Votat e Korçës”, prokuroria pushon hetimet

gjykataProkuroria e Korçës ka pushuar hetimin për çështjen “e votave”, gjatë zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit. Të gjithë personat të cilët ishin të akuzuar për përfshirjen në skemën e blerjes së votave, nuk do të ndiqen penalisht.

Prokuroria e Korçës ka bërë me dije, se amnistia e shpallur me vendim të Këshillit të Ministrave përfshin edhe këtë kategori, duke qenë se bën pjesë në veprat penale që dënohen deri në dy vite burg.

Neni 325-së i Kodit Penal për të cilin akuzohen personat e përfshirë në skandalin e zgjedhjeve dënohet nga gjobë deri në dy vite burg. Megjithatë po kjo amnisti përjashton të dënuarit për veprën penale në fushën e zgjedhjeve, por interpretimi që personat e akuzuar nuk janë dënuar ende, i përfshin këta në pikën përgjithësuese të parimit te përgjithshëm që përfitojnë të gjithë ata që kanë kryer vepra penale me dënim deri në dy vjet.

Nishani u uron katolikëve dhe ortodoksëve për Festën e Pashkëve

For the story BC-EU—Albania-PresidentNëpërmjet një mesazhi, Presidenti Bujar Nishani u uron Festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve katolikë dhe ortodoksë shqiptarë kudo që ndodhen.

Në mesazhin e tij për besimtarët katolikë, Kreu i Shtetit shprehet se “në vlerën shpresëdhënëse të së cilës besojnë të gjithë të krishterët dhe jo vetëm, ju uroj të gjithëve të jetoni në familje dhe në shoqëri paqen dhe mirësinë që rrezaton kjo e kremte”.

“Qoftë kjo ditë dhe gjithë të tjerat pas kësaj, ditë plot vullnet, kurajë dhe forcë për të përballuar çdo vështirësi! Është dita kur ringjallet shpresa, ndihet më i plotë gëzimi dhe harmonia mes njëri- tjetrit. Dita e bekuar e Pashkëve le të na ndihmojë ta jetojmë më thellë shpresën për një jetë më të mirë në familje dhe në shoqërinë  shqiptare”, deklaron Nishani.

Ai thekson se “festa e Pashkëve sivjet i gjen shqiptarët me besim se do të bëjmë përpara në afrimin drejt familjes europiane. Është një provë që kërkon më shumë se kurrë të shpalosim harmoninë, mirëkuptimin dhe dinjitetin tonë si komb”.

Sipas tij, të besosh tek e mira, te shpresa, te paqja dhe te jeta më e mirë, është oguri më  i mirë i kësaj feste. Dhe ne e meritojmë edhe shpresën, edhe jetën më të mirë.

Ndërsa në mesazhin drejtuar besimtarëve ortodoksë, Presidenti shprehet se Festa e Pashkëve, duke na forcuar edhe më shumë besimin dhe dëshirën për mirësi, na shtyn të gjithëve, besimtarë ortodoksë apo jo, të rigjallërojmë shpresën dhe forcën për të qenë ashtu si na e  kërkon vetë dita e shënuar e Pashkëve.

“Dita e Ringjalljes na ndihmoftë të gjithëve për të besuar edhe më shumë tek e mira, për të qenë të prirur ndaj bashkëjetesës së harmonishme!Sivjet ne kemi sfidën e madhe për t’iu afruar edhe më shumë familjes europiane. Kjo sfidë varet më së shumti nga mirëkuptimi që do të jemi të zotë të realizojmë midis nesh dhe nga dëshira për të pasur një vështrim më të kthjelltë mbi të nesërmen”, thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.

Një pyll në qytetin Halle, në Belgjikë

belgio1904
Një pyll në qytetin Halle, në Belgjikë. (Yves Logghe, Ap/Lapresse)

KGJK: Anëtarët e KLD të udhëhiqen nga parimet ligjore

konferenca gjyqesore kombKonferenca Gjyqësore Kombëtare rekomandon dhe nxit anëtarët e KLD-së që në veprimtarinë, qëndrimet dhe vendimet e tyre në këtë institucion, të udhëhiqen nga parimet ligjore dhe interesat më të larta të gjyqësorit.

Në rezolutën përfundimtare të saj pas mbledhjes së djeshme, KGJK vlerëson se këta anëtarë duhet të unifikojnë qëndrimet e tyre lidhur me çështjet që kjo Konferencë vlerësoi si të rëndësishme, për të cilat është i nevojshëm trajtimi dhe zgjidhja e tyre në KLD.

Konferenca Gjyqësore Kombëtare, në mbështetje të veprimtarisë së përfaqësuesve të saj në KLD, me qëllim përmbushjen e detyrës së tyre, u rekomandon ruajtjen dhe promovimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor si një vlerë themelore në një shtet të së drejtës, nga çdo lloj presioni, ndikimi apo ndërhyrje që mund të vijë nga pushtetet e tjera.

Zbatimin me korrektësi dhe me efektivitet të kuadrit ligjor e nënligjor për emërimet, transferimet apo procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve;

Trajtimin në mbledhjet e KLD të çështjes së mbivendosjes së kompetencave të Inspektorateve të KLD–së dhe Ministrisë së Drejtësisë për gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme ligjore, të cilat të marrin në konsideratë parimin e pavarësisë së gjyqësorit nga njëra anë, si dhe parimin e kontrollit dhe balancimit të pushteteve nga ana tjetër;

Ushtrimin e ndikimit të vazhdueshëm ndaj strukturave përgjegjëse të KLD-së për përfundimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të vlerësimit të gjyqtarëve;

Përkrahjen e nismave dhe dhënien e opinioneve lidhur me procesin e refomave në sistemin e drejtësisë;

Përpjekje maksimale për të nxitur dhe thelluar luftën kundër fenomeneve korruptive në gjyqësor;

Rritjen e transparencës së punimeve dhe të procesit të vendimarrjes së KLD;

Angazhim më të madh, në bashkëpunim dhe me institucione të tjera shtetërore, për propozimin dhe hartimin e projekteve, të cilat kanë në fokus rritjen e kualifikimit profesional të gjyqtarëve;

Mbajtjen e lidhjeve më të ngushta dhe organizimi i konsultimeve me KGJK për çështje të rëndësishme të sistemit gjyqësor në kuadër të përfaqësimit të trupës gjyqësore;

Angazhim maksimal për rritjen e performancës së sistemit gjyqësor si dhe mbrojtjen e promovimin e vlerave individuale të çdo gjyqtari.

Këto drejtime, të cilat nuk mund të konsiderohen shteruese, duhet të përbëjnë bazën dhe të shërbejnë si pika orientuese të veprimtarisë së anëtarëve të KLD-së të zgjedhur nga KGJK. Për ndjekjen dhe zbatimin e këtyre rekomandimeve, KGJK angazhohet se do të japë ndihmën dhe mbështesë përfaqësuesit e saj në KLD, thuhet në rezolutë.

Putin: Asgjë nuk pengon normalizimin e marrëdhënieve ruso-perëndimore

putinPresidenti rus, Vladimir Putin kadeklaruar se asgjë nuk e pengonte normalizimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit, të cilat po përjetojnë krizën më të keqe që prej Luftës së Ftohtë për shkak të situatës në Ukrainë.
“Unë mendoj se asgjë nuk do ta pengonte normalizimin dhe një bashkëpunim normal”, deklaroi Putin në një intervistë televizive.

”Kjo gjë nuk varet nga ne ose të paktën vetëm nga ne. Ky normalizim varet nga partnerët tanë”, theksoi ai.
Kjo vërejtje erdhi dy ditë pas nënshkrimit në Gjenevë, kundër çdo pritshmërie, për një marrëveshje mes Rusisë, Ukrainës, SHBA-së dhe BE-së që duhet të ndihmojë uljen e tensioneve në krizën ukrainase.

Pashkët sjellin fluks emigrantësh ne pikat kufitare

dogana_274794Fluks i madh emigrantësh në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Janë të shumtë emigrantët që kanë zgjedhur mbrëmjen e djeshme dhe mëngjesin e sotëm për të udhëtuar drejt familjeve të tyre në Shqipëri me rastin kremtimit të Pashkëve.

Burime nga policia doganore bëjnë me dije se deri më tani kanë hyrë në këtë pikë 5048 persona me 1312 mjete.

Aktualisht pala shqiptare punon me 5 sportele për të përballuar fluksin, ndërsa ajo greke me 2.

Krahasuar me një vit më parë, numri i emigrantëve që hyjnë në vendin tonë është më i ulët.

Sekuestrohet duhan pa pullë fiskale në Tiranë dhe Elbasan

policiaStrukturat e Departamentit të Akcizës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në bashkëpunim me Degën Doganore Tiranë, nga datat 14 deri më 16 prillë kanë ushtruar kontrolle në tregjet e Tiranës dhe Elbasanit në lidhje me tregtimin e produktit të akcizës Duhan i Grirë dhe Cigare.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga grupet e kontrollit është evidentuar se persona të ndryshëm kanë tregtuar produktet e akcizës Duhan i Grirë dhe Cigare, këto produkte kanë qënë të pa pajisur me pullë fiskale në shkelje të Ligjit 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”.

Gjithashtu, nga kontrollet e ushtruara rezultoi që Duhani i Grire i ambalazhuar si dhe Cigaret mbanin logo të falsifikuara të kompanive të njohura të prodhimit dhe tregtimit të cigareve.

Grupet e kontrollit gjatë ushtrimit të detyrës, në mbështetje të Nenit 94 pika 1/b, kanë konfiskuar të gjithë sasinë e gjetur në momentin e kontrollit.

Drejtoria e Përgjithshsme e Doganave i bën thirrje të gjithë personave që tregtojnë produktin e akcizës Duhan i Grirë dhe Cigare jo të pajisur me pullë fiskale dhe/ose me ambalazhe të falsifikuara, se strukturat e kësaj Drejtorie do të vazhdojnë kontrollet intensive në të gjithë tregjet dhe pikat e shtitjes ku tregtohen mallrat e akcizës.

Konfiskimi i produkteve të akcizës që tregtohen në shkelje të Ligjit 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligjit Nr.8449, datë 27.01.1999 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë” do të vazhdojë përmes kontrolleve të pandërprera

ILDKP jo në dorë të Presidentit

Pandeli_MajkoMe propozimin e deputetëve socialistë, mazhoranca i hoqi Presidentit kompetencën për t’i propozuar Kuvendit kreun e Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të zyrtarëve të lartë dhe ia dha këtë kompetencë Kuvendit të Shqipërisë.

Bashkë me këtë ndryshim, që u kundërshtua nga opozita si sulm politik ndaj Presidentit, kaluan edhe disa ndryshime të tjera që synojnë forcimin e rolit të ILDKP-së për kontrollin e pasurisë së zyrtarëve.

“Si ta forcojmë ILDKP-në  ta kthejmë në një antivirus për këtë fenomen sistematik. Problemi i deklarimit të pasurisë është një nga problemet më të manipuluara në Shqipëri”, tha Pandeli Majko, deputet i PS-së.

“Unë do të thoja që nuk është antivirus sepse nuk po injektojmë gjë në shoqëri në këtë mënyrë. Ne po përpiqemi në një farë mënyre të kemi një dac që të mbajë larg minjtë, ka 11 vjet që daci shkon jashtëzakonisht mirë me minjtë” tha Gent Strazimiri, deputet i PD-së.

Mazhoranca beson se ndryshimet në ligjin për kontrollin e zyrtarëve do të përmirësojnë punën e këtij institucioni, ndërsa opozita shfaqi shqetësimin e marrjes së të gjitha pushteteve nga shumica. Duke e konsideruar një cenim të rëndë të kompetencave të Presidentit heqjen e të drejtës për të propozuar kreun e ILDKP-së, opozita u largua nga Komisioni i Ligjeve, ndërsa mazhoranca miratoi ndryshimet dhe sqaroi se tek vullneti i deputetëve të mazhorancës nuk ka ndikim Kryeministri Rama.

 

Tahiri-Nishanit: KLD të shqyrtojë 65 vendimet e gjykatave

saimir-tahiriNjë listë me rreth 65 vendime të gjykatave, të cilat në vlerësimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme meritojnë një shqyrtim të hollësishëm, iu dërgua sot Presidentit të Republikës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri në një letër drejtuar sot Presidentit Nishani vlerëson se “vendimet e gjykatave nuk janë pronë private as e gjyqtarit të çështjes, as e palëve të përfshira dhe as e autoriteteve që qeverisin gjyqësorin, madje përkundrazi, diskutimi mbi vendimet e gjykatave përmbush dhe plotëson nevojën për respektimin e tyre dhe të gjyqësorit në tërësi”.

letra-NishanitNë këtë kontekst ministri Tahiri kërkon ndërhyrjen e Presidentit për të vënë në lëzivje KLD-në, për të shqyrtuar zbatimin e ligjit dhe standardet e dhënies së drejtësisë për qytetarët, qoftë të akuzuar apo më shumë akoma, të dëmtuar nga vendimet e përmbledhura në listën bashkëngjitur letrës.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme këto vendime të gjykatave janë “më së paku të diskutueshme, në mos fort absurde, të cilat nga njëra anë kanë efekt shkatërrues mbi pritshmërinë e qytetarëve për drejtësi, por nga ana tjetër betonojnë kulturën e pandëshkueshmërisë duke ricikluar kriminalitetin dhe paligjshmërinë”.

Presidentja Jahjaga takon Kryeministrin Thaçi

Atifete Jahjaga dhe Hashim ThaciPresidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale në vend.

Në komunikatën e dërguar bëhet e ditur se, Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi theksuan nevojën për arritjen e konsensusit shoqëror dhe politik për proceset e rënda, por të domosdoshme për të siguruar që Kosova i përmbush obligimet e saj në fushën e drejtësisë dhe vazhdimit të mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë, të përshkruar në letërkëmbimin e diskutuar dhe pajtuar paraprakisht ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi vlerësuan se sado i rëndë të jetë i gjithë ky proces do të përqendrohet në individë dhe veprime individuale dhe nuk është gjykim i përpjekjeve kolektive të popullit për çlirim dhe pavarësi.
Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi biseduan edhe për prezantimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe tërheqjen e investimeve, që do të mundësojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.