tërësi. Për herë të parë që nga vitet që i prinë Luftës së Parë Botërore, Kosova doli nga zgjedha e Serbisë për t’u vënë fillimisht nën mbikëqyrjen e një misioni të OKB-së. Në 2008, ajo shpalli pavarësinë duke kurorëzuar në mënyrë spektakolare atë proces që filloi me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhjetë vjet më parë.

Masakra e Reçakut dhe refuzimi i Jugosllavisë për t’iu bashkuar shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve në firmosjen e një marrëveshjeje paqeje në Rambuje i hapën rrugë ndërhyrjes ushtarake, por ky zhvillim nuk do të kuptohej pa vlerësuar proceset që e sollën atë: rezistenca paqësore e LDK-së me në krye Presidentin Rugova që ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës si dhe luftës së vendosur të UÇK-së me aktin e madh heroik të Adem Jasharit, i cili ra në luftë kundër pushtuesit serb e pas tij u masakrua e gjithë familja e madhe që ndodhej me të në Prekaz.

Ndonëse, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë është rezultat i shumë faktorëve, një rol të pamohueshëm ka luajtur edhe puna e jashtëzakonshme e komunitetit shqiptaro-amerikan sidomos gjatë viteve 90-të për të edukuar politikën amerikane lidhur me çështjen e Kosovës.

Për shqiptarët këtu në SHBA, në Kosovë e kudo, Presidenti Bill Clinton dhe Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright nuk do të harrohen kurrë për vendimet e guximshme e të principta që morën në atë pranverë të madhe të vitit 1999. Ato vendime ndryshuan si rrallë ndonjëherë historinë e kombit tonë dhe siç do të dalë më vonë edhe të gjithë botës.

/Illyria/

Vlorë, sekuestrohet një gomone dhe dy armë automatike

gomone1Policia kufitare e Vlorës gjatë një kontrolli përgjatë vijës bregdetare për lëndë narkotike ka bërë të mundur sekuestrimin e një gomoneje dhe dy armëve automatike.

Sipas policisë,  gomonia është gjetur në zonën e Hoxharës ndërsa dyshohet se armët u përkisnin trafikantëve të drogës, të cilët i kanë hedhur kur kanë parë policinë.

Gjithashtu mësohet se policia kufitare e Vlorës ka shoqëruar edhe disa persona të cilët dyshohen se kanë dijeni për gomonen dhe për armët e gjetura.

Ndërkohë policia kufitare kryen kontrolle përgjatë vijës bregdetare me qëllim parandalimin e trafikut të lëndës narkotike.